Ku kanë ngecur diskutimet?
Burimet institucionale për gazetën “Shqiptarja.com” na bëjnë të ditur se kanë qenë pikërisht prezantimet kontradiktore të platformave që kanë paraqitur tre kandidatët që kanë penguar shpalljen e menjëhershme të drejtorit të Teatrit Kombëtar nga kryeministri. Që kandidatura e drejtorit të Teatrit Kombëtar është marrë me shumë përgjegjësi, konfirmohet edhe nga një deklaratë e mëparshme e Ministres së Kulturës, zonjës Mirela Kumbaro, e cila pasi zgjodhi tre kandidatët është shprehur për median se duke qenë hera e parë që zhvillohet konkursi për drejtor të Tk-së, ajo ka vendosur të njihet më parë problemet e teatrit.
“Vendosa që para se të arrija tek kandidatët të zhvilloja një debat publik, nga i cili mora mendimet e ekspertëve që bashkë me të mijat mundësuan krijimin e një platforme kriteresh. Ishte një proces serioz dhe patëm intervista rreth 2 orë me secilin kandidat. Platformat janë publike dhe mund të konsultohen”, ka thënë ministrja Kumbaro. Ndërkohë mediat njoftohen se emri i kandidatit fitues do të bëhet i ditur javën e ardhshme, por nuk jepet një datë e caktuar. Në pritje të lajmit zyrtar, gazeta “Shqiptarja.com” ka zbuluar përmbajtjen e tre projekt-ideve të kandidatëve për postin e drejtorit të Teatrit Kombëtar, të cilat projektohen nga eksperienca të ndryshme, njohje dhe kënvështrime të ndryshme të problemeve aktuale të Teatrit Kombëtar.
Prej shumë kohësh është përfolur se do të jetë drejtori i Teatrit Kombëtar, Laert Vasili, pavarësisht tri kandidaturave finale. Por kjo bindje është lëkundur tashmë. Mbase kjo ndodhi se ai dha i pari intervista në media me idetë sesi do ta drejtojë Teatrin Kombëtar. Dhënien e intervistave e ka refuzuar konkurrenti tjetër Edmond Budina, por megjithatë ai ka shprehur herë pas here në media disa nga idetë që përkojnë me platformën e tij. Kandidati tjetër Hervin Çuli ka kohë që ka hartuar një platformë shumë ambicioze për ndryshimin rrënjësor të Teatrit Kombëtar.
Platforma e Laert Vasilit
Aktori dhe regjisori i njohur, Laert Vasili, ka një përvojë menaxhimi nga teatri grek dhe këtë përvojë ka menduar ta sjell edhe në Shqipëri. “Teatri do të bazohet, jo vetëm tek financimi shtetëror, por edhe tek të ardhurat nga biletat”. Sipas konceptit të Laert Vasilit “Me rritjen e buxhetit do të sjellim edhe specialistë të jashtëm që do të ndihmojnë në estetikën dhe etikën e Teatrit Kombëtar”. Idetë e tij që të aplikojë kontratat me aktorë që i shërbejnë cilësisë së premierave, janë argumentuar sipas modeleve të mira të menaxhimit, dhe këto ide i ka edhe Edmond Budina, por në platformën e Laert Vasilit mungon një analizë me detaje të hollësishme e gjendjes aktuale të Teatrit Kombëtar.
Megjithatë, ai ka menduar se në të ardhmen “Teatri Kombëtar do të ketë një trupë të përhershme, por jo të përjetshme. Kjo do të arrihet përmes kontratave, të cilat do të jenë nga 6-mujore deri në 2-vjeçare”. Kjo është njëra nga pikat e platformës së Laert Vasilit, i cili i jep rëndësi veçorive të secilit aktor dhe rendimentit të në skenën e TK-së. Sipas platformës së Vasilit aktorët që do të kontraktohen nga Teatri Kombëtar do të marrin pjesë, duke pasur role që gradualisht do të ekuilibrojnë njëri-tjetrin, në të katër projektet e sezonit, tetor-maj dhe në projektin veror. Ndërsa për median Laert Vasili është shprehur se si model menaxhimi do të ketë teatrin “Hitirio” në Athinë, të cilën e ka menaxhuar së bashku me partneren e tij dhe shpreson se në të njëjtën mënyrë do të përpiqet të drejtoj dhe menaxhoj edhe Teatrin Kombëtar.
Platforma e Hervin Çulit
Regjisori Hervin Culi ka disa pika të ngjashme me kandidatët e tjerë, përsa i përket reformës rrënjësore të TK-së. Ndryshe nga Laert Vasili ka bërë një ekspertizë të thellë të gjendjes aktuale të Teatrit Kombëtar. Përveç projekt-idesë, të cilën e ka pasuruar nga përvojat e shumta të premierave të sukseshme që ka ngjitur në Teatrin Kombëtar, tek platforma e Hervin Çulit zbulojmë çfarë ka ndodhur me pagat, si janë menaxhuar, si do të reduktohen infrastrukturat e panevojshme dhe ai nuk ka lënë pa detajuar edhe një sërë aktivitesh të një rëndësie të veçantë që do të zhvillohen gjatë kohës që do të drejtojë TK-në.
Nuk ka harruar të mendojë edhe për ngrohjen, sepse teatri është vendi ku spektatori ngrin. Hervin Çuli propozon një sistem me kontrata 1-vjeçare për aktorët, “gjë që do të fuste TK në treg dhe do ta bënte më cilësor”. Gjithashtu, Çuli propozon edhe që në TK të punojnë vetëm me regjisorë të kategorisë A. Pika e tij e tretë është transparenca me medidan, që siç e argumenton ai “do të jetë transparentë deri në një gozhdë që do të vihet në TK”.
Çuli ka menduar edhe për rrobaqepset, punonjësen e makijazhit, etj. Nëse Hervin Çuli do të jetë drejtuesi i këtij institucioni regjisorët do të jenë me miratimin e tij dhe të bordit artistik (për sa kohë funksionon ky ligj). Ndërsa format e rekrutimit të aktorëve do të jenë: karriera e spikatur artistike, audicioni. Platfomës së Hervin Çulit nuk i mungon as projekti për të forcuar marrëdhëniet në trekëndëshin e teatrove Tiranë-Shkup-Prishtinë, etj.
Platforma e Edmond Budinës
Edmond Budina e ka kaluar një pjesë të jetës së tij në Teatrin Kombëtar, dhe është i bindur se platforma e tij do të sjellë ndryshime, edhe pse karriera e 20 viteve të fundit ka qenë e shkëlqyer në kinematografi. Megjithatë, Budina nuk mund ta pranojë dot gjendjen në të cilën është sot teatri, dhe për këtë ka një platformë ku disa politika të përgjithsme të teatrit i ka mësuar nga përvojat europiane.
Nga përvoja e tij si aktor dhe regjisor Budina thekson në platformën e tij mbi të gjitha disiplinën dhe korreketesën ligjore. Gjendjes së deritanishme që në TK ka aktorë që për vite të tëra marrin rrogën dhe nuk kanë bërë role, Budina do t’i vërë barrierë me projekt-idenë e tij që në TK të lulëzojnë projektet, qoftë nga të rinjtë apo dhe nga ata që kanë shumë vite eksperiencë. Budina është me mendimin që në Teatrin Kombëtar, vetëm atij që bën role t’i rinovohet kontrata e punës. Për buxhetin Budina është kundër punonjëse që janë parazitë.
Nëse buxheti i Teatrit Kombëtar është një shumë e caktuar, që shpërndahet në shumë njerëz që janë parazitë, pagat e pamotivauar të të cilëve duhet t’u shkojnë atyre që bëjnë punën, siç është shprehur në një intrevsitë, duhet “Merr rrogën, ke kontratën, siç është në teatrot e botës”. “Duhet respektuar puna dhe njerëzit që do të punojnë do shpërblehen më mirë. Teatri detyrimisht do të hyjë në logjikën e kontratave, atyre të përkohshme për të rritur cilësinë artistike”, ka thënë Budina në një intervistë.
Shkrimi u publikua sot (17.01.2014) në gazetën Shqiptarja.com (print)
Redaksia Online
(d.d/shqiptarja.com)