U desh një votim për një forum pa forcë domethënëse në partinë Demokratike, si Forumi Rinor Demokratik, që të plasnin debatet e forta, kësaj radhe jo nga grupimi i Bashës por nga vetë mbështetësit radikalë të Sali Berishës. I kam ndjekur pothuajse të gjitha reagimet që kritikojnë Berishën dhe nxjerrin në rrjetet sociale parregullsitë e shumta madje shkojnë deri dhe në manipulime, sipas tyre gjithmonë. Në këtë betejë për parime bazë të demokracisë shumë shprehen të habitur se si mund të ketë manipulime të tilla!
Duke e njohur pak karrierën e kreut të ri Besard Xhaferri, mendoj se kësaj partie i shërben zgjedhja e njerëzve që ja kanë dalë vetë në jetë dhe nuk i detyrohen gjë lidershipit aktual dhe atij të kaluar. Por gjithmonë në këtë parti është një krah radikal, që është gati për të shqyer këdo me orkestrim! Sulme që shkojnë deri në familje apo fare e fis!
E megjithatë harrojnë se çdo garë që nga zgjedhja apo rizgjedhja e Lulzim Bashës në krye të PD e deri dhe garat e tjera më periferike kanë patur brënda vetes manipulime të dukshme. Të gjitha me dijeninë dhe leverdinë e zotit Berisha! Shumë prej tyre me pranimin e vetë autorëve që i kanë bërë duke i votuar, pranuan mbushjen e kutive të votimit për të arritur edhe normën e pjesëmarrjes. Madje në disa votime për rizgjedhjen e zotit Basha në 2021, dilte se kanë votuar mbi 130% e pjesëmarrësve! Kjo nuk quhej, pasi erdhi viti zero, ishte foltorja në 2021! Pothuajse çdo votim ka qenë i manipuluar, por krahu radikal shqetësimin e ka vetëm kur kjo bëhet pa bekim në të kundërt do të ishte i pranueshëm.
Por pavarësisht kësaj në Shqipëri është e qartë se partitë politike nuk janë strukturat që e aplikojnë demokracinë pastër, ku votuesit zgjedhin atë që ka platformën më të mirë. Ky është një fenomen i njohur dhe i vjetër sa vetë partitë shqiptare. Këto organizma e kanë vrarë demokracinë në Shqipëri, jo sot por që nga viti 1991 kur pluralizmi politik erdhi në tokën shqiptare. Por Partia Demokratike ka hyrë në një spirale të rrezikshme, duke tentuar të veshë një kostum mbi të vjetrin, atë të demokracisë të pastër. Duke harruar që kostumi i vjetër më parë duhet hequr plotësisht!
Dhe kjo është gjeneza e gjithë diskutimit, këtu krijohen gjithë pakënaqësitë, gjithë zhgënjimet që shpërthejnë si vullkan pa kontroll! Ky është edhe problemi bazë që ka opozita e sotme, tranformimi në letër nga një forcë që në 8 vite me Bashën në krye, u kthye në një “diktaturë”, dhe tashmë në vetëm 1 vit është lokomotiva e demokracisë së brëndshme. Por realiteti është krejt i ndryshëm, PD është larg së qeni një forcë demokratike e drejtë dhe me meritokraci, ku rritja në detyrë bazohet në angazhim.
Ky është në fakt problemi kryesor që ka gjithë opozita në Shqipëri, e ngecur në vetëm 4 familje që dominojnë skenën dhe prapaskenën. Kjo është diga që mban larg prurjet që mund të sjellin diferencën reale dhe ta rikthejne opozitën në partinë e denjë për kohën që jetojmë!
E ndërsa zgjedhjet lokale janë te pragu, PD po humbet rrugën në diskutime intensive për procesin e zgjedhjes së kandidatëve, duke harruar se më i rëndësishëm është kandidati. Një betejë e humbur, ku mjaftojnë vetëm disa pakënaqësi për të nxjerr në pah realitetin e hidhur opozitar.