Lufta mes bandave shënon dy viktima të radhës në kryeqendrën e Veriut të Shqipërisë. Dy vëllezër, Astrit dhe Ibrahim Bilali, 59 dhe 61 vjeç, u ekzekutuan me breshëri plumbash kur sa po dilnin nga banesa e tyre në lagjen "Kiras". Një atentat i mirëfilltë mafioz. Astrit Bilali eshte babai i Astmer Bilali, i arrestuar si pjesë e grupit "Bajri" në Shkodër, ndërkohë që grupi kundërshtar i tyre janë Licajt. Dyshohet që pikërisht lufta mes këtyre bandave të këtë sjellë viktimat e radhës.

Astrit Bilali ishte një biznesmen i njohur në qytetin e Shkodrës. Kishte në pronësi të tij një resort hipizmi, pasion të cilin ja ka trasëguar edhe djalit të tij, Astmer Bilali. Ndërkohë edhe Ibrahim Bilali është ish-kampion i hipizmit.

Astmer Bilali ish boksier i Vllaznisë, ra në qendër të vëmendjes së mediave kohë më parë kur mbeti i vrarë në një atentat shoku i tij Arjan Ferracaku teksa kalëronte pikërisht në resortin e Astrit Bilalit. Në ngjarjen e rëndë, Astmer Bilali ndodhej me Ferracakun kur ai mbeti i vdekur nga plumbat në distancë, dhe u dyshua se ishte pikërisht Bilali shënjestra e autorëve që ngatërruan objektiv. Të dy ishin duke kalëruar në resortin e hipizmit në pronësi të babait të Astmerit, sot i ekzekutuar në qendër të Shkodrës bashkë me vëllain e tij.

Atentati i dyfishtë ndodhi rreth orës  09:45, në vendin e quajtur "Zooteknika". Policia thotë se autorët janë ende të paidentifikuar, ndërsa menjëherë pas ngjarjes, pak metra larg vendit ku u vranë vëllezërit, në një rrugicë të lagjes, autorët dogjën makinën e krimit me targë AA369RV.

Në ndihmë të Policisë së Shkodrës janë vënë forcat FNSH Shkodër, ku janë ngritur pika kontrolli, si dhe po bëhet krehja në një perimetër të gjerë të zonës me qëllim kapjen e autorëve. 

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 15:11
Edhe ministri Lleshaj shkon në Shkodër pas atentatit

Edhe ministri i Punëve të Brendshme Sandër Lleshaj mbërriti në Shkodër pas atentatit të rëndë ndaj dy vëllezërve Bilali sot në lagjen Kiras. Më herët në Shkodër mbërriti edhe drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Ardi Veliu. Autorët ende nuk janë identifikuar, ndërsa postblloqe të shumta policia janë ngritur në pikat kryesore. 

Ora 14:23
Brahim Bilali i dekoruar nga Presidenti Nishani, ja motivacioni

Më 1 prill të vitit 2015 Presidenti i asaj kohe Bujar Nishani i kishte dhënë dekoratë Brahim Bilalit.

“Dekorata e Artë të Shqiponjës" ju akordua me numër dekreti 9030, me motivacionin: “Në vlerësim të veprimtarisë të spikatur kundër diktaturës dhe shtypjes, si dhe sakrificave të pamohueshme në shërbim të përhapjes së vlerave të lirisë dhe demokracisë”.

Brahim Bilali ishte drejtues i shoqatës "2 Prilli".

Ora 13:59
Ardi Veliu 'i qëndron në kokë' hetimeve për atentatin. Merren në pyetje anëtarë të familjes Lici

Edhe kreu i Policisë së Shtetit Ardi Veliu mbërriti në qytetin e Shkodrës pas atentatit të dyfishtë të vëllezërve Bilali. Së bashku me shefin e Policisë së Shkodrës Vehbi Bushati dhe drejtorin e Policisë Kriminale Tonin Vocaj, Veliu zhvilloi një mbledhje në drejtorinë e policisë për të vënë piketat kryesore në hetimin e kësaj ngjarje dhe zbulimin e autorëve.   

Policia ka kryer kontrolle edhe në shtëpisë e fisit Lici. Mësohet se janë marrë në pyetje pjesëtarë të familjes Lici në lidhje me vrasjen

1553944951_policiatelicajtshkoder.jpg

Policia kontrolle dhe shoqerime ne familjesn Lici
Ora 13:02
Targat e makinës së autorëve, false

Targat e automjetit të përdorur nga autorët, AA 369 RV, dyshohet se janë false. Pasi nga hetimet e deritanishme të policisë, rezulton se ato i përkasin një automjeti tjetër, Volkswagen Polo.

Ora 11:49
Gabimi i autorëve në atentatin e dyfishtë në Shkodër që mund të çojë drejt zbulimit të tyre (FOTO)

Autorët ende të paidentifikuar të atentatit të dyfishtë në Shkodër, të cilët dyshohet të kenë qenë dy persona, pasi vranë vëllezërit Bilali, dogjën makinën e krimit. Automjeti u gjet duke u djegur pak metra larg zonës ku u vranë Brahim dhe Astrit Bilali, në një rrugicë të lagjes "Guerile".

Forcat zjarrfikëse të njoftuara për ngjarjen, bënë të mundur shuarjen e flakëve duke mos lejuar djegien e plotë të makinës. Kjo është një shenjë e mirë për policinë kriminale, e cila mund të gjejë gjurmë të autorëve nga fakti që makina nuk është shkrumbuar.

Djegia e makinave pas krimit është një metodë që përdorin autorët në atentate kriminale për të fshehur gjurmët. Por në këtë rast, makina nuk është djegur plotësisht në brendësi të saj, dhe pritet të shihet nëse do mund të gjendet ndonjë gjurmë sado e vogël që mund të conte në identifikimin e autorëve.

1553943052_MAKINA.jpg

Ora 11:18
Artan Hoxha: Gjithë Shkodra e di se nga cila shtëpi po i ndjekin lajmet në Tv autorët

Gazetari investigativ Artan Hoxha ka bërë një bilanc tragjik të vrasjeve të ndodhura në qytetin e Shkodrës, ku në 8 muaj janë shënuar 11 viktima, së bashku me dy vëllezërit e ekzekutuar sot në lagjen Kiras. Ai kritikon punën e policise duke theksuar se gjithe Shkodra i di vrasesit.

Shkrimi

Kambanat ranë për ata që s'kanë vesh!

Ekzekutohen vëllezërit Brahim dhe Astrit Bilali. Viktimat numër 10 dhe 11 të një seriali vrasjesh që nisi vetëm 8 muaj më parë, më 15 korrik 2018, kur para pallatit ku banonin u ekzekutuan ish-polici Boran Bercana dhe bashkëjetuesja e tij, Silvi Ndoci që mbante në prehër foshnjën e saj.

Kambanat e alarmit ranë për ata që nuk kanë vesh, dhe kur s'ke vesh bilanci dihet...

Kjo e sotmja është thjesht kronika e një vrasje të paralajmëruar...

Policia e Shkodrës, që është kthyer në ndërmarrje funerale, pasi vetëm mbledh kufoma rrugëve të qytetit, deklaron se autorët janë të panjohur dhe kanë ikur në drejtim të paditur...

Vetëm 8 muaj, 11 viktima, asnjë vrasje e zbuluar, asnjë emër autori, asnjë vrasës në burg. Për zinxhirin komandues të policisë së Shkodrës, nëse nuk kujtohet kush tu largojë nga detyra, bëhuni burra jepni dorëheqjen se më keq se kaq nuk ka ku shkon.

Në të vërtetë gjithë Shkodra e di kush janë vrasësit dhe në çfarë drejtimi kanë ikur, madje dhe në çfarë shtëpie janë duke ndjekur lajmet mbi vrasjen në tv.

1553941103_brahititi.jpg

Dy vellezerit Astrit dhe Brahim Bilali
Ora 11:12
Vjen njoftimi i parë i Policisë për atentatin e dyfishtë në Shkodër

Policia e Shkodrës ka dhënë informacionin e parë zyrtar për vrasjen e dyfishtë që tronditi Shkodrën sot.

Informacioni paraprak i policisë

Me datë 30.03.2019, rreth orës 09:45, në lagjen "Guerile" në vendin e quajtur "Zooteknika", nga persona ende të pa identifikuar janë vrarë me armë zjarri shtetasit  A. B. 59 vjeç dhe B. B., 61 vjeç (vëllezër).

Shërbimet e Policisë kanë shkuar menjëherë në vendngjarje dhe janë vënë në ndjekje të autorëve të cilët pas ngjarjes janë larguar me një automjet i cili është gjetur duke u djegur në një rrugicë në brendësi të lagjes ku ka ndodhur ngjarja.

Në ndihmë të Policisë së Shkodrës janë vënë forcat FNSH Shkodër, ku janë ngritur pika kontrolli, si dhe po bëhet krehja në një perimetër të gjerë të zonës me qëllim kapjen e autorëve. 

Gjithashtu nga Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit është nisur një grup i posaçëm me ekspertë dhe drejtues të Policisë Kriminale dhe asaj të Rendit për t'ju bashkuar grupit hetimor të ngritur për zbardhjen e kësaj ngjarje.

Policia e Shkodrës kërkon bashkëpunimin e qytetarëve që çdo informacion sado të vlefshëm që mund të kenë të njoftojnë  në numrin 112 ose në numrin 0 69 410 2147 duke ju garantuar ruajtjen e plotë të  anonimatit.

Ora 11:00
Dy vëllezërit e ekzekutuar sot në Shkodër, ja arsenali i armëve që ju zbulua në 2016-ën (VIDEO)

Në qershor të 2016-ës Astmer Bilali u dyshua si bashkëpunëtor për një plagosje të ndodhur në Shkodër gjatë një vjedhje, pasi u ka siguruar autorëve armët pa leje.

Në atë kohë u arrestua edhe babai i tij, sot i vrarë, Astrit Bilali, 59 vjeç, pasi gjatë kontrollit të ushtruar në banesën e tij u gjetën armatime të cilat i dispononte pa lejen e autoriteteve. U sekuestruan: 1 arme gjahu çifte - 1 pistoletë me mulli pa numër - 1 armë gjahu shotgan - 1 thikë dhe 25 copë fishekë, të cilat i posedonte pa leje.

Po ashtu, u arrestua Brahim Bilali, gjithashtu i ekzekutuar sot në atentat, pasi gjatë kontrollit të ushtruar në banesën e tij u gjetën: - 3 arme zjarri kallashnikov, - 1 silenciator me ngjyrë të zezë. - 1 armë zjarri automatikë e shkurter, me krehër, me silenciator , pa numër - 2 krehëra pistoletë TT dhe 3 krehëra me fishekë automatiku. - 7 kallepë tritoli 200 gram - 1 kuti me kallepë tritoli, - 10 kapsolla detonatore elektrike me përcjellësa dhe 12 kapsolla detonatore pa përcjellësa , - 23 fishekë armë gjahu kalibri 12 mm , - 190 fishekë model 56 kalibri 7.62 mm .

 

Ora 10:50
Brahim Bilali ishte kryetar i Shoqatës '2 Prilli', masakrës së fundit të komunizmit

Brahim Balili ishte kryetar i SHoqatës 2 Prilli në Shkodër. Një person mjaft aktiv në pjesën mediatike, për shkak të reagimeve të shumta që shoqata e drejtuar prej tij kishte në lidhje me situata politike, dhe jo vetëm.

Më 2 prill 1991, ndodhi një ngjarje që tronditi Shkodrën, që njihet ndryshe masakra e fundit e komunizmit në Shqipëri. Në atë kohë mbetën të vrarë edhe 4 dëshmorët e demokracisë: Arben Broci, Nazmi Kryeziu, Besnik Ceka dhe Bujar Bishanaku

 

Ora 10:34
Pasioni i trashëguar brez pas brezi, kush ishte Brahim Bilali, ish-kampioni i vrarë me vëllain e tij (FOTO)

Brahim Bilali ka qenë kampion hipizmi vite më parë. Ka marrë pjesë në kampionate të ndryshme hipizmi, ndërsa pasioni për kalërimin është trashëguar edhe në breza. Vëllai i tij, Astrit Bilali, të cilët mbetën të dy të vrarë teksa dilnin nga shtëpia, ka hapur një resort hipizmi në periferi të Shkodrës.

Ndërkohë, djali i tij, Astmer Bilali, ka qenë kampion boksi. Edhe ai ka trashëguar pasionin për hipizmin. Në shtator të 2018-ës ai ishte duke kalëruar së bashku me Arjan Ferracakun, kur ky i fundit u vra në atentat. Në atë kohë, për shkak të së shkuarës me precedentë penalë të Astmer Bilalit, dyshohet se ishte ai objektiv i atentatit.

Astmer Bilali është emër i njohur sportit në Shkodër. Në vitin 2012 ai ishte boksieri i vetëm nga katër shqiptarët që arriti të kualifikohej në turneun kualifikues të Lojërave Olimpike “Londër 2012”.

 

Ora 10:18
Zbulohen fotot e dy vëllezërve të vrarë në atentat mafioz në Shkodër

 

1553937511_page.jpg

Me kapele, Astrit Bilali, ne krahun tjeter, vellai: Brahimi

Ora 10:14
Gjendet e djegur në periferi të Shkodrës, makina e vrasësve të vëllezërve Bilali (VIDEO)

Njëjtë si në atentate të tjera mafioze, autorët janë larguar nga vendi i ngjarjes me makinë, dhe disa kilometra më larg, i kanë vënë flakën makinës së arratisë, duke u larguar më tej me një tjetër automjet.

Makina u gjet e djegur në zonën e Livadhit.

Ora 10:10
Dy vëllezërit BIlali u vranë në derën e shtëpisë

Report Tv mëson se Astrit dhe Brahim janë qëlluar me armë zjarri në derën e shtëpisë së tyre, në lagjen Kiras të qytetit të Shkodrës. Një atentat i mirëfilltë mafioz. Ndaj tyre janë zbrazur më shumë se 10 plumba ndërsa grupi i ekspertizës në vendin e ngjarjes pritet të saktësojë se me cfarë arme janë qëlluar dy vëllezërit dhe sa plumba janë zbrazur saktësisht ndaj tyre. 

Autorët kanë studiuar shumë mirë lëvizjet, dhe kanë pritur që dy vëllezërit të dalin nga banesa. Aty i kanë qëlluar me armë duke i lënë të vdekur në vend.