Ne një video qe ka postuar Taulant Balla, kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, ne faqen e tij ne Facebook, tregon se ka ndaluar një makinë në rrugë, ka futur kokën brenda kabinës dhe i flet shoferit. Po i shpjegon politikën e re të lidhjes me njerëzit dhe dëgjimit të halleve të tyre.
Në vende të tjera, kur një makinë ndalohet në rrugë, shoferi nxjerr patentën. Në Shqipëri, me politikën e re të Besës, Pranisë Besnike dhe Pasqyrës Shqiptare, qytetari duhet të jetë gati të nxjerrë hallin. Problemi familjar, hipoteka, pensioni, legalizimi, kanali i ujërave të zeza dhe vendi i punës tashmë do të dëgjohen.
Nisma meriton të zhvillohet më tej. Nuk ka arsye të kufizohet te takimet e organizuara dy herë në javë. Ministria përgjegjëse për rrugët mund të hartojë një sistem të ri sinjalistike dhe, krahas tabelave “Kthesë e rrezikshme”, “Kalim këmbësorësh” dhe “Kufizim shpejtësie”, të vendosen edhe tabelat që i duhen Shqipërisë së re.
DEPUTET – 500 METRA
KRYETAR BASHKIE – 1 KM
MINISTËR – 5 KM
DREJTUES POLITIK – DALJA E PARË DJATHTAS
PËR HALLE URGJENTE – ULNI SHPEJTËSINË
Qytetari që ka një problem me pronën mund të ndezë sinjalin e djathtë. Ai që pret pensionin mund të ndezë sinjalin e majtë. Për një leje ndërtimi mund të përdoren dritat e emergjencës, ndërsa për një dosje që ka pesë vjet në administratë këshillohet fikja e motorit, sepse çështja mund të kërkojë më shumë kohë.
Në hyrje të qyteteve mund të vendosen tabela më të hollësishme. “Mirë se vini në Lushnjë. Deputeti i zonës 700 metra.” Në dalje të Fierit mund të shkruhet: “Keni hall? Mos u ktheni mbrapsht. Kryetari i bashkisë ndodhet 2,3 kilometra më tej.” Përpara Tiranës do të nevojitej një tabelë elektronike, sepse trafiku politik është më i dendur dhe distancat ndryshojnë gjatë ditës.
Edhe aplikacionet e navigimit duhet të përshtaten. Në vend të “Pas 300 metrash kthehuni majtas”, zëri mund të njoftojë: “Pas 300 metrash ndodhet një deputet i shumicës. Për probleme me kadastrën qëndroni në korsinë e djathtë.” Nëse deputeti është i zënë, sistemi mund të ofrojë një rrugë alternative drejt një drejtori rajonal.
Kjo do t’i kursente qytetarit shumë kohë. Në vend që të endet nëpër institucione, të marrë numër radhe, të plotësojë formularë, të dërgojë email dhe të presë përgjigje nga e-Albania, mund të marrë makinën dhe të kërkojë një funksionar. Mund të ketë fat që t’i dalë në rrugë vetë Taulanti.
Në të vërtetë, ideja që politikanët të dëgjojnë njerëzit është krejt e arsyeshme. Pjesa zbavitëse fillon kur këtë e paraqet si risi një parti që ka drejtuar qeverinë për trembëdhjetë vjet. Pas një kohe kaq të gjatë në pushtet, të dalësh në rrugë për të zbuluar hallet e qytetarëve është një formë shumë e veçantë kureshtjeje administrative.
Një qytetar mund t’i thotë deputetit se ka shtatë vjet që nuk regjistron dot pronën. Deputeti e dëgjon, merr emrin dhe premton të interesohet. Të gjithë largohen të kënaqur nga takimi dhe askush nuk merret me hollësinë e parëndësishme se një institucion i tërë ka shtatë vjet që paguhet për ta zgjidhur atë punë dhe ti nuk merr dot një certifikatë pronësie.
Një tjetër mund të ankohet se bashkia nuk i përgjigjet. Politikani telefonon bashkinë dhe çështja papritur merr rrugë. Qytetari falënderon politikanin, politikani kënaqet që ishte pranë qytetarit dhe bashkia vazhdon punën e saj duke pritur telefonatën e ardhshme nga një njeri më i rëndësishëm se qytetari.
Kështu krijohet një sistem shumë praktik. Ligji thotë se të gjithë janë të barabartë, por telefoni i deputetit e shpjegon ligjin me më shumë bindje. Formulari mund të presë mbi tavolinë për muaj të tërë; mjafton një telefonatë dhe zbulon menjëherë aftësinë për të lëvizur.
Kjo është pjesa ku “dëgjimi i halleve” bëhet më interesant se vetë hallet. Nëse administrata ta zgjidh problemin në bazë të ligjit, ti nuk i ke borxh askujt. Nëse ta zgjidh një deputet pas një telefonate, krijohet një arsye shumë e mirë për ta mbajtur mend deputetin.
Shteti institucional ka një mangësi të madhe nga pikëpamja elektorale. Kur funksionon siç duhet, qytetari merr shërbimin dhe shkon në shtëpi pa falënderuar partinë. Askush nuk del në fotografi, askush nuk regjistron video dhe askush nuk mund të njoftojë në Facebook se sot ia zgjidhi hallin filanit nga lagjja numër shtatë.
Prandaj sistemi i ri ka avantazhe që burokracia normale nuk i ofron. Një certifikatë e marrë në kohë nuk prodhon entuziazëm. Një certifikatë e bllokuar për gjashtë muaj dhe e zgjidhur pas ndërhyrjes së deputetit prodhon mirënjohje. Atëherë ia vlen të thuash: “Marrsh nga ditët tona!”
Me pak punë mund të krijohet edhe një kod i ri rrugor për qytetarët me halle. Parkimi pranë deputetit lejohet deri në dhjetë minuta. Parakalimi i një qytetari tjetër me hall më të vjetër ndalohet. Për të folur me ministrin kërkohet rezervim, ndërsa takimi me një drejtor të përgjithshëm mund të bëhet vetëm pasi t’i kesh kaluar me radhë gjithë të tjerët.
Mund të krijohen edhe pika pushimi në autostrada. Në vend të tabelës “Kafe – Karburant – Restorant”, mund të shkruhet “Kafe – Karburant – Deputet”. Shoferi mbush makinën me benzinë, pi një ekspres, ankohet për hipotekën dhe vazhdon udhëtimin më i qetë.
Skena me Taulant Ballën pranë xhamit të makinës është vërtet e dobishme. Ajo na tregon se qeveria dëshiron t’i dëgjojë hallet e njerëzve, gjë që është gjithmonë më mirë sesa të mos i dëgjojë. Vetëm se pas trembëdhjetë vjetësh qeverisjeje do të kishte qenë më pak zbavitëse, por shumë më e dobishme, sikur qytetarëve t’u duhej më rrallë një politikan për të marrë atë që u takon.
Deri atëherë, shoferët duhet të tregojnë kujdes. Në çdo kthesë mund të shfaqet një drejtues politik që kërkon të dijë çfarë halli kanë. Për siguri, krahas patentës, siguracionit dhe dokumenteve të makinës, këshillohet të mbajnë me vete edhe një listë të problemeve.
Dhe nëse shteti vazhdon të funksionojë kështu, së shpejti mund të shohim në faqe mali të shkruar me gure te lyer me gelqere te bardhe : “Rroftë Prania Besnike!”










Komente
Komento