Java e Europës nisi sot në Berat me një aktivitet të organizuar nga Ministria e Integrimit Europian. Në këtë aktivitet morën pjesë, ministrja e Integrimit Europian, Klajda Gjosha, zv/ministrja e Arsimit, Nora Malaj, përfaqësues të Federatës Shqiptare të Shahut dhe përfaqësuese të grave artizane.
Këto të fundit organizuan Panairin e hapur me produkte artizanale shqiptare në rrugën pedonale në qendër të qytetit.
Rreth 1000 të rinj të qytetit, zhvilluan për disa orë simultanet e shahut, ku të pranishëm ishin edhe Mjeshtrat Ndërkombëtarë. Fatos Muçaj e Ilir Seitaj, si dhe Mjeshtri beratas, Leonard Kolani. Nxënës të shkollave të mesme të qytetit kishin ekspozuar pikturat e tyre përgjatë rrugës.
"Këtë vit vendosëm që sloganin e kësaj jave që përcjell mesazhe të rëndësishme ta kemi "Unë jam Europian". Ky slogan identifikon secilin nga ne, identifikon të rinjtë shqiptarë, të rinjtë Beratas, të cilët duan të shohin Shqipërinë sa më shpejt pjesë të Europës së Bashkuar", tha ministrja e Integrimit Europian, Klajda Gjosha.
Gjosha falenderoi Ministrinë e Arsimit dhe Sportit, për të gjitha nismat që afrojnë të rinjtë me sportet, duke e cilësuar krijimin e një kulture të re lidhur me sportin, prioritet të qeverisë. "Jam surprizuar vërtet këtu në Berat, sinqerisht, pasi nuk ma kishte marrë mendja që vërtet kishte kaq shumë djem dhe vajza që e duan shahun. Kjo duhet t'ju bëjë të ndjeheni krenarë dhe për më tepër t'ju nxisë që shahun dhe çdo lloj sporti tjetër ta keni zgjedhjen e parë pas shkollimit", tha ministrja Gjosha.
"Berati, ky qytet vlerash unike e një kulture qindra vjeçare që mbrohet nga UNESCO, është krenari për Shqipërinë. Vendi ynë ka vuajtur jo pak problemet me imazhin dhe duhet të jemi ne të gjithë që duke promovuar vlerat tona, atë çka kemi më të mirë, ta ndryshojmë këtë imazh, ta përmirësojmë atë ditë pas dite. Pasi Shqipëria ka shumë për të ofruar më traditën e saj", tha ministrja Gjosha.
Zv/ministrja e Arsimit dhe Sportit, Nora Malaj, theksoi se këto aktivitet masive me pjesëmarrjen e të rinjve, përveç faktit të kurrikulave, programeve që janë mbështetur mbi bazën e kornizës evropiane, më këtë pjesëmarrje masive të të rinjve , bëhet promovimi real i një prej projekteve më të rëndësishme të Ministrisë së Arsimit. Sipas saj, bëhet fjalë për projektin që fut lojën e shahut, në 60 shkolla pilot, si pjesë e kulturës së integrimit të sistemit të sporteve pranë institucioneve të arsimit, duke treguar se shkolla si qendër komunitare është vlerë reale e shoqërisë.
"Berati është një nga qytetet që tregon se Shqipëria është pjesë e Europës që mijëra vjet më parë më kulturën dhe traditën e saj. Ndaj unë besoj se ne të gjithë së bashku sot mund ta realizojmë procesin e integrimit si një proces vendimmarrës", tha Malaj.
Pas aktivitetit në qendër të qytetit, ministrja e Integrimit Europian dhe zv/ministrja e Arsimit  morën pjesë edhe në një shfaqje të organizuar nga komuniteti rom i këtij qyteti, me mbështetjen e UNICEF. Kjo shfaqje përcolli mesazhin për rëndësinë e integrimit të këtij komuniteti në shkolla.
Ministrja Gjosha theksoi se e drejta për t'u arsimuar është e drejtë e çdo fëmije, ndërsa krijimi i kushteve për këtë komunitet, për të pasur një jetë më të mirë, për tu ofruar fëmijëve dije, është edhe një nga 5 prioritetet që Shqipërisë i janë lënë për të avancuar me procesin e integrimit në Bashkimin Europian.
Zv/ministrja e Arsimit nënvizoi se MAS, duke e cilësuar si prioritar integrimin e komuniteti rom, veçanërisht fëmijëve në shkolla, e ka shtrirë këtë iniciativë në të gjithë vendin, për t'i afruar sa më shumë të vegjlit me dijen, si një detyrim madhor që i shërben të ardhmes së vendit. /atsh/