Ypi: Ç'Kushtetutë

Ypi: Ç'Kushtetutë

Kryeveprat e letërsisë, Librat e shenjtë, Kushtetutat, Ligjet, Kanunet, dukumentat e rëndësishme shkencore etj, janë të gjitha të derdhura në tekste të përsosura, të rrjedhëshme, të pasura ne gjuhë, rreptësisht kompakte dhe koherente në përmbajtje, prandaj dhe është kënaqësi ti kesh e t’i lexosh.
Dhe ja, përpara kam një libërth, më te rëndësishmin dukument te Shqipërisë moderne; “Kushtetuta e Shqipërisë”. Mund të gjindet në disa varianta; në letër, në CD, në Internet etj.
Më të frikshmet varianta janë ato pa ”ë” dhe “ç”, ku, pa llogaritur mungesën kriminale të 5511 ë-ve në 13019 fjalë gjithsej (Kushtetuta e Italisë ka 10555, ajo e Anglisë 0 fjalë, sepse Anglia ende si është futur ta bëjë një Kushtetutë), lexuesi, interpretuesi, pse jo edhe Gjykatësi, gjindet shpesh i hutuar para paradokseve jo dhe aq qesharake kur ndër nene me më tepër se një paragraf, per shkak te mugesës se ç-ve, gjen dy paragrafë rradhazi me të njëtin simbol “c”. 

Ky që kam përpara është varianti zyrtar me “ë” me “ç” e me të gjitha. 
Kërcitjet e para nisin aty nga neni 8; “Republika e Shqipërisë u siguron ndihmë shtetasve shqiptarë që jetojnë e punojnë jashtë shtetit për të ruajtur e për të zhvilluar…”. Ç’është kjo “jashtë shtetit” ?! Shtetet jane shumë, jashtë cilit shtet ?! Sigurisht gdhëja që e ka shkruar këtë nen ka patur parasysh shtetin shqiptar, veçse jo këtë të tanishmin, por atë athere kur ora e burokratit trukokallë ka mbetur, dmth shtetin shqiptar të Diktaturës, kur gjithçka ishte shtet, gjithçka i përkiste shtetit. Pse e ka bezdisur fjala “Shqipëri”, ç’dreqin e ka penguar trutharin të thotë thjesht dhe saktë dhe qartë; “jashtë Shqiperisë” në vend të “jashtë shtetit” ?!

Edhe neni 19 të ngec ne fyt ; “Kushdo që lind duke pasur qoftë edhe njërin prej prindërve me shtetësi shqiptare, e fiton vetiu shtetësinë shqiptare…”. A nuk mund te shprehej pak më ndryshe atributi specifik që i njihet një të porsalinduri që nuk di as te flasë as të dëgjojë as të kuptojë, të thuhej psh; “i njihet e drejta”, në vend të “e fiton vetiu” ?! Si mund të fitojë (!) a të humbë (!) vetiu a vetvetiu diçka një foshnje që porsa ka rënë nga barku i një nëne ?!

Pak më poshtë, në nenin 27 lexuesi tromakset nga; “shoqërimi në një organ kompetent’ “. Dihet se me çfarë asociohet në mëndjen e shqiptarëve “Organ kompetent”. Le pastaj “Shoqërimi” per atje. A nuk të kujton kjo disa nostalgjikë të pakurueshëm që ende sot në vend të “Komisariat i Policisë” thonë “Dega e Brëndëshme” ?!
Përsëri “jashtë shtetit” në nenin 38.

“Të huajt kanë të drejtën e strehimit në Republikën e Shqipërisë….” thuhet në nenin 40. Mund të thuhej "qëndrimit“ ose "azilit“. "Strehimi i të huajve“, është jo vetëm i pasaktë dhe i papërshtatshëm sepse i ngarkuar me pamundësi dhe hipokrizi, por do t’ua ngrinte nervat të pastrehëve që i kemi e do ti kemi, të cilëve do t’u kujtonte adresat, dhomat, kuzhinat, anekset dhe ballkonet e munguara.

Plot kokrriza rëre neni 41; "Prona fitohet me dhurim, me trashëgimi, me blerje dhe me ç’do mënyrë tjetër klasike të parashikuar në Kodin Civil“. Pra prona, në të njëjtën kohë u dhuroka dhe u fitoka, dhe, për më tepër, me ç’do mënyrë klasike ! Po pse jo edhe me ç’do mënyrë moderne ?! Kjo menyra “klasike” e fitimit të pronës, a nuk ta kujton pak atë mënyrën si e “fitonin” pronën në Amerikën e dy-tre shekujve më parë kur tjetri ik-e-ik e ngul një hu dhe “është e imja” ?!

Krejt i trashë duket neni 42 ku përmëndet; “një proçes i rregullt zgjedhor” dhe në vazhdim “gjykim i drejte”. Pse mjegull, pse fjalë të tepërta, pse janë evituar fjalët e thjeshta dhe më se të mjaftueshme “proçes zgjedhor” dhe “gjykim” ?! Sipas nenit 47 tubimet paqësore mund të bëhen në; “...sheshe dhe në vëndet e kalimit publik....”. Del pyetja; Po në livadhe a lëndina të freskëta, a faqe kodrash, a në breg të ndonjë lumi a përroi, a nuk mund të bëhen ato tubime ?!

Neni 48 ta ngrin gjakun fare; “Kushdo, vetë ose së bashku me të tjerë, mund....”. Së bashku këtu, së bashku atje, te gjithë dhe kurdoherë dhe gjithandej së bashku, është gjuha e drunjtë e sloganeve të Diktaturës. Nenin 66 nuk do ta formulonte dot as më i ndrituri magjistar a prestigjator; “Kuvendi….ne rast lufte…kur eshte i shperndare....rithirret vetiu” ! Pse “rithirret“ dhe jo “thirret“?! Si vetiu ?! Me Abrakadabra ?!

Neni 78 duket si i formuluar nga një magazinier drithi a djathi që në jetën e tij ka shkruar e lexuar vetëm proçes verbale magazinash e mbledhjesh kolektivi; "Mbledhjet e deputetëve që mbahen pa u thirrur sipas rregullores, nuk sjellin asnjë pasojë”. Magazinieri në fjalë sado injorant mund ta bënte, për shembull; "nuk merren në konsideratë “, ose "nuk konsiderohen“, ose "nuk kanë fuqi ligjore“ a diçka tjetër të tillë.

Të habit neni 84 aty ku thotë; “Ligji duhet të botohet në numurin më të parë të Fletores Zyrtare”. Pse “duhet të botohet“, kur s’do mënt që Kushtetuta urdheron dhe duhej shkruar “botohet”.
Krejt i ç’kurdisur duket neni 102 në pikën e fundit; "Kryeministri zgjidh mosmarrveshjet midis ministrave“. Ka dy gjëra të vështira për tu kuptuar në këtë formulim; E para, Kryeministri qënka i detyruar me Kushtetutë të merret me probleme ministrore ndërpersonale, dhe e dyta, edhe më absurde, duket sikur kryeministri gjithmonë i zgjidh mosmarrveshjet !

Dhe gjithmonë në nenin 102 flitet për "drejtimet kryesore të politikës së përgjithëshme“, "zbatim të legjislacionit dhe politikave të miratuara“, "brënda drejtimeve kryesore të politikës së përgjithëshme shtetërore“. Ç’jane gjith’ keto "politika“ ?! Në kontekste artistike përdoret fjala "politikë“ me kuptime e nënkuptime, me ngjyrime e sfumatura, por jo në Kushtetutë, Kushtetuta nuk bën politikë. Politikë bëjnë Partitë. Kryeministri, ministrat etj. vijne nga partia/të, pra nga Politika, por jo për të bërë Politkë/a, sepse Politika, pasi ata kanë ardhur për të ushtruar pushtetin, konsiderohet e bërë tashmë në zyrat respektive të partisë/ve. Ata zbatojne, qeverisin, ose duhet (!) te qeverisin, për të gjithë shqiptarët e të gjitha partive, te gjitha politikave. Prandaj “Politikat“ duhej të ishin “angazhime“ a “detyrime“ a diçka tjetër më e përshtatëshme.

Po ky tmerr përsëritet edhe ne nenin 110.
Neni 125 të kujton Profetin George Orwell dhe Newspeak-un e tij; “Gjyqtarët emërohen…..nga rradhët e juristëve….”. Këte do ta ketë formuluar ndonjë matuf të cilit i ka mbetur ora aty nga vitet ’60 a ’70. Rradhët e juristëve, regjimentet e artistave, armata e shkrimtarëve, batalionet e spiunëve, këto janë tmerre leksiko-propagandiatike diktatoriale që si merr mendja.
“Kryetari i Gjykatës Kushtetuese emërohet nga rradhët e anëtarëve te saj…” vazhdon pa pik turpi të zezë në të bardhë neni 125. Në sa rradhë, rreshta, të shtrënguara a të liruara, kolona, te drejta a të shtremta, mund të vendosen gjithsej 9 anetarët zakonisht dhe përgjithësisht pleq të Gjykatës Kushtetuese ?! 

Neni 134 e paraqet Gjykatën Kushtetuese si rrotë ose rrul ose motorr qe; “…vihet ne lëvizje…” !
Nenet 137 dhe 138 kane brenda edhe ato nga nje “Organ Kompetent” ! Cili moralist me nam, ta ketë formuluar të përvjellurin nen 142 ?! "Vendimet gjyqësore duhet të jenë të arsyetuara....Gjykata e Lartë duhet t'i botojë vendimet e saj....Organet e shtetit janë të detyruara të ekzekutojnë vendimet gjyqësore“. Të gjitha këto më kujtojnë nje rast vite më parë kur shqeva sytë mbi nje skicë mekanike poshtë së cilës lexova shënimin surreal; "Dimensionet e shënuara në këtë skicë duhet të respektohen“.
Avazi i rradhëve militare diktatoriale pëson një ngritje të rreptë në nenin 147 sipas të cilit; "Këshilli i Lartë i Drejtësisë me propozim të Presidentit, zgjedh nga radhët e tij...“. Përsëri "rradhët“ ! Për gjithsej 15 individë !

Neni 150 ka grimca populisto/komuniste dhe ambiguitete gjuhësore të neveritëshme. Për nenin 153; “Komisioni Qendror i Zgjedhjeve…verifikon të gjitha aspektet që kanë të bëjnë me zgjedhjet…”. Pse “aspektet” dhe jo “çeshtjet“ ?! “Këshilli i Sigurimit Kombëtar është organ këshillimor i Presidentit të Republikës’’ thotë i 168-i. Hamëndje mund të bëhen plot, por hajde merre vesh o i zi nëse Kushtetuta sugjeron a urdhëron a këshillon që Presidenti të këshillojë Këshillin apo Këshilli të këshillojë Presidentin. I 171-ti paralajmëron se; “Në rast agresioni të armatosur kundër Republikës së Shqipërisë…”. Kush di’, lexuar a dëgjuar, për ndonjë agresion të pa armatosur ?!

Ja dhe e çuditëshmja pika 2 e të pabesueshmit nen 174; "Zgjatja e gjëndjes së fatkeqësisë natyrore mund të bëhet vetëm me pëlqimin e Kuvendit”. Së pari fatkeqësi natyrore duhej të ishte mes thonjzave. Se dyti, shprehur në këtë mënyrë, duket sikur Kuvendi e ka në dore vetë ti zgjasi e t’i shkurtojë, t’i beje zap, shiun, breshërin, tufanin, murlanin, tërmetin, rrëmetin, shembjet, vërshimin, shkatërrimin etj. etj.
Përsëri “rradhët e prokurorëve” në nenin 179.
Ju që thoni se keni konsultuar gjithato Kushtetuta të tjera për ta bërë sa më të mirë tonën, ju redaktorë e korrektorë që në dokumentin më të rëndësishëm që kemi guxoni të shkarrashkruani gjuhën e Naimit, Lasgushit, Fishtës, Koliqit, Konicës, Kadaresë, turp të keni, urgjentisht ndreqeni.

Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    20 Nëntor, 13:18

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?



×

Lajmi i fundit

Kreshnik Spahiu: Pse Strasburgu po e zhgënjen shumë keq Partinë Demokratike?

Kreshnik Spahiu: Pse Strasburgu po e zhgënjen shumë keq Partinë Demokratike?