LUSHNJË - Ministri i Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, Erion Veliaj, zhvilloi sot në Lushnje një takim me ish të përndjekur politikë, për t’iu shpjeguar skemën e re të dëmshpërblimit sipas ligjit të ri. Që në krye të fjalës së tij, Veliaj u bëri thirrje ish të burgosurve që përfitojnë nga skema e re, të paraqiten pranë Ministrisë së Financave për të dorëzuar certifikatën dhe numrin e llogarisë bankare.
 
“Për vitin tjetër, fondin për dëmshpërblimin e ish të përndjekurve e kemi rritur me 11 për qind; nga 18 milion dollarë që ishte këtë vit, në 20 milion dollarë, dhe kjo jo për efekt elektoral, por sepse është diçka e drejtë. Gjithashtu, jo vetëm që kemi rritur fondin, por po shpejtojmë me disbursimin e kësteve, sidomos për ata ish të burgosur që jetojnë”,- deklaroi ministri Veliaj gjatë takimit.
 
Sipas tij, deri tani, në një vit qeverisje, është mbyllur procesi i dhënies së këstit të dytë dhe shumë shpejt do të fillojë shpërndarja e këstit të tretë. “Me shpresë, brenda dhjetorit, do të nisim edhe pagesën e këstit të katërt, si një mënyrë për të thënë se aty ku qeveria tregon vullnet, gjen edhe një rrugëzgjidhje”, tha ai.
 
Veliaj më tej u bëri thirrje të gjithë përfituesve nga ligji që të paraqesin sa më shpejt dokumentet e nevojshme për të marrë këstin e tretë, shpërndarja e të cilit do të nisë brenda muajit nëntor. “Shqipërisë i shërbyen të gjithë; edhe ata që ishin në punë të detyruar, edhe ata që ishin në internim apo në burgje. Por, vullneti për integrimin e ish të përndjekurve është një përpjekje për të treguar fytyrën e plotë dhe të vërtetë të Shqipërisë”,-nënvizoi ministri ai.
 
Deri tani, pranë Ministrisë së Financave i kanë dorëzuar certifikatat dhe numrin e llogarive bankare rreth 1400 ish të burgosur politikë, nga 2400 gjithsej, të cilët përfitojnë sipas kritereve të reja të ligjit për dëmshpërblimin e ish të përndjekurve politikë.
 
Redaksia Online
(a.h/shqiptarja.com)