Ndryshe nga takimi i Edi Ramës në Athinë, Milano dhe Selanik, ashtu siç pritej ai i Londrës do të ishte më i zëshmi.
Për dy arsye e pra se PD ishte përgatiur më herët për të organizuar një “guerrilie” siç shprehet Berisha, por dhe sepse me Londrën, doktori ka një kunj më të madh se me Athinën që e ka aleate, e me Romën.
Gjithsesi, kronika e takimit të Ramës dje në Londrës, u pasqyrua thjesht me zhvillimet live, pa pasur një kënd reflektiv, siç ndodhën në rastin e Athinës e Milanos.
Sepse në rastet e tjera, mediat visive shqiptare kanë sjellë më shumë dëshmi të vëzhguesve të ftohtë nga vendgjarja, kryesisht gazetarë apo intelektual, që sillnin përshtypjet sa më të balancuara mbi atë që ndodhi.
Ndërsa në rastin e Londrës, ne pamë një panoramë alla Tiranë. Ku palët e kundërta jepnin këndvështrimet, madje dhe videot e bëra vetë, pa një factcheck pak a shumë të balancuar.
Lavdrim Krashi, deputeti i Partisë Socialiste të qarkut të Dibrës, i cili është edhe organizatori kryesor i takimit të Edi Ramës, në një prononcim për gazetën TemA, ka një vision pak a shumë më të ftohtë të situatës, sidomos 24 orë më mbrapa.
I pyetur nga gazeta TemA se si e gjykon takimin, ai thekson se “nuk ka ndodhur ndonjëherë që të zhvillohet një takim me 3 mijë persona në një sallë të madhe në 33 vjet, ku kam qenë dëshmitar dhe aktivist i komunitetit shqiptar”.
Krashi shton se ka pasur një dëshirë thuajse gjithëpërfshirëse të shoqatave të komunitetit shqiptar në Londër për të marrë pjesë, ngaqë ka një etje për një përfshirje në jetën e Shqipërisë insitucionale.
Në lidhje me kontestimet e përkrahësve të Berishës, Krashi thotë se kjo nuk u ndje, përveçse në fryrjen që u bë në Tiranë për arsye politike.
Siç mësohet, rregullat e një takimi në Britaninë e Madhe, siç në çdo vend perëndimor, janë të përcaktuara. Çdo mjedis ka organizimin e saj, skenografinë, infrastrukturën e natyrisht aspektin e sigurisë, të cilët janë të angazhuar për të mos lejuar prishjen e tubimit.
Pasi e drejta e tubimit është e drejtë themelore në një vend Perëndimor. Nëse do të kontestosh, duhet të caktosh vendin, kohën dhe parullat. Siç dhe ndodhi dje në Londër, ku policia meropolitiane ishte kujdesur për t’i lënë vendin dhe hapësirën kontestuesve.
Krashi, i cili është shtetas britanik prej vitesh dhe ka punuar si drejtues i administratës vendore të Londrës, shprehet për TemA, se ndjehet shumë mirë për sjelljen e shqiptarëve në takim.
Siç shprehet ai, organizatorët kanë theksuar pas takimit se gjithçka ishte e rregullt dhe pa asnjë problem, sa për 30 minuta ata e kthyen sallën në normalitet, ç’ka tregon qytetarinë e pjesëmarrësve.
“Bashkëatdhetarët tanë, edhe pse e dielë, kishin ardhë me tërë familjen për të kaluar një orë me kryeministrin e Shqipërisë, duke udhëtuar nga të katër anët e Londrës, e kjo nuk mund të jetë vetëm me dëshirë. Mendoj se ky është mesazhi më i mirë që erdhi nga ai takim, i cili mendoj unë, është po aq i rëndësishëm nga mesazhet e Athinës, Milanos e Selanikut”, thekson Krashi për TemA-n.