Sot është dita e dytë e deklaratave përmbyllëse në rastin kundër ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) në Gjykatën Speciale me seli në Hagë

Teksa gjyqi është duke u mbajtur mediat në Kosovë kanë risjellë në vëmendje kur Gjykata Ndërkombëtare për Krime Lufte për ish-Jugosllavinë shpalli të pafajshëm Ramush Haradinajn më 29 nëntor 2012 në Hagë.

“Për arsyet e përmbledhura më lart ky trup gjykues pasi ka shqyrtuar të gjitha provat dhe argumentet e palëve, statutin dhe rregullat bazuar në gjetjet faktike dhe ligjore siç janë përcaktuar në aktgjykim, trupi gjykues ju shpall të pafajshëm ju Zoti Haradinaj dhe ju liron nga të gjitha akuzat”, shprehet ndër të tjera gjykatësi që dha vendimin në atë kohë.

Gjyqtari deklaroi në atë kohë se nuk kishte prova që Haradinaj dhe dy bashkëpunëtorët e tij, Lahi Brahimaj dhe Idriz Balaj të kishin marrë pjesë në plane kriminale për keqtrajtimin e serbëve.

“Përkundrazi provat përcaktojnë se kur flitet pë keqtrajtim ndaj personave, Haradinaj ka kërkuar që gjëra të tilla të mos ndodhnin pasi dëmtohet kauza”- tha gjyqtari kryesues Bakone Justice Moloto.

*Theksojmë se Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi po gjykohen nga një gjykatë tjetër të quajtur Dhomat e Specializuara të Kosovës.

Dhomat e Specializuara dhe Zyra e Prokurorit të Specializuar u themeluan në vitin 2015 nga Kuvendi i Kosovës, dhe janë pjesë e sistemit gjyqësor të Kosovës, por veprojnë me personel ndërkombëtar në Holandë.

Gjykata Speciale heton krimet e pretenduara të pjesëtarëve të UÇK-së, të kryera kundër pakicave etnike dhe rivalëve politikë që nga janari i vitit 1998 deri në dhjetor të vitit 2000.