TIRANË- Personazhi i njohur i TikTok, Cllevio u paraqit sot për të dëshmuar në GJKKO në procesin ndaj ish-kreut të bandës së Lushnjës, Laert Haxhiu. Bashkë me Cllevion, ishte thirrur edhe reperi i njohur Noizy, por nuk u paraqit në seancë.

Artistit Rigels Rajku dyshohet se në vitin 2022 iu vendos tritol në lokal, sipas SPAK me urdhër të Haxhiut, pasi reperi i kishte rrahur mikun e tij Cllevio. Ky i fundit në një prononcim para gazetarëve e pranoi lidhjen e miqësisë me Haxhiun, por sa i takon episodit me tritol në lokalin e Noizyt deklaroi se nuk kishte dijeni dhe se për sherrin me Noizyn nuk e ka kërkuar asnjëherë ndihmën e Laert Haxhiut. Kleviol Ahmeti u paraqit në GJKKO me makinë të blinduar dhe shoqërues, duke pretenduar se ka frikë se e eliminon Noizy. 

“Unë s'di asnjë gjë për këtë ngjarje po thjesht po përgatitem për datën 6. Laert Haxhiun e kam shokë të ngushtë. Kam patur konflikte me Noizyn, por s’kam kërkuar ndihmën e Laert Haxhiut. Unë jam palë dëmtuese, siç është ai me tritol unë jam me grushte. Babai i tij vjen dhe thotë që nuk e njoh. Më njeh shumë mirë. Duhet të mbajnë përgjegjësi. Më ka gjuajtur, më çuan të burgu. Unë eci me blinda nga frika e Noizyt. Paguan lek ai me më vra apo s'i di as këto”, tha Cllevio.

Por, ndryshe ka rrëfyer në GJKKO i penduari i drejtësisë Artan Tafani i cili ka deklaruar se nëna dhe motra e Cllevios, i njohur si Kleviol Ahmeti, kishin marrë në telefon Laert Haxhiun pas sherrit me Noizyn dhe i kishin kërkuar ndihmë. Më pas, Haxhiu dyshohet se ka organizuar atentatin me tritol në lokalin e Noizyt në Durrës, “Zins”.

Noizyt i kërkoi që të marrë pjesë në gjyq, duke i bërë thirrje edhe për pajtim, madje me ironi shtoi se ka kërkuar edhe ndihmën e kryeministrit Edi Rama.

Cllevio: Kam pasur një konflikt që e kam pas shajt në mënyrë artistike siç na shante ai ne. Sharje nga ro*t o vëlla.

Gazetarët: A ka ndonjë mundësi pajtimi me Noizyn?

Cllevio: Po si s'ka mundësi pajtimi o vëlla. Unë i kam bërë thirrje dhe kryeministrit me më pajtu se ai e ka atë vetin, por s'mu ka përgjigj

Gazetarët: A ke thirrje për Noizyn?

Cllevio: Kam thirrje që të vij te gjyqi këtu, mos të na shtyjë seancat se unë sa kam filluar me projekte, po dal në jetë se ai ka nja 20 vjet që ha koncerte. E kupton, tani ka ardhur radha ime dhe të vij këtu dëshmoj çka për të dëshmuar, të iki edhe unë në punë time.

Për shkak se në senacë munguan dy avokatë mbrojtës, GJKKO vendosi ta shtyjë për më datë 3 qershor. Ndërsa, Cllevio do të dëshmojë më 10 qershor. Në gjyqin në ngarkim të Laert Haxhiut, më 13 maj, dëshmoi babai i Noizyt, Bashkim Rajku, i cili tha se ende sot, 4 vite më pas, nuk e di arsyen pse i vunë tritol në biznesin familjar.

Laert Haxhiu po gjykohet më vete, për një sërë ngjarjesh kriminale, vrasje, gjobëvënie, vendosje tritoli, pasi u arrestua në Greqi, kur pjesa tjetër e grupit, kishte nisur procesin gjyqësor.

-------------------------------

Sqarim: Çdo person prezumohet i pafajshëm deri sa nuk vërtetohet fajësia e tij me vendim gjyqësor të formës së prerë