TIRANË- Pas 3 vitesh nga ekzekutimi mafioz, vrasja e ish-policit Santiago Malko e ka një autor! Ai është Blendi Teta, i cili është dënuar mesditën e kësaj të mërkure me 25 vite burg. Lajmi është konfirmuar nga burime për gazetarin e Report Tv, Arsen Rusta, e ndërsa pretendimet e Tetës se nuk është i përfshirë në krim, janë hedhur poshtë nga gjykata, pasi si provë e fortë janë tabulatet telefonike.

Në këto përgjime telefonike është vërtetuar se Teta kishte patur rol në mbajtjen nën vëzhgim të Santiago Malkos me qëllim që të gjendej një moment i përshtatshëm për ta qëlluar. Për vrasjen e Malkos akuzohen edhe 8 persona të tjerë të shpallur që prej një viti në kërkim, më konkretisht Leonard Dukën;  Erlis Dukës, Ilir Selmanin, Oltian Logën,  Fatmir Hysenin, Dritan Agajn, Aleksandër Maxhakun dhe Xhoni Nicën te cilët janë ndarë në gjykim nga Teta.

 Blendi Teta u kthye në dëshmitarin kryesor pasi zbërtheu pjesë të rëndësishme të klanit Duka  që organizoi vrasjen e Santiago Malkos. 

Si ndodhi ngjarja?
Mbrëmjen e 27 gusht në zonën e "Xhamllikut" ekzekutohet me breshëri plumbash Santiago Malko. Malko, një ish punonjës policie i larguar nga detyra pasi u arrestua pas një sherri për lojërat e fatit, ishte një emër jo pak i njohur për autoritetet, i dyshuar si i përfshirë në disa ngjarje të rënda kriminale. Emri i tij do të dilte në skenë në Tetor të 2018, ngjarje kjo kur i plagosur mbeti miku i tij Ervis Martinaj, por u lirua për mungesë provash. Në kërkim me vendim gjykate janë shpallur 8 persona, dy vëllezërit Leonard dhe Elis Duka, Xhoni Nica, Oltian Loka, Aleksandër Maxhaku e Dritan Agaj të gjithë nga Tirana, si dhe Fatmir Hyseni nga Vlora, i njohur ndryshe me nofkën “Doqja”. Malko dyshohet të ketë qenë i përfshirë në disa ngjarje kriminale, e ndërsa dyshimet e policisë janë se ai u ekzekutua për shkak të trafikut të lëndëve narkotike, borxheve të pashlyera e konflikteve mes bandave të rrezikshme.