ITALI - Vëllezërit Stiven dhe Cristian Shpendi ishin protagonistë të premten në raundin e fundit të Serie B në Itali. Dy binjakët shënuan nga dy gola secili për ekipet e tyre, me Stivenin që mbajti Empolin në Serie B. Ndërkohë, veç Venezias që kishte fituar të drejtën për të luajtur në Serie A sezonin e ri, një biletë direkte e siguroi edhe Frosinone. Në play-off do të garojnë Monza dhe Palermo në gjysmëfinale, teksa Catanzaro, Modena, Juve Stabia dhe Avellino do të përballen që në fazën çerekfinale.
Stiven Shpendi mba Empolin në Serie B me dopietë
Në 'Brianteo', vendasit e Monzas barazuan 2-2 kundër Empolit. Protagonist për miqtë ishte Stiven Shpendi, djaloshi i Kombëtares që shënoi dy gola dhe mbajti të tijtë në Serie B. Stivenit iu deshën vetëm disa sekonda lojë për të shënuar golin e parë, por më pas Monza përmbysi me Petagnan dhe Delli Carri. Në limitet e sfidës, pikërisht në minutën e parë shtesë, Stiveni shënoi edhe golin e dytë për barazimin 2-2, çka bëri që me këtë pikë Empoli të dilte nga zona e ftohtë dhe të shpëtonte sezonin vetëm në fundin e takimit. 15 gola këtë sezon në Serie B për Stivenin.
Cristian Shpendi shënon dy gola për Cesenan
Në një ndeshje pa objektiva, Cesena dhe Padova shënuan shtatë gola në përballjen mes tyre, teksa ishte Padova që fitoi 3-4. Pjesa e parë prodhoi gjashtë gola dhe u mbyll 3-3. Për Cesenan dy nga golat u shënuan nga Cristian Shpendi, binjaku i Stiven Shpendit. 12 gola ka shënuar këtë sezon Cristiani me fanellën e Cesenas në Serie B.
Pescara rrëzohet në Serie C, përleshje mes tifozëve dhe policisë
Pescara barazoi 1-1 kundër Spezias në 'Adriatico' dhe nuk mundi dot të mbijetonte duke u rrëzuar në Serie C. Lot për futbollistët dhe Insignen, ndërsa tifozët u përplasën me policinë në një protestë të organizuar jashtë stadiumit.
Përleshjet shpërthyen jashtë stadiumit 'Adriatico' të Pescarës midis tifozëve dhe policisë pas barazimit 1-1 me Spezian në ditën e fundit të sezonit të rregullt të Serie B, që rezultoi në rënien e klubit vendas në Serie C. Tifozët e ekipit me bazë në Abruzzo organizuan një protestë kundër ekipit dhe klubit, duke hedhur tymuese dhe flakadanë.
Gjatë minutave të fundit të ndeshjes në “Adriatico”, ultrasit brohoritën kundër presidentit Daniele Sebastiani dhe fishkëllyen Lorenzo Insignen, i cili, sipas tifozëve, ishte “fajtor” për dështimin, pasi nuk shënoi një penallti vendimtare javën e kaluar në ndeshjen kundër Padovës. Insigne u pa në lot pas ndeshjes së djeshme.
Komente










