Ndonëse tani Sali Berisha dhe besnikët e tij thonë se ishte Shqipëria ajo që ia siguroi Edi Ramës “biletën” për në SHBA, ku sot mori pjesë në takimin e Bordit të Paqes krah Donald Trump, vetëm pak javë më parë opozita e akuzonte kreun e Qeverisë, se kryeministri Rama nuk e kalon dot oqeanin.
Madje, shkuan deri në skenarë të atillë sipas të cilëve, pas arrestimit të presidentit të Venezuelës, Nicolas Maduro, radhën do e kishte Edi Rama.
“Me ushkurë nëpër duar, vetëm thoshte diktatori venezuelan. Nga viti 2013 në pushtet, 4 mandate, vate #Maduro me gjithë grua. Tani e ka Edi Ramaduro”, shkruante Flamur Noka më 3 janar, akuza të cilat u përforcuan edhe gjatë një debati të gjatë parlamentare në Kuvend më 22 janar, kur u miratua me votat e opozitës dhe mazhorancës marrëveshja për aderimin e Shqipërisë në Bordin e Paqes.
Postimi i Flamur Nokës ku deklaronte se Rama do arrestohej si Maduro
Në të njëjtën ditë që Kuvendi i jepte dritën jeshile marrëveshjes, presidentja Vjosa Osmani ishte në Davos ku firmosi marrëveshjen dhe shtrëngoi duart me Donald Trump. Por, ky moment ngjalli jo pak debate arenën politike shqiptare. Opozita në bllok akuzoi kryeministrin Edi Rama, i cili ishte edhe vetë i pranishëm në seancë plenare, se nuk mund të shkojë në SHBA dhe se ishte i padëshiruar nga presidenti Donald Trump.
Madje, kreu i grupit të PD, Gazment Bardhi “valëviste” edhe një foto të Trump me Osmanin si “triumf” të akuzave të tyre, ndërsa ngrinte pyetjen: “Pse sot kur liderët botërorë diskutojnë për paqen në Davos, Rama zgjedh të jetë këtu si avokati i Veliajt, i Ergys Agasit dhe Balluku?”.

Gazment Bardhi në senacën e 22 janarit kur akuzonte Ramën se nuk shkonte dot në SHBA
Akuzave iu bashkuan në bllok edhe deputetët e tjerë opozitarë, mes tyre edhe kreu i PD Sali Berisha.
“Meqë na keni fryrë kokën që ftesa është personale në emër, pse e kaloni në Kuvend. Kur ftesa është personale, i përgjigjet personi që sot duhej të ishte në Davos duke firmos si gjithë të tjerët”, tha Edi Paloka.
“Marrëveshjen e ka nënshkruar Vjosa Osmani, sot në Davos me Trump, e kanë nënshkruar edhe vendet themeluese në prezencë të Trump. A mund ta dimë pse Rama është sot këtu dhe nuk është në Davos për të nënshkruar marrëveshjen me Trump. Ne e kuptojmë që nuk shkonte dot ta nënshkruante, se nuk e kanë pranuar”, u shpreh Gazment Bardhi.
“Doja të dija nëse kryeministri është krenar që Kosova dhe osmani ndodhet në nënshkrimin e Bordit të Paqes. Do doja të dija pse Rama nuk ndodhet, të gjithë prisnin të ishe në Davos”, tha Erald Kapri.
“A e morët vesh ju që vetë presidenti tha se në atë listë janë dy, tre emra që nuk dua t’ua dëgjoj kurrë emrin. Po, e tha, shkoni dhe merreni. Për kë e kishte fjalën? Po sigurisht që ai nuk do t’ia dëgjojë Lukashenkos, ai nuk mund t’ia dëgjojë Ramaduros”, u shpreh Sali Berisha.
Kryeministri Edi Rama zgjodhi t’iu përgjigjej personalisht demokratëve me një fjalim 20 minutësh, kur ndër të tjera paralajmëroi edhe vizitën e sotme në SHBA.
“Rëndësi ka që do ngrini kartonin me votën tuaj, do miratoni Bordin e Paqes dhe mua si përfaqësues i Bordit të Paqes në Shtëpinë e Bardhë”, iu tha Rama deputetëve demokratë, ndërsa pak më herët kundërshtarëve politikë iu tha se nuk shkoi në Davos, pasi me lejen e Trump, zgjodhi që të presë në Tiranë vajzën e tij, Ivanka Trump.
Opozita i gëlltiti të gjitha akuzat dhe ngriti kartonin jeshil, duke miratuar me 110 vota pro aderimit të Shqipërisë në Bordin e Paqes si shtet anëtar, dhe pranisë së Ramës sot në Uashington.
Komente











