Zgjedhjet 2025/ PS e PD gati, drejtuesit që do përballen në 12 qarqet e vendit! Rama ia beson Diasporën Taulant Ballës, demokratët pa drejtues

Dy partitë më të madha në vend PS e PD e kanë gati formacionin e drejtuesve politikë për zgjedhjet e ardhshme parlamentare, çka do të nxisë që tani përballjen e dy ekipeve në terren. Demokratët e publikuan listën e drejtuesve për 12 qarqet disa ditë më parë, dhe siç pritej prodhoi debate e pakënaqësi që rrjedhin prej përçarjes që e shoqëron  PD nga 2021-shi.

Ndërsa tek socialistët, edhe me komoditetin që i ofron pushtetit, debatet apo kontestimet mbi lëvizjet që bëri kryetari i partisë nuk ishin të zëshme, e aq më pak mediatike, duke bërë që pakënaqësitë të qarkullojnë vetëm në tryeza të vogla e mes rretheve të besuara tyre.

Në 33 vite pluralizëm, kjo është përballja e 11-të në zgjedhje parlamentare mes PS e PD, dy prej partive më të mëdha që kanë mbajtur monopolin e opozitës dhe pushtetit me rotacion mes tyre.  Secila prej këtyre partive e ka gati listën me drejtuesit politikë në qarqe duke u lënë atyre të mbajnë triumfin e fitores apo edhe përgjegjësinë e humbjes.

Qarkun më të madh dhe që prodhon më shumë mandate, Tiranën,  PD-ja e Sali Berishës ia ka besuar Belind Këlliçit, ish-deputetit që la mandatit për të garuar për kryetar bashkie në Tiranë më 14 maj, por humbi thellë përballë Erion Veliajt me një diferencë prej mbi 60 mijë votash.

Këtë herë përballë Këlliçi nuk do të ketë vetëm Erion Veliajn. Edi Rama shtoi perforcimet, dhe peshën për drejtimin e qarkut kryebashkiaku do ta ndajë me Ogerta Manastirliun, ministre e arsimit dhe kryparlametaren Elisa Spiropali.

Ndërsa në Durrës përballja mes PS e PD do të marrë fytyrën e dy figurave të tjera. Socialistët ia kanë besuar drejtimin Emiriana Sakos, kryetares së bashkisë, që në zgjedhjet vendore të 14 majit fitoi me mbi 55% të votave. Sako do të jetë përballë Oerd Bylykbashit të demokratëve, i cili ndonëse merr për herë të parë drejtimin e këtij qarku, është një nga figurat më të atashuara të opozitë me këtë qytet, edhe pse në zgjedhjet e 4 viteve më parë u rendit vetëm i katërti ndër radhët e demokratëve për vota preferenciale, me vetëm 3.756 të tilla.

Beteja do të jetë interesante edhe për Shkodrën, ku socialistët shkojnë sërish me një kryebashiak, Benet Becin që i dha fitoren historike. Përballë tij demokratët kanë Luçiano Boçin, një figurë me rezultate shumë të mira si deputet në qarkun e Elbasanit ku arriti të thyente herësin me mbi 10 mijë vota, por ende i pasprovuar në një pozicion si drejtues qarku. Se sa Boçi do të mirëpritet në një ambient specifik siç është PD Shkodër mbetet për t’u parë.

Në Lezhë do të garojnë Ulsi Manja dhe Agron Gjekmarkaj. Si deputet në 2021-shin Gjekmarkaj mori 4067 vota nga rreth 34 mijë që mori vetë PD, ndërsa këtë herë sfidën e ka si i pari i qarku. Ndërsa ministri i Drejtësisë Ulsi Manja, i cili më herët ka qenë drejtues në Dibër, prej 3 vitesh është i përcaktuar nga PS në Lezhë. 4 vite më parë Manja garoi në Tiranë, ndërsa zgjedhjet e 2025-s mund të jetë sfida e parë e tij në një qark të rëndësishëm si Lezha.

Në Kukës socialistët kanë çuar sërish Pandeli Majkon, i cili në 2021-shin i lënë jashtë listës së sigurt në Tiranë, nuk arriti të fitonte mandatin me vota. Ai u bë deputet vetëm pasi largimit të Alqi Ballkos, duke zënë në parlament vendin e tij. Majko, një nga figurat më të vjetra të socialistëve do të ketë sërish përballë Flamur Hoxhën i cili në 2021-shi, si drejtues qarku dhe deputet siguroi për demokratët fitoren me dy mandate por në zgjedhje lokale nën drejtimin e tij PD ka humbur 2 herë Kukësin dhe një bashki bastion sicc është ajo e Tropojës.

Ndërsa në Elbasan ku gara bëhet për 14 mandate, përballë do të jenë dy figura të reja. Socialistët i besojnë për herë të parë drejtimin e një qarku Arbian Maznikut, një prej eksponentëve kryesorë të tyre në betejat e Tiranës, ndërsa demokratët me Ervin Salianjin që në Kavajë fitoi një prej 6 bashkive ku demokratët patën sukses në 2023-shin.

Fieri, edhe pse njihet si një bastion i së majtës garën pritet ta ketë të fortë. PS e PD shkojnë me figurat më të rëndësishme të tyre, socialistët me numrin dy të qeverisë, Belinda Ballukun, ndërsa demokratët me Gazment Bardhin, kryetarin e grupit parlamentar.

Niko Peleshi një figurë e atashuar mirë me Korçën, do ta drejtojë sërish këtë qark për socialistët. Ndërsa demokratët shkojnë me Ivi Kason të cilit për herë të parë i besohet ky post.

Në Gjirokastër palët nuk eksperimentuan. Përballë kanë lënë sërish të njëjtët, Mirela Kumbaron dhe Tritan Shehun që prej dekadash drejton PD-në në Gjirokastër ndërsa në 3 zgjedhjet e fundit parlamentare ka siguruar vetëm një mandat, atë të tijin.

Në qytetin e një mbi një dritareve, një tjetër kryebashkiaku i është besuar një qark nga socialistët. Në Berat me Ervin Demon, që në zgjedhjet vendore fitoi me mbi 16 mijë vota, PS pret të përsërisë suksesin. Ndërsa demokratët shkojnë në një fytyrë të re si Eno Bozdo, një personazh ende i paprovuar në një sfidë elektorale.

Vlora që garën e ka të fortë, për 12 mandate përballë do të ketë Bujar Leskajn e demokratëve dhe Bledi Çuçin që më herët ka drejtuar Beratin e Gjirokastrën. Në zgjedhjet e 2021-shit, PS fitoi 8 mandate, ndërsa PD vetëm 4.

Ndërsa në Dibër, ku aktualisht udhëheqin demokratët me 3 mandate gara do të jetë mes Blendi Gonxhes së PS-së, që për herë të parë i besohet një post kaq i rëndësishëm në parti dhe Xhelal Mziut, që ka udhëhequr fushatën për opozitën edhe në 2021-shin.

Socialistët janë të vetëm, në një prej garave më të rëndësishme, siç është ajo për votën e diasporës. Rama ia ka besuar këtë post Taulant Ballës një prej figurave më të rëndësishme të partisë, ndërsa demokratët edhe pse prej vitesh kërkojnë votën e emigrantëve, ende nuk e kanë një udhëheqës politik për ta.

EMRAT E DREJTUESVE POLITIKË TË PS DHE PD NË 12 QARQET
Qarku Tiranë
- PS/ Erion Veliaj, Elisa Spiropali, Ogerta Manastirliu
- PD/ Belind Këlliçi
Qarku Shkodër
- PS/ Benet Beci
- PD/ Luçiano Boçi
Qarku Kukës
-PS/ Pandeli Majko
-PD Flamur Hoxha
Qarku Dibër
-PS/ Blendi Gonxhja
-PD/ Xhelal Mziu
Qarku Lezhë
-PS/ Ulsi Manja
-PD/ Agron Gjekmarkaj
Qarku Durrës
-PS/ Emiriana Sako
-PD/ Oerd Bylykbashi
Qarku Elbasan
-PS/ Arbian Mazniku
-PD/ Ervin Salianji
Qarku Fier
-PS/ Belinda Balluku
-PD/ Gazmend Bardhi
Qarku Berat
-PS/ Ervin Demo
-PD/ Enno Bozdo
Qarku Korçë
-PS/ Niko Peleshi
-PD/ Ivi Kaso
Qarku Vlorë
-PS/ Bledi Çuçi
-PD/ Bujar Leskaj
Qarku Gjirokastër
-PS/ Mirela Kumbaro
-PD/ Tritan Shehu
PS/Taulant Ballen drejtues politik për Diasporën
PD pa drejtues

SI.E./E.B/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:

    Rama e deputetët e vjetër të PS në lista të hapura, është vendimi i duhur?



×

Lajmi i fundit

Viti i ri shkollor, Gonxhja në shkollën 'Gjergj Canco': Kërkesa të larta për të gjitha drejtimet profesionale

Viti i ri shkollor, Gonxhja në shkollën 'Gjergj Canco': Kërkesa të larta për të gjitha drejtimet profesionale