TIRANE- Gjatë konferencës “Së bashku drejt BE-së”, e organizuar nga Ambasada e Republikës Federale të Gjermanisë në Tiranë, ka marrë pjesë dhe Ministri i Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, Erion Veliaj. Ky i fundit gjatë fjalës së tij është ndalur në arsimin profesional në vendin tonë. Në suksesin e arritur për promovimin e këtij lloji arsimimi, sipas Veliaj, është ndjekur modeli gjerman i bashkëpunimit me biznesin.
 
“Por, pyetja është kjo: një zanat çfarëdo apo zanate që i kërkon tregu i punës? Ne kemi gjetur shkolla ku njerëzit mësonin ende se si ndërtoheshin autotraktorët. Kjo është arsyeja pse kësaj here hapëm disa shkolla të reja aty ku zyrat e punës po na jepnin sinjale që kishte ofertë për punë.

Për herë të parë kemi ndryshuar qasjen: nuk është më privati që i bie mbrapa shtetit për të trajnuar njerëzit, por është shteti që i bie mbrapa tregut privat duke i kërkuar se çfarë mund të trajnojmë në bazë të nevojave që ka tregu i punës”- theksoi Ministri Veliaj ndërsa shtoi se këtë vit në shkollat profesionale janë regjistruar 6 mijë nxënës, gjë që e konsideroi si një sukses për arsimin profesional në Shqipëri dhe si rikthim i besimit të publikut tek kjo formë arsimimi.

Pasi bëri me dije personat prezent në konferencë mbi hapjen e një  kursi profesional në Bulqizë për ata që punojnë në industrinë e minierave dhe të një shkollë të teknologjisë së informacionit në Tiranë, Veliaj gjithashtu rrëfeu se frymëzimin për arsimin profesional e ka marrë nga sistemi gjerman.

“Kemi bërë edhe disa ndryshime të frymëzuara nga sistemi dual gjerman: së pari, të gjitha bordet e shkollave profesionale tashmë drejtohen nga biznesi, ku biznesi është aty jo vetëm për ndryshimet në kurrikula, por edhe të sigurohet nxënësit ta kalojnë 30% të kohës së tyre pranë një biznesi”- tha gjatë fjalës së tij Ministri i Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, Erion Veliaj.

Redaksia Online
(e.n/Shqiptarja. com)