Vendimi, si do të legalizohen
pallatet pa leje dhe katet shtesë

Nëse keni blerë një shtëpi me kontratë sipërmarrjeje dhe nuk keni hipotekë për shkak se ndërtuesi ka detyrime ndaj shtetit, tashmë nuk do të jetë më problem. Qeveria shqiptare vendosi dje të zgjerojë akoma më shumë kategorinë e përfituesve nga procesi i legalizimit.

Këshilli i Ministrave miratoi dje vendimin  i cili lejon legalizimin e pallateve pa leje, apo me kate shtesë, duke përfshirë kështu shtesat anësore apo ato në lartësi. Ky vendim që pritet të gëzojë shumë ndërtues pallatesh pa leje, apo individësh që kanë blerë apartamente pa leje ndërtimi e rrjedhimisht pa hipotekë.

Në këtë rast, qeveria nuk ka vendosur të falë detyrimet e ndërtuesve të cilët thotë se do t’i mbledhë me mekanizma të tjerë, por këto detyrime nuk do të pengojnë blerësit e banesave t’i legalizojnë ato. Ky proces do të bëhet falas për banorët.

Burimet e Shqiptarja.com bëjnë me dije se në mbledhjen e qeverisë, sikundërse ishte bërë më parë përmes shkresave, Ministri i Drejtësisë Ylli Manjani është shprehur kundër lojës me borxhet. Ai rendit disa arsye: nga përplasja e kompetencave të ALUIZNI-t me pushtetin vendor e deri tek mbartja e borxheve. Shqiptarja.com sjell vendimin e plotë që i ndihmon të interesuarit për procedurën e legalizimit në rastet e tilla.

Vendimi i plotë
I.   LEGALIZIMI NË FAVOR TË POSEDUESVE TË OBJEKTEVE ME SHKELJE  TË LEJES SË NDËRTIMIT
1.Procedurat e legalizimit të objektit me shkelje të lejes së ndërtimit kryhen në favor të poseduesve (si porositës, apo pronarë trualli, sipas kontratave të porosisë/ sipërmarrjes, ose aktmarrëveshjes) në rastet e mëposhtme:
a)Subjekti ndërtues/investitori është në kushtet e nenit 99 (ose 187) të ligjit nr.9901 datë 14.04.2008 "Për shoqëritë tregtare" të ndryshuar; ose
b)Subjekti ndërtues/investitori nuk dorëzon brenda 30 ditësh nga data e njoftimit, dokumentacionin e kërkuar zyrtarisht nga ALUIZNI sipas ligjit nr.9482 date 03.04.2006. Këtu përfshihet dhe rasti kur subjekti rezulton me  veprimtari  të pezulluar prej të paktën 1 viti, sipas informacionit të administruar nga Qendra  Kombëtare  e Biznesit.

2.Kur plotësohen kushtet e pikës 1 të këtij vendimi, drejtoritë e ALUIZNI-t vijojnë legalizimin në favor të    poseduesve të apartamenteve, ose ambienteve me funksion social-ekonomik, në vijim të quajtura "njësi individuale", sipas rregullave dhe procedurave të parashikuara në këtë vendim.

3.Drejtoritë e varësisë të ALUIZNI-t, pas kryerjes së  procedurave  të evidentimit në terren, hartojnë  listat  e  ndërtimeve  të  ngritura  nga  subjektet  që  gjenden  në  kushtet  e  pikës  1 të  këtij  vendimi,  si dhe  listën  e  poseduesve të njësive individuale dhe i afishojnë ato në faqen zyrtare të ALUIZNI-t, në ambientet  e  drejtorive  dhe  të objekteve që do t'i  nënshtrohen procesit të legalizimit, si dhe pranë njësive të qeverisjes  vendore.

4.Legalizimi dhe regjistrimi për objektet që trajtohen sipas këtij kreu, në varësi të gjendjes ligjore, kryhet në dy faza:
a)Miratimi i lejes së legalizimit për objektin kryesor (sipas projektit të  miratuar nga  organi  kompetent)  së  bashku  me  shtesat anësore dhe/ose në lartësi të realizuara dhe të deklaruara nga subjekti ndërtues dhe regjistrimi i tyre në ZVRPP në emër të  ALUIZNI-t, duke u përjashtuar nga taksat  dhe  tarifat e shërbimit.
b)   Miratimi i lejes së legalizimit për shtesat anësore dhe/ose në lartësi të realizuara dhe të deklaruara  nga vetë subjektet poseduese.

5.U nënshtrohen kritereve kualifikuese të parashikuara në VKM nr.280, date 01.04.2015 "Për përcaktimin e kritereve, procedurave e dokumentacionit të zbatueshëm për të kualifikuar ndërtimet pa leje, shtesat anësore dhe/ose në lartësi, në ndërtime me leje", vetëm shtesat në tejkalim të lejes së ndërtimit. Nëse shtesa gjendet në kushtet e përjashtimit nga legalizimi, legalizohet dhe regjistrohet vetëm objekti  kryesor.

6.   Poseduesit e njësive individuale duhet të dorëzojnë dokumentacionin që provon marrëdhënien juridiko-civile me subjektin ndërtues/investitor. Pas procedurave sipas pikës 4, germa a), e këtij vendimi, drejtoria e ALUIZNI-t miraton lejet e legalizimit për njësitë individuale, në favor të poseduesve, sipas dokumentacionit të sipërpërmendur.
7.   Kur për të njëjtën njësi individuale ka pretendime  nga  dy  apo  më  shumë persona, mosmarrëveshja zgjidhet nga gjykata. Procedurat  e  legalizimit  në këtë  rast  pezullohen, me paraqitjen e vërtetimit gjyqësor nga pala e interesuar, apo me vendim gjyqësor për vendosjen e masës së sigurimit  të  padisë. Këto procedura rinisin  në  përputhje  me  dispozitivin  e  vendimit gjyqësor të  formës së  prerë,  të dorëzuar  nga  subjekti  i interesuar.
****
11. Penalitetet  sipas  nenit  43  të  ligjit  nr.9482, datë  3.4.2006 "Për legalizimin, urbanizimin dhe integrimin e ndërtimeve pa leje" i ndryshuar, mbarten nga subjekti  ndërtues/investitor  dhe   nuk   pengojnë  legalizimin në favor të poseduesve, sipas këtij kreu. Ato llogariten nga drejtoria e ALUIZNI-t dhe i njoftohen Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve. Nëse subjekti është duke iu  nënshtruar  procedurave  të  falimentit,  ato  i njoftohen edhe personit të ngarkuar me likuidimin e shoqërisë tregtare dhe Agjencisë së Mbikëqyrjes së Falimentit.

II.  LEGALIZIMI NË EMËR TË SUBJEKTIT NDËRTUES/INVESTITOR
13.  Për objektet me shkelje të lejes së ndërtimit, që nuk trajtohen sipas kreut i të këtij vendimi, leja e  legalizimit  miratohet  për  subjektin ndërtues/investitor që rezulton  i tillë nga leja e ndërtimit, apo për subjektin  të cilit i janë njohur të drejta mbi  ndërtimin, nëpërmjet:
a)   veprimeve juridiko-civile (kontrata, akte noteriale) për kalimin e të drejtave mbi investimin/ndërtesën, nga investitori/ndërtuesi tek një subjekt tjetër;
b)   vendimit gjyqësor të formës së prerë.

14.  Legalizimi nuk pengohet nga detyrimet tatimore që kanë palët si rezultat i veprimeve të kryera më parë për kalimin e të drejtave mbi  objektin,  dhe as nuk i shuan  këto detyrime. Në zbatim të kësaj pike ALUIZNI, në momentin e dërgimit të lejes së legalizimit për regjistrim  pranë ZVRPP, përcjell kopje të dokumentacionit të praktikës, pranë drejtorisë rajonale tatimore, për vlerësimin e detyrimeve përkatëse.

15.  Rregullat e përcaktuara në pikat 4 dhe 5 të këtij vendimi, zbatohen edhe për objektet që legalizohen sipas këtij kreu.

Ill. LEGALIZIMI I OBJEKTEVE SHUMËKATËSHE PA LEJE NDËRTIMI, TË DESTINUARA PËR KALIM PRONËSIE APO QERADHËNIE
16.  Evidentimi i objekteve shumëkatëshe (mbi 5 kate), të ngritura pa leje ndërtimi të organeve kompetente, për qëllim shitblerje apo qiradhënie të njësive individuale të banimit apo shërbimit, kryhet nga drejtoritë e ALUIZNI-t, nëpërmjet bashkërendimit dhe shkëmbimit të informacionit me njësitë e qeverisjes vendore si dhe nëpërmjet procedurave të evidentimit në terren.

17.  Subjekti ndërtues/investitori që ka ngritur objektin shumëkatësh pa leje të organeve kompetente, me qëllim shitblerjen dhe/ose qiradhënien, paguan pranë njësisë së qeverisjes vendore, taksën e ndikimit në infrastrukturë sipas pikës 2 të nenit 27 të ligjit nr.9632, datë 30.10.2006 "Për sistemin e taksave vendore" i ndryshuar.

18.  Kur aplikues për legalizim janë banorët/poseduesit e njësive individuale të ndërtimit shumëkatësh, procedurat administrative ndiqen nga ALUIZNI në favor të tyre. Në këtë rast, taksa e ndikimit në infrastrukturë paguhet sipas pikës 2/1 të nenit 27 të ligjit nr.9632, datë 30.10.2006 "Për sistemin e taksave vendore" i ndryshuar.


dy.b/shqiptarja.com

/Shqiptarja.com
  • Sondazhi i ditës: 13 Janar, 10:25

    Nisi regjistrimi, a do të marrë pjesë masivisht në zgjedhje diaspora?



×

Lajmi i fundit

Tiranë, arrestohet turku, akuzohet se përmes mashtrimit mori 1 mln € nga karta e kreditit një personi (EMRI)

Tiranë, arrestohet turku, akuzohet se përmes mashtrimit mori 1 mln € nga karta e kreditit një personi (EMRI)