Venecia, heshtja e opozitës dhe Metës flet më shumë se 1 mijë fjalë

Venecia, heshtja e opozitës dhe Metës flet më shumë se 1 mijë fjalë

Ka më shumë se 12 orë që është publikuar opinioni i Komisionit të Venecias dhe ende nuk ka pasur asnjë reagim nga Presidenti Ilir Meta, krerë të opozitës dhe qarqet mediatike e rrjetet sociale janë të heshtura. Përse?!

Duket qartë se nuk i ka ngjitur shumë opozitës, Opinioni i djeshëm i Komisionit të Venecias, mbi ndryshimet kushtetuese dhe ata në Kod që u kryen në Kuvend nga mazhoranca dhe opozita parlamentare.

Ishte vetë Lulzim Basha që kërkoi nga Presidenti të çojë një kërkesë në Venecia për të shqyrtuar Kodin e ndryshuar dy muaj më parë, këshillë që Meta e respektoi menjëherë.

Duke kërkuar që të pezullohet madje çdo veprim për të përgatitur zgjedhjet e 25 Prillit nga vetë ai të dekretuara. Edhe pse Presidenti i Komisionit të Venecias, Gianni Buquicchio, deklaroi se çështja mund të vonohet, gjithsesi Meta kërkoi që të pezullohet çdo përgatitje zgjedhjesh.

Dhe erdhëm dje kur Opinioni i Komisionit të Venecias u publikua, dhe në këtë kënd të zhurmshëm të opinionit publik ka rënë heshtja, përse? Sepse duket qartë se ky opinion nuk është ajo çfarë opozita priste, ose më mirë të themi, priste një lloj opinioni ku siç dhe radhët e tjera të ishte ambige, pra dy kuptimshme për koalicionet.

E në fakt, Komisioni i Venecias në mënyrë të qartë bën të ditur në opinion se çështja sesi lidhen koalicionet nuk kanë fare të bëjnë me të drejtën e zgjedhësve për të zgjedhur atë subjekt politik që ata duan.

Komisioni i Venecias shprehet se “nuk ka gjasa që kjo të çojë në ndryshime në shpërndarjen e një numri të madh mandatesh. Sidoqoftë, në një garë të ngushtë elektorale, ndryshime të tilla mund të jenë vendimtare për marrjen e shumicës së vendeve në Parlament”.

Në thelb, Komisioni i Venecias ka sjellë edhe precedentin e zgjedhjeve të vitit 2007 ku nuk pati koalicione mes partive dhe në fund nuk pati asnjë penalitet për LSI-në si parti e tretë, e cila madje mori më shumë deputetë se në 2013-n.

Që do të thotë se përcaktimi i koalicioneve mund të modelohet në një apo në tjetër mënyrë, por në fund votuesit nuk ndikohen apo nuk preken të drejtat thelbësore. Nga ana tjetër, Venecia ka goditur jo pak edhe mazhorancën, e cila kas 5 korrikut ndërmori ndryshimet kushtetuese me opozitën parlamentare në metodën “blitz”.

Sipas Venecias, çka në fakt duhet të jetë gjithmonë standard, ndryshimet kushtetuese nuk duhet të kryhen me shpejtësi por si pjesë e një konsultimi të gjerë të shoqërisë dhe politikës. Ndërkaq, Venecia ka qenë kundër në mënyrë të qartë për mundësinë që i është dhënë në Kod kryetarëve të partive të kandidojnë në më shumë se 1 qark, ndaj kanë kërkuar që kjo të kufizohet gjithnjë e më shumë.

Dhe për këtë ka një rekomandim të qartë së bashku me ODIHR: “Të hiqet mundësia që liderët e partive politike të garojnë në disa zonat elektorale”. Ndërkaq, në një nga rekomandimet që Venecia ka rekomanduar që shërbejnë si një kërkesë standard, është që partitë e vogla në koalicion të mos “bullizohen” nga partitë e mëdha.

“Të respektojë të drejtat e barabarta për të gjitha palët në një koalicion për të apeluar veprimet dhe vendimet e koalicioni”, thekson Venecia në rekomandimet që duhen bërë si ndryshim pas zgjedhjeve. Thjesht rekomandimet e Venecias tregojnë se çfarë duhet të jenë rregullat e palëve para 25 prillit dhe pas tyre.

Rekomandimet

Komisioni i Venecias dhe ODIHR bëjnë rekomandimet kryesore vijuese që duhen ndjekur para zgjedhjeve parlamentare të Prillit 2021:

Të gjitha autoritetet të hyjnë në një dialog konstruktiv dhe të bëjnë çmos për të zbatuar ligjin zgjedhor në kohë; ato duhet të fillojnë sa më shpejt të jetë e mundur, dhe në një mënyrë transparente, për të sqaruar ndikimin e ndryshimeve, dhe administratës zgjedhore duhet t’i sigurohen mjetet e mjaftueshme për t’i zbatuar ato;

Të shmanget çdo ndryshim i mëtejshëm i legjislacionit zgjedhor përpara zgjedhjeve të ardhshme parlamentare; në veçanti, caktimi i kufijve të zonave elektorale nuk duhet të ndryshohet;

Liderët e partive politike të përmbahen nga të qenit kandidatë në disa zona elektorale;

Të sqarohet ndikimi i ndryshimeve në lidhje me koalicionet lidhur me nenin 96 të Kushtetutës për emërimin e Kryeministrit.

Komisioni i Venecias dhe ODIHR rekomandojnë, që pas zgjedhjeve parlamentare të vitit 2021:

Të hiqet mundësia që liderët e partive politike të garojnë në disa zonat elektorale;

Të respektojë të drejtat e barabarta për të gjitha palët në një koalicion për të apeluar veprimet dhe vendimet e koalicioni;

Të prezantohet mundësia që kandidatët individualë të paraqesin ankesa ndaj ndarjes së mandateve brenda një liste;

Të sqarohet përkufizimi i pragut për zgjedhjet lokale në kuptimin që ai zbatohet në nivel lokal, nëse është e nevojshme përmes një rregulloreje;

Të rishikojë nenin 67 (4) të Kodit Zgjedhor në mënyrë që të zvogëlohet numri minimal i kandidatëve për tu paraqitur në listë; Të konsiderohet që të bëhet një përjashtim nga pragu kombëtar 1% për pakicat kombëtare. Të vazhdojë adresimin e rekomandimeve të ODIHR-it lidhur me zgjedhjet.

E pikërisht kjo fraza e fundit është edhe shuplaka më e madhe që godet edhe hipokrizinë e palëve, në këtë rast të opozitës për standardin e zgjedhjeve, në lidhje me 5 korrikun. Pasi Opozita negocioi një marrëveshje për zgjedhjet e 2021 duke mos zbatuar rekomandimin e ODIHR për një administratë apolitike të zgjedhjeve, çka përbën edhe shtyllën e këtyre rekomandimeve. Duke kthyer sërish komisionet e “bandave” partiake të numëruesve të fortë.

I.K/a.m./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • beni beni: 03/12/2020 16:47

    ashtu ylli te lumte, me opoziten merruni lejeni rehat ramen. po rama pse nuk ka fole, apo i rruhet shume per sekretin hahaha

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

5 këshilla si të shtroni tryezën për Krishtlindje

5 këshilla si të shtroni tryezën për Krishtlindje