TIRANË- Pas tensioneve në selinë blu, ku kryetarja e LDG-së deklaroi para mediave se i kanë ndërruar bravën e zyrës, Partia Demokratike përmes deputetes Ina Zhupa akuzoi Sali Berishën dhe Albana Vokshin se duke u marrë me probleme personale po zhvendosin vëmendjen nga skandali i inceneratorëve, që çoi në pranga ish-ministrin e Drejtësisë Lefter Koka.
Zhupa iu drejtoi edhe një pyetje duke shkruar se përse Berisha dhe Vokshi nuk flasin për këtë aferë korruptive.
"Në ditën kur duhet ngritur zëri dhe reagimi për skandalin e inceneratorëve, Sali Berisha dhe Albana Vokshi gjejnë kohën të merren me hallet personale duke larguar vëmendjen nga skandali i korrupsionit disa milion eurosh.
Le të pyesin veten pse nuk flasin për këtë skandal? Pse përpiqen të largojnë vëmendjen nga përfshirja e zyrtareve më te lartë të qeverisë?! Pse nuk i shqetëson ky fakt", shkruan Zhupa.
I menjëhershëm ka qenë edhe reagimi i ish-kryeministrit Sali Berisha, ku duke e etiketuar Ina Zhupën si zëdhënësen e bandës së Çoles, shkruan se ai ka qenë ndër të parët që e ka denoncuar aferën e inceneratorëve që prej vitit 2015.
"Deputeti Lulzim Basha nëpërmjet zëdhënëses se Çoles akuzoi sot Sali Berishën dhe Albana Vokshin se po tërheqin vëmendjen nga afera e inceneratorëve, vetëm për faktin se Albana Vokshi si kryetare e LDGSH shkoi në selinë e Partisë Demokratike për të zhvilluar një mbledhje rutinë, të drejtë të cilën ja kanë dhënë përfundimisht 5 mijë delegatët që i hapën rrugë rithemelimit të Partisë Demokratike.
Deputeti Basha për më tepër bëhet qesharak kur bën pyetjen retorike se përse nuk flet për aferën e inceneratorëve Sali Berisha apo ata që e shkarkuan më 11 dhjetor.
"Sëpari, i kujtojmë deputetit Basha se Berisha ka qenë ndër më të parët që ka denoncuar këtë mega afere korruptive në një seri statusesh dhe deklaratash nga viti 2015 e në vazhdim. Dita e sotme, pas 4 vitesh të shpërthimit të kësaj afere ka qenë nga ditët e pakta, për të mos thënë e vetmja, kur ai doli personalisht që të fliste për këtë aferë. Edhe sot pas arrestimit të Terr Kokës, Berisha ka publikuar dy reagime të forta ndër të cilat një deklaratë shteruese në FB e tij në të cilën fakton në mënyrë të pakundërshtueshme se Terr Koka meriton plotësisht arrestimin, por ai nuk është Koka e grupit të organizuar kriminal dhe se Koka e aferës prej 430 milion euro të djegësve është Kreu i Meduzës së organizatës kriminale Edvin Rama i ndjekur nga Arben Ahmetaj, Don Agacio (të cilit deputeti Basha nuk i përmend dot emrin) Lal Plehu, Bllako etj. I kujtojmë gjithashtu deputetit Basha se drejtues të departamentit për mjedisin në Partinë Demokratike, kanë pritur më shumë se 2 vite me padi në dorë në derën e Bashës për ta bërë zyrtare këtë padi", shkruan Berisha.
Berisha ka komentuar edhe situatën në selinë e Partisë Demokratike, ku pati tensione mes mbështesve të Bashës mes atyre të Berishës. Ai kërcënon Bashën se do përballet me mijëra demokratë për çdo provokim ose incident që njerëzit e tij do bëjnë ndaj anëtarëve të PD-së.
"Por sa me lart nuk mund të largojë për asnjë moment vëmendjen dhe shqetësimin për sulmin verbal dhe fizik që Lulzim Basha organizoi ndaj zonjave të LDG dhe Komisionit të Rithemelimit! Kjo më shumë se çdo gjë tregon respektin dhe fytyrën e vërtetë të Lul Burracakut për figurën dhe rolin e zonjave në Partine Demokratike! I bëjmë me dije burracakut Basha se do mbajë përgjegjësi personale në përballje me mijëra demokratë, për çdo provokim apo incident që njerëz të paguar prej tij do guxojnë të bëjnë ndaj anëtarëve dhe drejtuesve të Partisë Demokratike', shkruan Berisha", përfundon Berisha.
Partia Demokratike ka reguar ndaj Berishës pasi ai e quajti Ina Zhupën zëdhënësen e Çoles. PD shkruan se kjo është një mungesë etike e Sali Berishës.
"Fyerjet dhe shpifjet ndaj zëdhënëses së PD janë dëshmi e qartë e mungesës se argumenteve dhe etikës së komunikimit të Sali Berishës. Mënyrë komunikimi që e shfaqin shpesh dhe një pjesë e pakicës që e mbështesin. Shoqëria shqiptare duhet të ndahet përfundimisht nga politika e vjetër, nga gjuha e urrejtjes dhe e linçimit. Demokratët e kanë bërë zgjedhjen e tyre, ata zgjedhin të ardhmen", shkruan PD.