TIRANË-Ditën e sotme ka dëshmuar në prokurorinë e Tiranës edhe babai i Rexhep Rrajës, deputeti socialist Rrahman Rraja. Me paterica dhe këmbë të thyer, Rraja është pyetur rreth një orë në prokurori lidhur me dijeninë e tij për këtë cështje.

Në një reagim për gazetaren e Report Tv, Esiona Konomi vetë Rraja ka thënë se është pyetur nga prokurorja Elsa Miha dhe se nuk ka njohje me ish-oficerin Emiljano Nuhu. Për Rrahman Rrajën, e gjitha është një sajesë.

U pyeta nga prokurorja Elsa Miha, sa jam kthyer nga Italia. Nuk e njoh Nuhun dhe nuk kam qenë në komisariat. Tabulatet telefonike tregojnë se është një sajesë.

Rrahman Rraja, deputet i PS, babai i Rexhep Rrajës

Dosja Xhisiela ka rreth 1 muaj që është në qendër të vëmendjes në politikën shqiptare. Rasti u bë publik nga ish-oficeri Emiljano Nuhu, i cili akuzoi Taulant Ballën, Rrahman Rrajën dhe familjarët e tij se e kishin kërcënuar dhe më pas u arratis në Zvicër ku po kërkon edhe azil. Ndërkohë që Rexhep Rraja është i arrestuar për akuzën e përndjekjes, deputeti Taulant Balla, ka hedhur poshtë akuzat se ka qenë në komisariatin e Fushë-Krujës.