Historia e “këngës së qyqes me qeveri teknike” nuk ka dalë sot. Ajo nuk erdhi në diskutim si shirat e pas janarit apo hetimet e SPAK të dhjetorit. Kemi të bëjmë me një refren politik që është luajtur me play back si një template i gatshëm, i cili është futur në USB-në e një detashmenti establishment, i cili e ka çimentuar këtë narracion, duke e kthyer jo në një alternativë, por në një barcaletë, të cilën kundërshtari i tyre politik, Edi Rama pra, ja ka kthyer në forma të ndryshme; me sherbet, me çokollatë apo me krem, si për ta bajalldisur një recetë që na vjen si alternativë, por që në fakt është një boshllëk me brirë, pjellë e një shterpësie politike, e cila në mendje ka vetëm një gjë, të sigurojë moslëvizshmërinë e saj, duke mbajtur në mjerim politikën alternative shqiptare.

Prej së cilës ushqehet një treg i varfër impotent mediatik, i mbushur me delire dhe mllefe ku në mungesë të ideve këput mufka dhe marrina në fuqi infinit. Logjika e “qeverisë teknike” ka dalë për së pari nga “Lartësia e tij-mbreti i popullit të 2 marsit", i cili në mesin e mandatit të tij të përbashkët me Edi Ramën, ideoi në SPA-në luksoze të një hoteli në bllok, një qeveri pa Edi Ramën. Jemi pikërisht në mesin e vitit 2016, kur Angela Merkel sapo kishte lënë Shqipërinë, e kishte vulosur me Edi Ramën nisjen e aksionit të reformës në drejtësi.

Aksioni i “qeverisë teknike pa Edi Ramën” në realitet ishte një vepër jo aq shumë e vështirë për tu realizuar. PS-ja e Edi Ramës, e cila erdhi në pushtet me të famshmet “1 milion shuplaka”, pjesën më të madhe të tyre ja dhuroi partisë së Ilir Metës. Partia Socialiste në realitet nuk kishte shumicën në Kuvend për të garantuar qeverinë. Kishte me ekzaktësi 68 deputetë, nga këta kishte mjaft që nuk viheshin në rresht për kryetarin.

Dhe si për t’i vënë bisht kësaj “ideje gjeniale” siç do të thoshte njëri që nuk ndodhet mes nesh, “koka” që do ta realizonte këtë plan vinte si nënprodukt i qumështit, ani pse mbante titullin Kryeprokuror i Republikës.

Po, po! Bëhet fjalë për Adriatik Llallën, i cili në kohën e tij, me kompetencat që i jepte Kushtetuta, vriste e priste, bënte shiun, erën e furtunën. Së bashku me një zonjë-kolege dhe suitën e “burimeve” të paneleve, ortaku i kosit nisi të hiqte mandatet e deputetëve me një lehtësi tipike për grusht shteti.

Në këtë atmosferë, kur mandatet e deputetëve i hiqte zonja Gashi dhe i përforconin në panele partnerët mediatikë të nënprodukteve të qumshtit, Kryetari i Kuvendit, pas disa seancave për heqjen e toksinave në SPA përgatit një “qeveri teknike” të drejtuar nga një President i Republikës. Profesor doktor i rëndë fare. Së paku kështu u tha, por që sipas asaj çfarë ndodhi më pas, nuk “dhezi” kur thonë në Prishtinë.

Pasi, kandelat profesorake i lagu një deputet i Partisë Demokratike i Kurbinit, nga ata që kishte një merak të vjetër me arkitetin e qeverisë teknike.

Në këtë atmosferë gjërat shkuan në një vit supertensioni, kur “qeveria teknike” u realizua, po jo siç donte “arkitekti” por si një formulë hibride. E cila lindi në takimin e famshëm romantik të 17 majit ndërmjet Edi Ramës dhe Lulzim Bashës.

Një qeveri teknike allasoj, ku Kryeministër ishte Edi Rama që qeveriste me një bërthamë besnikesh në postet dytësore, kurse ministrat kryesorë ishin të opozitës. Duke nisur nga Ministri i Brendshëm, i cili ishte një “Rambo” i trupave speciale të ushtrisë. Për të vazhduar me drejtësinë që e drejtonte Gazmend Bardhi e me radhë e me radhë.

Në realitet, vetëm emrin e kishte teknike ajo qeveri, pasi ministrat e saj ishin personazhet politike që hynë nga dritarja pasi prej derës nuk e kishin aq shumë mundësinë. E të gjithë ato personazhet, edhe pse nuk qullosën gjë- qoftë në qeverinë teknike të Ramës, qoftë edhe në politikën shqiptare, gjithsesi na janë ulur këmbëkryq që prej asaj kohe e nuk pushojnë së foluri natë për natë, edhe pse s’janë të votuar, edhe pe nuk jetojnë këtu, edhe pse në fund të fundit nuk ja thonë as për teknik televizori, teknik lavamani apo qeveri teknike, lërë më politikë. Ama dërrasat na i çajnë natë për natë.

Por nuk mbaroi me kaq. “Teknikët” e 17 majit nuk sollën asgjë as për Lulin e as për mentorin e tij politik “lexhendë”, pasi Edi Rama mori timonin i vetëm në zgjedhjet e 25 qershorit 2017. Nuk kishte nevojë për asnjë në prehër. Edhe? Kishte mazhorancën por jo Prokurorinë! Të cilën e drejtonte Adriatiku!

Dhe doli analistja e famshme e Big Brotherit, në atë kohe- gjysma gjel i lidershipit opozitar që propozoi një qeveri teknike, fill pas zgjedhjeve parlamentare.

Një “qeveri teknike” që analistja e kunatave që ua ka nxirë jetën ditën që i ka njohur, propozoi ta drejtojë ose Pandi Majko se Fatmir Xhafaj. Pak ditë pas këtij elaborimi, Adriatiku i radhës sajoi stuhinë e radhës me Sajmir Tahirin.

Nuk kaloi shumë dhe Edi Rama ja plotësoi dëshirën analistes anti-kunatë dhe emëroi Fatmir Xhafajn Ministër i Brendshëm.

Natyrisht që u mërzitën shpejt dhe nisi krijimi laboratorik i videove dhe audiove për të mbajtur panelet e darkës në këmbë dhe mbjellur ashtu si flokët në një klinikë ambulante, karrierat e opozitarëve të rinj.

Lindi kështu “afera Babale”, një nga “perlat teknike” të historisë politike dhe mediatike shqiptare. E cila do të shtynte ndër vite narracionin, kushtet por edhe ndikimin e saj.

Babalja i shkretë u shfry si tollumbac heliumi, njësoj si ndërhyrjet në rivierën italiane të anti-kunatës par exellance, por këga mbeti ama.

Si refren për një qeveri teknike që shpërtheu në fundin e vitit 2018, kur u arrit të ngjizej një lëvizje studentore parapolitike, ku gjithashtu u ngjizën karrierat e Arlind Qorit, Adriatik Lapajt dhe Endri Shabanit.

Nën zhurmën e kërkesës për një qeveri teknike, Edi Rama, në janarin 2019 hoqi të gjithë politikanët ocialistë nga kabineti, duke i zëvendësuar me “ekspertë” që ca ikën, e ca të tjerë hynë në politikë nga dritarja, duke u kthyer në politikanët e rinj të Partisë Socialiste. E që sot janë bërë të vjetër, ndaj Edi Rama i ka zëvendësuar sërish me teknikë, që anë bërë politikanë duke mbushur grupin parlamentar e kupolën e PS-së si gjysma e qeverisë aktuale.

Po kush të lë rehat? Refreni u USB-së së anti-kunatës doli përsëri duke kënduar “qeverinë teknike” si një himn festiv. Adriatiku i radhës ka propozuar dy zotërinj post të 70-tave për emra të qeverisë teknike. E ka shumë gjasa që Edi Rama, do ta marrë si shkas siç ka bërë shpesh, duke ju përgjigjur me një “ide origjinale”. Nuk është çudi që të bëjë “ministra teknikë” ca nga “gjenerata Z” meqë sot janë në modë në politikën botërore. Përkatësisht, vazja a djem të rinj poshtë të 30-ave, si për të sfiduar baby-boomers-at over 70 të Adriatikut./ Tema