Vendi do t’i drejtohet kutive të votimit për zgjedhjet vendore në vetëm 6 muaj, por në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve ngrenë alarmin. Pas reformës territoriale që uli numrin e bashkive në 46 dhe shtoi edhe konceptin e qytet si njësi vendore e veçantë, për kryekomisionerin Celibashi kërkon ndryshime urgjente në Kodin Zgjedhor. Në një konferencë me gazetarët, ai thotë se në Kod aktualisht nuk ekzistojnë dispozitat që rregullojnë se si do të zgjidhen anëtarët e Këshillave Bashkiake me përfaqësimin që do të kenë qytetet.

“Miratimi i ligjit të ri për ndarjen administrativo-territoriale, për aq sa ne kemi parë, çmojmë se kërkon harmonizim të dispozitave të Kodit Zgjedhor me organizimin e ri territorial. Duhet të rishikohen dispozitat që kanë të bëjnë me mënyrën e zgjedhjes së anëtarëve të këshillit, kriteret për përcaktimin e numrit, strukturën e përfaqësimit të njësive të ndryshme territoriale brenda një njësie vendore. Këto ndryshime do të duhej të kishin shkuar bashkë me hartën territoriale”, tha Celibashi.

Celibashi thotë se fundi i këtij viti është afati maksimal për të sanksionuar këto rregulla, ose në të kundërt zgjedhjet e 9 majit vihen seriozisht në pikëpyetje.

“Këto ndryshime do të duhej të kishin shkuar bashkë me hartën territoriale. Nëse këto ndryshime shkojnë përtej fundit të këtij viti, jo vetëm nga pikëpamja praktike do të krijohet problem për KQZ-në, por mund të lindin edhe probleme të karakterit ligjor. Duhet të angazhohen në mënyrë urgjente për të adresuar ndryshimet e Kodit Zgjedhor”, tha Celibashi.

KQZ ka propozuar më herët që votimi dhe numërimi elektronik të shtrihet në 3 ose 4 bashki të mëdha në zgjedhjet e 9 majit, por kundër ka dalë Partia Demokratike. Celibashi tha se do të respektohet vendimi i PD-së

“Ne kemi dashur dhe duam që kjo mënyrë të shtrihet sa më gjerë edhe në këto zgjedhje. PD është partia kryesore e opozitës dhe është fakt që s’mund ta injorojmë qëndrimin e saj në lidhje me këtë çështje. Shkaqet dhe pretendimet e PD-së në lidhje me sigurinë e këtij sistemi nuk qëndrojnë. Mazhoranca duhet të angazhohet në një komunikim me PD-në dhe partitë e tjera dhe do të ishte mirë të kishte konsensus”, vijoi Celibashi.

Edhe inteligjenca artificiale do të përdoret në zgjedhjet lokale të 9 majit.

“Do ta testojmë inteligjencën artificiale në numërimin e votave në dy KZAZ, një në Tiranë një në një Bashki të vogël”, tha Celibashi. 

Në zgjedhjet vendore të majit 2023, votimi dhe numërimi elektronik u përdorën në 401 qendra votimi në bashkitë Elbasan, Kamëz dhe Vorë, duke përfshirë 310,846 zgjedhës të regjistruar dhe rreth 8 për qind të të gjitha qendrave të votimit në vend.

 

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 13:04
Celibashi: Pretendimet e PD-së për sigurinë e votimit elektronik nuk qëndrojnë, mazhoranca të gjejë konsensus me opozitën (VIDEO)

 

Kreu i KQZ-së, Ilirjan Celibashi, tha se pretendimet e PD-së për sigurinë e votimit elektronik nuk qëndrojnë, por qëndrimi i partisë kryesore të opozitës nuk mund të injorohet. Ai kërkoi që mazhoranca të komunikojë me demokratët dhe partitë e tjera për të arritur konsensus për shtrirjen e këtij procesi në sa më shumë bashki.

“Pikëpamja jonë në lidhje me votimin dhe numërimin elektronik është e pandryshuar. Ne kemi dashur dhe duam që kjo mënyrë të shtrihet sa më gjerë edhe në këto zgjedhje. PD është partia kryesore e opozitës dhe, përtej komenteve që mund të bëjë çdokush në lidhje me këtë që do të them, është fakt që s’mund ta injorojmë qëndrimin e saj në lidhje me këtë çështje. Edhe pse shkaqet për të cilat kjo parti e kundërshton nuk qëndrojnë. Por ata janë në lirinë e tyre për të mbajtur qëndrim për këtë çështje.

KQZ-ja nuk është palë as me PD-në, as me partitë e tjera për këtë çështje. Kjo është çështje e vetë partive politike. Mazhoranca duhet të angazhohet në një komunikim me PD-në dhe partitë e tjera dhe do të ishte mirë të kishte konsensus. Nëse nuk ka, për ne mbetet e vështirë të marrim një vendim që kënaq interesat vetëm të njërës anë dhe shkon në kundërshtim të plotë me interesat e palës tjetër.

Shkaqet dhe pretendimet e PD-së në lidhje me sigurinë e këtij sistemi nuk qëndrojnë. Për ne do të ishte me dobi dhe duam të punojmë që votimi dhe numërimi elektronik të shtrihen në sa më shumë bashki. Partitë të gjejnë konsensus. Nuk duam të përfshihemi”, tha Celibashi.

Sa e vlerësoni këtë artikull?
★ ★ ★ ★ ★

Komente

Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës: 3 Nëntor, 11:50

    Cilin mbështesni në përplasjen politike që u hap?