Tiranë- Një burrë dhe një grua janë arrestuar me urdhër të prokurorisë së Tiranës pasi akuzohen se gjatë 2 viteve, nëpërmjet kompanive fiktive guacke, kryen transferta bankare me vlerë 11 milionë euro. Paratë, e dyshuara të ardhura nga krimi, nga Qipro, Gjibraltari dhe Malta silleshin fillimisht në Shqipëri, më pas transferoheshin në Kanada.
Dy të arrestuarit me vendim gjykate janë Darin Gezdari dhe bashkëpunëtorja e tij Arlinda Marku.
Ata rezultojnë pronarë të 10 kompanive fiktive, kryesisht në fushën e konsulencës por që në të vërtetë vepronin për të bërë transferimin e parave.
Këta dy persona u ndaluan pasi në bashkëpunim me njëri-tjetrin, kanë organizuar një skemë të mirëfilltë kriminale për transferimin e parave nëpërmjet transaksioneve bankare duke përdorur kompani guaskë në shtetet e parajsave fiskale si Qipro, Giblartar, Maltë, etj.
Këto para transferoheshin në shtetin shqiptar në shoqëri të krijuara në mënyrë fiktive, dhe më pas transferoheshin në shtetin kanadez, i gjithë ky aktivitet i dyshuar kriminal është kryer në funksion të pastrimit të produktit të veprës penale.
Nga 10 kompanitë 7 ishin regjistruar në emër të Gezdarit dhe 3 të Marku. Policia sqaron se transferimi i 11 milionë eurove është bërë brenda 2 viteve.
"Nga këto veprime ka rezultuar se 2 shtetasit, gjatë periudhës 2021 – 2022, bashkëpunuan për të krijuar kompani fiktive, nëpërmjet të cilave transferuan para me burime kriminale, nga Qipro, Gjibraltari dhe Malta, fillimisht në Shqipëri, më pas në Kanada" informoi sot policia e Tiranës.
Nga hetimi i zhvilluar dhe provat e grumbulluara prokuroria dyshon se në këtë skemë mashtrimi janë të përfshirë shtetas të tjerë shqiptarë e të huaj, të lidhur me këtë aktivitet kriminal, për të cilët po punohet për dokumentimin e plotë të aktivitetit kriminal dhe vënien përpara përgjegjësisë penale të tyre, informoi sot prokuroria e Tiranës.
Vijojnë hetime të thelluara, për të përcaktuar burimin e kundërligjshëm të parave, si dhe për të nxjerrë përpara përgjegjësisë penale, shtetasit e tjerë, shqiptarë dhe të huaj, të implikuar në këtë skemë kriminale.
Gezdari dhe Marku u arrestuan gjatë operacionit ‘Cost to cost’. Bashkë me arrestimin Gjykata e Tiranës kishte firmosur edhe vendimin për kontrollin e banesave të dy shtetasve. Hetimet disa mujore nisën nga referimet e Drejtorisë së Hetimit Tatimor në Drejtorinë e Përgjithshme të Tatimeve, në bashkëpunim me Seksionin e Hetimit të Pastrimit të Parave pranë Drejtorisë Vendore të Policisë Tiranë dhe Agjencisë së Inteligjencës Financiare
Arlinda Marku, 41 vjeçe banuese në Lezhë
Darin Gezdari, 34 vjeç banues në Tiranë
Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve
Hetimi Tatimor njoftoi sot se si është zbuluar edhe skema e pastrimit të 11 mln eurove nga shoqëri fiktive në Shqipëri, nëpërmjet vendeve parajasa fiskale, me destinacion përfundimtar Kanadanë.
Në operacion u kryen dy arrestime, teksa u zbuluan edhe 10 kompanitë nëpërmjet të cilave realizohej operacioni financiar i paligjshëm.
Drejtoria e Hetimor Tatimor ka arritur të zbulojë skemat e dyshimta në evazion fiskal dhe për transaksione në pastrim parash, duke njoftuar Prokurorinë e Tiranës dhe kjo e fundit bashkë me Policinë dhe Tatimet ushtruan kontrolle në kompanitë e dyshuara, duke gjetur prova të shumta.
Njoftimi i Drejtorisë së Tatimeve:
“Ditën e enjte, datë 19.12.2024, Drejtoria e Hetimit Tatimor në Drejtorinë e Përgjithshme të Tatimeve finalizoi një fazë të rëndësishme të hetimit disa mujor në bashkëpunim me Agjencinë e Inteligjencës Financiare (FIU), për identifikimin e një grupi personash, të cilët në harkun kohor 2021-2022 kishin arritur të pastronin një sasi prej 11 milionë euro në territorin shqiptar dhe t`i transferonin në vijim këto para drejt Kanadasë.
Në fillim të muajit dhjetor 2024 aktet e mësipërme hetimore u referuan nga Drejtoria e Hetimit Tatimor në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, për veprat penale të “Fshehje të ardhurash” dhe “Pastrimit të produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”, të parashikuara nga nenet 180 dhe 287 të Kodit Penal.
Në vijim, pas regjistrimit të procedimit penal nga Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë dhe, marrjes së autorizimeve të nevojshme nga gjykata kompetente për kontrolle vendesh dhe sekuestrim provash materiale, më datë 19.12.2024 një skuadër e përbërë nga 6 (gjashtë) Oficer të Policisë Gjyqësore pranë Drejtorisë së Hetimit Tatimor në bashkëpunim të ngushtë me Sektorin për Krimin Ekonomik e Financiar në Drejtorinë Vendore të Policisë Tiranë, kanë ushtuar kontrolle në vende të ndryshme në Tiranë dhe kanë sekuestruar një mori provash materiale me interes për hetimin si njësi kompjuterike, telefona celularë, akte të shumta shkresore, etj.
Po ashtu, gjatë ditës së enjte, janë ndaluar edhe 2 (dy) shtetas shqiptarë mbi dyshimet se kanë kryer veprat penale të mësipërme dhe po punohet në drejtim të identifikimit të shtetasve të tjerë të përfshirë në këtë aktivitet kriminal.
Hetimet e deritanishme kanë provuar se disa shtetas në bashkëpunim me njëri-tjetrin kishin ngritur një skemë të mirëfilltë kriminale për transferimin e parave nëpërmjet transaksioneve bankare, duke përdorur kompani guackë në shtetet e parajsave fiskale, si Qipro, Gibraltar, Maltë etj, para të cilat transferoheshin në shtetin Shqiptar në shoqëri të krijuara në mënyre fiktive këtu, dhe më pas transferoheshin në shtetin Kanadez.
Hetimet vazhdojnë, por në këtë fazë të rëndësishme të hetimit, Drejtoria e Hetimit Tatimor, gjen rastin të falenderojë për bashkëpunimin e mirë që ka pasur Prokurorinë e Rrethit Tiranë, Agjencinë e Inteligjencës Financiare dhe Sektorin për Krimin Ekonomik e Financiar në Drejtorinë Vendore të Policisë Tiranë, duke shpresuar se në vijim do thellohet ky bashkëpunim edhe për raste të tjera”.
Tabela me 7 kompanitë e të dyshuarit Gezdari
Dy personat e arrestuar gjatë operacionit të koduar “Cost to Cost” dhe që akuzohen për pastrimin e 11 milionë eurove në dy vite, posedojnë 10 kompani, kryesisht me shërbime konsulence financiare, ligjore, në fushën e shërbimeve online, informatikës, kibernetikës, teknologjisë dhe madje shit-blerje mjetesh dhe dhënie me qira.
Jo vetëm kaq, por një nga objektivat e regjistruara si aktivitete të kompanive të tyre, Darin Gezdari dhe Arlinda Marku kishin të shënuar edhe shërbimin e “mbrojtjes nga mashtrimet financiare” për klientët e tyre.
Madje një prej kompanive, IBS, Information Business System, rezulton se Gëzdari e ka blerë për 7,6 ml dollarë. Teksa në disa prej kompanive rezulton se i krijonte, i shiste dhe më pas i blinte sërish dhe kjo dyshohet se është edhe skema e pastrimit të parave e zbuluar.
Kurse firmën New Axis Solution, e dyshuara Marku e bleu nga nje italian dhe e shiti më pas te Gëzdari.
Në kompanitë e Gëzdarit jepet detaje sqaruese për shërbimet sipas 7 kompanive që ai posedon, referuar edhe grafikut-foto.
Kompani me objekt konsulencën, marketingun, shërbimet ueb, internet, fushata reklamuese onsite dhe online, media sociale, mirëmbajtje dhe të tjera. Gjithashtu marketing dixhital, tregtim pajisjesh elektronike, teknologji kibernetike, kompjutera. Madje edhe konsulencë kundër rrezikut dhe mashtrimit të mundshëm dhe konsulencë për rritje biznesi. Një tjetër object ka qenë konsulenca për ndërtim, projektime, mirëmbajtje dhe telefoni.
Kurse Arlinda Marku posedon 3 kompani në emër të saj, me objekt konsulencë biznesi dhe financiare, shit-blerje, dhënie me qira të makinave dhe mjeteve të tjera, marketing.
Gjithashtu reklama dhe marrëdhënie me publikun, promovim i eventeve, konsulencë ligjore dhe mbrojtje ndaj mashtrimeve të mundshme.
(Kliko këtë për të lexuar ekstraktin e kompanisë)
Kliko këtu për të lexuar ekstraktin
Kliko këtu për të lexuar ekstraktin
Kliko këtu për të lexuar ekstraktin
Kliko këtu për të lexuar ekstraktin
Kliko këtu për të lexuar ekstraktin