Zgjedhjet dhe manipulimi
i ndasive të rreme politike

Zgjedhjet dhe manipulimi <br />i ndasive të rreme politike
TIRANE - Një ndër mësimet e mëdha që tregonin pleqtë e urtë ishte një mesele, (parabolë biblike apo rrëfenjë popullore) që me fjalë të përmbledhura tregohej kështu. Në një katund kishte një familje që kishte bërë mirë dhe të gjithë të tjerët ishin të dalë dore dhe kishin bërë të 99-tat, pak a shumë si puna e 99-shave dhe e njëshave tonë. Perëndia kishte vendosë me i ndëshkue të këqinjtë, mirëpo meqë ky plaku i familjes kishte bërë mirë, e paralajmëron që uji i pusit të katundit do të ndryshonte dhe i tha të mos pinte ujë sepse të gjithë ata që do të pinin do të bëheshin budallenj. Mbas tridhjetë ditësh uji do të bahej normal, dhe plaku e familja e tij do të mund të pinin prapë. Por të tjerët do të mbeteshin jonormalë. Plaku i kësaj shtëpie i lajmëroj të gjithë bashkëfshatarët dhe iu tha të pinin vetëm ujë nga pusi që ai e kishte hapur për familjen e tij. Ata nuk e dëgjuan se thanë që ky plaku nuk po din cka flet. Kur i mori etja, shkuan e pinë ujin e pusit të katundit (kronin, burimin) dhe luejtën mendsh të gjithë. Plaku që pinte ujë me vete, në pusin e tij, e shikoi gjendjen e katundit, pa se i gjithë katundi kishte marrë lodrën, dhe kërcenin … Atëherë ai i vuri ne rresht familjarët, robt e shtëpisë dhe i vuni me pi ujë se “nuk ban me u da shokësh.”

Morali i kësaj fabule është se njeriu duhet të bëjë si bëjnë të gjithë, sepse nuk jetohet vetëm. Po luajtën mendsh të gjithë, duhet të luash mendsh edhe ti sepse jeta bëhet e padurueshme. Por kur bëhen të gjithë budallenj nuk ka më të vërtetë. E vërteta dhe realiteti është marrëzia ku jetojnë të gjithë. Marrëzia ndjek logjikën e vet dhe realiteti duket pikërisht ai që nuk është e që nuk duhet me kenë. Këtë synon paria e Tiranës dhe për këtë arritjen e këtij qëllimi po punon shumë ethshëm.

Problemi i Përsëritjes së Veprimit si Marrëzi

Tashti në cfarë gjendje jemi ne dhe si e shohim realitetin ku jetojmë? Ne na ka harrue Fati me kohë, e një kohë e kemi pasë harrue edhe ne, por kur sheh cfarë marrëzirash po bajmë si komb, nuk kuptohet se si është e mundur të ndodhë kjo gjë. Sepse shenja e marrëzisë nuk është tjetër pos përsëritja e një veprimi të gabuem e që të shkakton dëm e dhimbje ma shumë se dy herë. Dhe ne kemi shumë herë që përsërisim të njëjtën gjë.

E cilat janë shenjat e marrëzisë sonë? Një njeri që shkatërron pasurinë e tij të gjithë e quajnë budalla, por ne e aprovojmë, jo vetëm kur shkatërron pasurinë e tij, por edhe tonën, pasurinë kombëtare. Një njeri që shet motren e tij, të gjithë e quajme kriminel, e pra ka shume shqiptarë qe kane shitur shqiptaret dhe ne iu bejme vend ne tavolina dhe këta që i zgjedhim janë shefat e kriminelëve. Nje njeri qe vjedh miliona i themi zotni ne vend qe ta varim ne shtyllen me te parë, por i kemi lënë këta banditë të vjedhin miliarda. Nje njeri qe shitet tek gjithkush ne e quajme te forte dhe i bejme temena edhe kur e përdor forcën me na zvetënue e me na degjenue fëmijët e të ardhmen. Nje njeriu qe mbledh nje bande me cuba i japim voten dhe shesim te ardhmen e femijeve tane dhe e quajmë trim. Dikujt qe ve nje cope derrase tek nje ndertese, “Universiteti i Marrezise” dhe vë vjehrrën sekretare, e ka vetëm një printer me ngjyra ne i paguajme parate per nje cope leter që ai thotë se është diplomë dhe ne e besojmë. Dikush që mblodi paratë e njerëzve në një thes, e quajti atë bankë, i futi në xhep e krisi iku, në i besuam dhe ia lamë paratë në dorë, dhe emrin kjo figurë e kishte Maksude Kadena, kapteri Vehbi apo “gjenerali i popullit” Rrapush Xhaferi.

Por ka edhe më keq. Nuk ka rëndësi se cka themi me vete e në dhomën e gjumit. Në kafene, në rrugë në miting, në punë, në takime e në dasma themi pikërisht atë që duan këta. Marrëzia e një populli nuk ka brina. Marrëzia është me ba atë që të bën dëm, me e përsëritë gabimin dhe mos me u mendue dy herë se a është mirë a keq. A nuk po bëjmë ne kështu?

Meqë lista e cudive tona është bukur e gjatë po ndalem tek një nga veprimet më të jashtëzakonshme që kemi bërë. Cdo katër vjet ne zgjedhim të njëjtët kriminelë e banditë të parisë së Tiranës në krye të shtetit. Edhe kur na trafikojnë familjarët, na i zgjedhim. Edhe kur na shtyjë në krim, ne i zgjedhim. Edhe kur na vrasin e na vjedhin, ne i zgjedhim. Edhe kur na bajnë me u sjellë si llumin e botës, ne i zgjedhim. Edhe kur na mashtrojnë, edhe kur na poshtërojnë ne prapë i zgjedhim. Edhe kur na fusin në borxh, edhe kur e shesin pasurinë kombëtare, nderin e të ardhmen tonë, ne prapë i zgjedhim. Edhe kur e kanë kthyer vendin në një motel një orësh gjigand, në prapë i zgjedhim. Edhe kur dalin si Sali Berisha e Ilir Meta mbas zgjedhjeve e bajnë koalicion pikërisht ata që e quajtën njëri tjetrin ‘spiun të serbëve,’ ‘klani i Zemunit’ e ‘të shitur’ ne prapë i zgjedhim. Bile i duartrokasim dhe i brohorasim. E sata herë është që ne i zgjedhim këta? Cka duhet të bëjnë këta banditë që shqiptarët të mos thonë në klub “osht mbret Sala, mbret,” apo “Edi, ti je njish,” “është flori Ilir, ua futi të gjithëve”

A nuk është ky veprim një budallallëk, nuk ka rëndësi në se është i qëllimtë apo jo? Përgjigjen duhet ta nxjerrin vetë lexuesi. Për mua është budallallëk që të shkosh më këmbët tuaja dhe të votosh për kriminelin që të ka marrë jetën, nderin, të ardhmen, pasurinë, fytyrën, e që ka si qëllim me të skllavnue për jetë. Shihe vetëm një askpet. Këta na cmenden duke folë për integrim dhe duke na tundur para syve të ardhmen ne Europë. Kurrë nuk ka pasë Europë për ne. Tash nga qeveri e integrimit, thonë se duan të jenë qeveri e punësimit. Po cfarë punësimi!? Në shtetin shqiptar ka një million të papunë. E vërteta është se paria e Tiranës janë një tufë banditësh me mendjen tek skllavërimi.

Objektivi i Marrëzisë kolektive


Edhe marria e poshtërsia e sjelljes së parisë e kanë një logjikë të vetën. Objektivi është skllavërimi i shqiptarëve përmes manipulimit. Për shembull Sali Berisha shkoj në një forum ekonomik ku kishin shkuar shumë ekspertë te ekonomise boterore dhe iu tha se do të mbillte 1,250,000 rrënjë arra. Ata panë njëri-tjetrin dhe tundën kokat. Mënjanë e privatisht e quajtën baudet d.m.th., “zog gomarit” qe shqiptohet ‘bode’ njelloj si emri i ministrit tone qe ka studjuar ne France si Sala. Mirëpo, Sali Berisha thotë marrina, por nuk është krejt i marrë anipse krejt i pacipë. Puna është se Saliu po iu fliste katundarëve të vet që nga Parisi. Dhe me mendjen katudnare këta të shkretët që e dëgjonin nga ekrani vendosën se ky që ua thotë edhe të huajve, e ka seriozisht që do të mbillte 1,250,000 arra. Ky preu dy mijë arra që kishim dhe ministri që ka në qeveri i shiti në vitin 1992. S’ka mbjellë asnjë arrë. Por ai thjesht mendon për manipulimiin e tyre jo për arrat. Kjo sjellje është shumë illustrative e sjelljes së parisë dhe e kultivimit të marrëzisë.

Edhe këta të tjerët thonë marrina, por, ashtu si Saliu nuk janë aspak të marrë. Del Edi Rama e thotë se shkoja 16 vjec një orë tek bunkeri. Del Ilir Meta e flet per zhvillim në një call center. Kujt iu flasin? Në mendjen e tyre, këta iu flasin të marrëve, atyre që nuk kuptojnë, te djegurve per seks, atyre që nuk mendojnë, atyre që e hanë sapunin për djathë, katundarëve të pagdhendur, shpellarëve e malokëve të Jugut e të Veriut. Djemve e vajzave të uritura të getove të katundeve gjigande që nuk kanë të ardhme tjetër vec epsheve të mishit. Në mendjen e tyre këta i flasin popullit ‘pis’ shqiptar, sepse kështu i ‘don mushka drutë,” se ‘kështu e lypin këta’ e me radhë.

Teknika e polarizimit dhe Zgjedhjet

Mirëpo, kur vjen puna tek zgjedhjet djallezia e tyre mbrrin ekstremin e mundshem. Keta i bejne njerezit qe me votue per ta me entuziazem. Askush më parë nuk e ka mbrrite kete. Enver Hoxha te vinte ne rresht e te fuste ne burg. Keta te bajne me shkue me kambet tuaja ne qendren e votimit. E duhet me ua shpjegue njerëzve mekanizmin qysh po ua hedhin trutë e marrisë këta jeniceret e cubat e Enver Hoxhës. Teknika quhet polarizim. Me e perkthye me gjuhe popullore don me thanë kur rrahen dy vetë fiton e treti, latinisht, divide et impera. Kur rrahen dy palet e shqiptarëve fiton paria. Se kur fillojnë e rrahen dy vetë nuk pyetet ma se kush e filloj sherrin, objektivi është me rrahë kundërshtarin.
Thelbi i lojës politike që luhet në Tiranë është ndarja e njerëzve në mbështetës në kundërshtarë për vdekje të palës tjetër. Në këtë mënyrë, të dy palët e parisë që bien dakord për gjithcka ia arrijnë që të ndajnë njerëzit dhe t‘i mobilizojnë mbështetësit në luftën me kundërshtarët. Mirëpo në rastin shqiptar manipulimi i ndasive dhe polarizimi është krejt i rremë dhe një lojë e parisë. E megjithatë janë pesë paradokse që habisin gjithkënd që merret me shqiptarët, përvec shqiptarëve që mendojnë se ky është normaliteti gjithkund tjetër.

Së pari, paria e Tiranës nuk beson në këto ndasi. Shembulli më i qartë jepet nga lufta e paskrupullt mediatike që Sali Berisha i ka bërë Bllokut dhe komunistëve. E megjithatë, kur mbaruan zgjedhjet, ai u turr të bënte koalicion me Ilir Metën dhe tha se “e gjithë ajo që kam thënë ishte për fushatë. Nuk e kuptuat ju?” mbështetësve që ndenjën me gojën hapur, iu hyri dhe iu doli miza nga goja, por nuk e ndjenë. Ishin krejt të topitur. Të gjithë e kuptuan se Saliu luan me ta, i konsideron budallenj. E vetmja ankesë që kishin ishte se “I dha ma shumë përqindje.” Por ajo që nuk duhet të harrohet është se me gojën e tyre edhe Edi edhe Saliu e kanë pranuar se sundojnë me marrëveshje. Të gjithë palët e dinë se si do të veprojnë edhe në këto zgjedhje. Kanë bërë marrëveshje dhe ka mbaruar ajo punë. Vetëm bëjnë cirk për të argëtuar shqiptarët edhe 99 ditë të tjera.

Së dyti, ky paradoks është thelbi i lojës. Paradoksi i dytë është që këta baltosen në publik, por po japin shfaqje sepse merren vesh për bukuri. Kjo është nje teknikë e njohur që nga koha e fletërrufeve. Shante vëllai vëllanë e mandej shkonte në shtëpi e qanin bashkë. Këta shahen, rrahen, mbushin xhepat e mandej qeshin e tallen me ne të tjerët. Si e dimë këtë? Po ja, të gjithë u morën vesh për kodin zgjedhor, për ligjet, për numrin e deputetevë në qarqe, për listat… si dhe për të vjedhur votat e partive të tjera. Kush ka hyrë në burg në shtetin shqiptar? Askush. Kush u verifikua dhe shkoi në burg? Askush. Kush do të shkojë në burg? Askush. Këta mbyllën Gërdecin, 21 Janarin, e lista është e pafund.

Së treti, këta kanë krijuar një atmosferë mbytëse që e ka cuar shoqërinë në një nivel marrëzie kolektive e injorance të frikshme. Masa e komentatorëve injorantë, të shtirë e të shitur, prashisin llomotitje pa ndërprerje. Nuk kanë të numëruara gafat, marrëzirat, poshtërsitë e budallallëqet. Ja për shembull në vend që të merren me hallet e vërteta, me borxhet, me ekonominë, me dështimn e integrimit, me mungesën e shpresës për të ardhmen, me brezat e humbur, me papunësinë, me emigrantët, me shpërdorimet, korrupsionin e me rradhë këta merren me… komentin e Zhejit, batutën e Batonit apo paragrafin e fundit të Shkullakut tek MAPO. I sheh gjashtë burra, apo më mirë gjashtë vetë, që grinden tre orë, “ky fiton, jo ai fiton” e pe këtë, ky tha, jo po se e tha e me radhë. Tre orë të tëra që i bombardojnë shqiptarët e shkretë me marrinë e tyre, po pyetësore, me deklarata popmpoze dhe i bindin se zgjedhja është ose njëri ose tjetri. Nuk thotë njeri vec Fatos Lubonjës që ndodh që e harron fillin e mendimit, dhe që këta me qëllim ia presin fjalën, se zgjedhja e vërtetë është kundër të gjithëve. Këta janë të gjithë në një tavë por po mundohen thjesht që të përcajnë shqiptarët.

Së katërti, kriminalizimi, korruptimi, sjellja e jashteligjshme. Përmes pronave, investimeve, lidhjeve e punësimit paria e Tiranës i polarizon njerëzit. Kjo është mënyra me të cilën katundari lidhet me shtetin. do punë? Duhet të shkosh tek sekseri i parisë. Do të legalizosh shtëpinë? Shko tek filani. Do të të fitosh ndoj lek. Shko tek filanja. E me radhë. Prandaj këta mbajnë një shoqëri të jashtëligjshme, me prona të vjedhura, të palegalizuara. Këta e dinë se për sa kohë nuk i ka letra në xhep, katundarin nuk e zë gjumi. Ajo shprehja “qeveria e zë lepurin me qerre” i përmbledh të gjitha. Katundarët tanë mbahen për atë të shkretën pronë. Duke mos ua legalizuar, dhe nuk do t’ua legalizojnë, se nuk janë aq budallenj, paria e Tiranës janë duke i ngrënë të gjallë, katundarët dhe pronën e tyre. Paria e ka planin, por katundarët ende nuk e kanë kuptuar si duhet. Si gjithnjë do ta kuptojnë kur të jetë shumë vonë.

Së pesti, ëshë paradoksi i kultivimit të mendësisë tribal-katundare. E vetmja mënyrë me zgjidhë punët dhe me mbijetue është më u mbështetë pa kushte e deri në fund tek lidhjet që ke. Dhe lidhjet më të forta janë familja. Kështu, duke e mbajtur shoqërinë varur si vile rrushi, paria i ka detyruar të gjithë që të futen në kallëpe që ua vjedhin dinjitetin dhe nuk i lënë të jenë njerëz. Të gjithë e kanë dikë që është ndërmjetës me parinë dhe ai ndërmjetës kryen punë për gjithë bashkësinë dhe shpesh ai është njëriu më i ndytë i familjës apo I fisit. Prandaj ndodh që shkon Fatmir Mediu tek Shoqata dibrane e flet për bashkim. Nuk pyet Fatmir Mediu as për shqiparët e as për bashkimin e as për dashurinë midis shqiptarëve. Mediu ka ende një thes me kocka për të ndarë dhe prandaj të gjithë u ngritën në këmbë dhe e duartrokitën. Fatmir Mediu është as më shumë e as më pak një bandit e kriminel ordiner që duhet të përgjigjet për shumë krime që ka bërë si Gërdeci e me radhë sepse ky ishte ministri kur ndodhi hataja.

Së gjashti, ndarja në komunistë-antikomunistë. Edhe dje gazeta e shplarë RD, Rivdekja Demagogjike kishte një artikull për Marksin. Po kush nga paria pyet për Marksin? Këta e kanë harruar Marksin dhe Enverin. Këta e shohin veten zotni, kapitalista. Këta besojnë tek shfrytëzimi, kanë vënë miliarda, nuk kanë pyetur kur janë vrarë e prerë shqiptarët. Këta nuk e kanë këtë rrahje seriozisht. Sepse kur shqiptarët vazhdonin të thonin “ti je komunist” “jo ti je komunist” une jam i pesekutuar, ti s’je, këta po ndërtonin pasurinë e tyre. Kjo ndarje nuk ka vlerë. Se ka 23 vjet që dikush që ka bërë burg se e kanë zënë duke vjedhur pula na shitet si i persekutuar dhe ka 23 vjet që unë e të tjerë nuk kemi vend në shtetin tone. Por paria e përdor këtë loje sepse ka arritur që ndajë njerëzit dhe ti mobilizojë në bazë të kësaj ndasie kaq paradoksale sa i habit të huajt. Ndarja e vërtetë është në miliarderët e parisë dhe në shqiptarët e shfrytëzuar, të papunë, pa të ardhme, dhe pa shpresë. Ja edhe nje shenje tjeter e marrezise kolektive.

Pse ndodh kështu? Kjo i intereson parisë. Thelbi i teknikës së polarizimit apo i kultivimit të dasisë politike është që të bindësh tjetrin të besojë në të kundërtën e asaj që është e vërteta. Këta ia kanë arritur deri këtu. Tash ne që e themi të vërtetën jemi budallenj. Këta duan që ne të bëhemi si ai plaku i mencur që në fund u dorëzua dhe tha, edhe ne me shokët. Po i kanë bërë llogaritë gabim. Ne që ikëm kur e dinim se do të ndahej torta e krimit dhe nuk pranuam të jemi pjesë e saj, sepse do të përfitonim para e prona edhe vetëm po të rrinim urtë, nuk kemi pse i bashkëngjitemi lojës së tyre kriminale. Nuk do t’I bashkëngjitemi sepse ne nuk na duhen paratë e pronat e krimit.

Paria mendon t’ia hedhë edhe kësaj here duke besuar se shqiptarët e hanë sapunin për djathë, se i mban peng për pronat, për krimet, për poshtërsitë, për interesat e vogla, dhe duke i shtyrë të luftojnë komunizmin. Por atë që kërkon të jetojë me nder nuk e bën dot budalla. Mirëpo në Tiranë, ata kanë gjithcka për të mbajtur njerëzit peng dhe për ti bindur se realiteti është i pashmangshëm. Kontrollojnë shtetin, vlerat, paratë, mendësinë, median, pronat, punësimin, kafshatën e gojës, komentatorët, analistët, gazetat, televizionet, dhe thashethemnajën gjigande të kafeneve të njerëzve të papunë e pa të ardhme që nuk duan me kenë njerëz por shërbëtorë. Ky është mendimi që ata kanë për ne, e prandaj sillen në këtë mënyrë, duke kërkuar të na manipulojnë e të na përdorojnë edhe një herë tjetër. Më ke keqja është se janë të bindur që do t’ia dalin sepse deri më tani kanë qënë shumë të suksesshëm.

Në vend të Përfundimit

Në përfundim, unë jam edhe malok, edhe katundar, edhe shqiptar. Mue më dhemb në fund të shpirtit jo vetëm se jam katundar e malok, jo vetëm se jam shqiptar e jo vetëm se jam popull, por sepse e kam familjen teme atje, sepse unë e dua popullin tim dhe due me e pa ma mirë se gjithkënd tjetër. Më dhemb edhe ma shumë sepse unë nuk pranoj me pi ujin e marrisë së tyre. Por logjika e tyre është se shqiptarët pranojnë cka t’iu thuash. Dhe të huajt kanë nisur të beosjnë se keta kanë të drejtë. Kur sheh se cka kanë thanë, cfarë marrëzish kanë sendërtuar e cfarë poshtërsish kanë zbatuar, kur sheh se sa me afsh i aprovojnë njerëzit, edhe pse nuk i aprovon, e kupton logjikën e tyre. Për fat të keq, teknika e kultivimit të marrëzisë kolektive ka funksionue dhe po funksionon për ditë.

*Shkrimi u publiku nga vetë autori në rrjetin social Facebook

Redaksia Online
(Gre.M/Shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:
    26 Nëntor, 23:23

    A po japin rezultat protestat e PD-së?



×

Lajmi i fundit

Në krye të Champions League dhe asnjë gol i pësuar, Inzaghi: Jemi për në finale, krenar për Interin

Në krye të Champions League dhe asnjë gol i pësuar, Inzaghi: Jemi për në finale, krenar për Interin