Zgjedhjet presidenciale, A1 Report
sjell zërat nga sheshi Maidan 

Zgjedhjet presidenciale, A1 Report<br />sjell zërat nga sheshi Maidan 
UKRAINË - Gjashtë muaj pas revolucionit që rrëzoi nga regjimi ish-Presidentin e Viktor Janukoviç, ukrainasit iu drejtuan kutive të votimit për të zgjedhur pasardhësin e tij. Me një rezultat surprizë, miliarderi 48-vjecar Petro Poroshenko arriti të fitojë zgjedhjet presidenciale të 25 majit me 54.7 % të votave duke eliminuar dhe nevojën e një raundi të dytë dhe njëkohësisht përballjen me rivalen më të mundshme, Julia Timoshenko. ish kryeministrja, një prej lidereve të revolucionit portokalli nuk arriti të marrë as 13 % të votave.

Procesi u cilësua demokratik dhe brenda gjithë standardeve demokratike nga misioni i OSBE-ODIHR, më i madhi që ka vëzhguar ndonjëherë zgjedhjet në një vend. 
 
Ola, mjeke në profesion thotë se erdhi në dhjetor nga qyteti i saj Zhytomir, rreth 150 km larg Kievit menjëherë sapo pa pamjet e protestave të dhunshme që shpërthyen në Maidan.
 
“Kam qëndruar këtu që në fillim të dhjetorit, unë jam mjeke dhe gjatë përleshjeve kur policia Berkud filloi të sulmonte protestuesit jam përpjekur të ndihmoj të plagosurit, ata që ishin viktima të dhunës së policisë. Madje në një rast ndërsa përpiqesha të ndihmoja një djalë të ri poshtë urës nisën të më qëllonin. me pas shefi i policisë më erdhi afër dhe filloi të më bërtiste më të madhe duke më pyetur se përse po e ndihmoja”, shprehet Ola.
 
Pavarësisht se turmat nuk janë më, Maidan vazhdon të jetë i mbushur me tenda dhe njerëzit thonë se nuk kanë ndërmend të largohen prej aty deri sa të ndëshkohen të gjithë ata që qëlluan kundër protestuesve.
 
“Do të vazhdoj të qëndroj këtu deri sa të mbarojnë protestat në lindje të Ukrainës. Ata që duan të jetojnë në Rusi le të shkojnë në Rusi dhe jo të na ndërtojnë Rusinë e tyre këtu në Ukrainë. ndërsa kërkesa jonë kryesore është që Krimea të jetë serish pjesë e Ukrainës. Do të vazhdojmë të qëndrojmë këtu deri sa situata të qetësohet në të gjithë vendin, ” shprehet Ola.
 
Vode Vuxhimish është një tjetër prej atyre që qëndrojnë nëpër tendat e Maidan. I ardhur nga Polonia shumë vite më parë, ai jep mësim të gjuhës polake në universitetin e Kievit dhe ka qenë dëshmitar i protestave të dhunshme në këtë shesh, që i kanë marrë jetën më shumë se 100 protestuesve.
  
“Të gjithë ata që janë fajtor për vrasjen e njerëzve të ndëshkohen. Veç kësaj, jo vetëm ata që i kanë duart e lara me gjak por edhe ata që bashkëpunuan me regjimin e vjetër duhet të ndëshkohen. Nuk po flas vetëm për bashkëpunëtorët e Viktor Janukoviç por edhe për bashkëpunëtorët e regjimit të mëparshëm komunist. Sepse nuk bëhet fjalë thjesht për vite, dekada apo histori. Këto janë vitet dhe dekadat e jetës së gjithsecilit prej nesh. Pra pse Polonia përshembull, vendi i të pareve te mi është duke ecur shume mirë ne Bashkimin Europian ndërsa Ukraina vijon të qëndrojë në errësirë. Përçarja e vendit është thjesht pasojë e gjithë kësaj situate. Çdo periudhë tranzicioni ka fillimin e vet dhe qëllimin që duhet arritur dhe përsa kohë vendi nuk do të lejohet të vijojë rrugën e tij, do të vazhdojë të qëndrojë i zhytur në ujera të turbullta dhe për shume njerëz kjo situatë është me shumë përfitim. ndaj duhet t’i japim fund gjithë kësaj që të kemi një vend demokratik 100 %, sa më shpejt të jetë e mundur”, – thotë Vode Vuxhimish.
 
Petro Poroshenko, biznesmeni i suksesshëm miliarder dhe politikani i pavarur ishte favorit në sondazhe që në fillim të këtyre zgjedhjeve. Ai është një ish-ministër i tregtisë dhe ka qenë kryetar i bordit të bankës qendrore të Ukrainës. I njohur edhe si Mbreti i Çokollatës, Poroshenko kontrollon grupin e prodhimit të ëmbëlsirave Roshen. Por fitorja e tij pavarësisht mbështetjes së madhe që mori nuk i bind shumë protestuesit në euromaidan të cilët kësaj here janë edhe më mosbesues se ç’ishin 9 vjet më parë pas triumfit të Viktor Jushçenkos pas revolucionit portokalli.
  
“Sot, ndryshe nga sa ndodhi gjatë revolucionit të parë, sot kemi një shoqëri civile më të fortë dhe njerëzit nuk janë më naivë dhe nuk besojnë aq lehtësisht sa i besuan Jushçenkos  9 vite më parë. ndaj sot arsyeja kryesore pse Maidan duhet të vazhdojë, është që të mos shohim thjesht fjalë por veprime”, – thotë Vode Vuxhimish.
  
“Do të jem e kënaqur vetëm kur të shohim ndonjë rezultat konkret nga presidenti dhe partia e tij sepse jeta këtu është tepër e vështirë. Është thuajse e pamundur të jetohet me këto rroga që kemi sepse pas revolucionit, kriza ekonomike është bërë edhe më e rëndë. Duam të shohim veprime jo vetëm fjalë nga qeveria, ndaj kjo është arsyeja më e madhe pse do të vazhdojmë të qëndrojmë këtu”, -thotë mjekja Ola.
 
Megjithatë ka shumë që besojnë se Poroshenko ishte zgjedhja më e mirë e mundshme për Ukrainën në këto momente. Ai nuk është një filo-rus dhe as nuk u bë pjesë në revolucionin që rrëzoi Janukoviç, çka tregon se mund të ruajë mirë një pozicion të balancuar mes BE dhe Rusisë.

Por jo vetëm, duket se për herë të parë shumica e ukrainasve qoftë në lindje apo në perëndim ishin në një mendje për njeriun që do të drejtojë këtë vend.
 
“Sa i takon zgjedhjeve, jam shumë e lumtur që patëm vetëm një raund sepse të gjithë mendonin se do të kishim dy raunde siç edhe ka ndodhur në të kaluarën. Dhe në fakt edhe kandidatja tjetër Julia Tymoshenko kishte shumë shpresa se do të garonte në raundin e dytë përballë Poroshenkos, por më vjen mirë që gjithçka mbaroi shumë shpejt. Së dyti jam shumë e kënaqur që të gjitha rajonet e Ukrainës shprehën të njëjtin vullnet. pra shumica e ukrainasve, jo vetëm në lindje apo vetëm në perëndim, por të gjithë bashkë votuan për Poroshenkon”, - thotë Olha Bosak.
 
Nuk është thjesht Poroshenko. Në 20 vitet e fundit, ka ndodhur që në Ukrainë, pjesa lindore ka votuar krejt ndryshe nga ajo perëndimore dhe ishte pikërisht lindja që zgjidhte presidentin e gjithë vendit, ndërsa ukrainasit në perëndim apo në qendër të vendit nuk kishin Presidentin që donin, me përjashtim të Jushçenkos. Ndaj kjo gjë ndodh për herë të parë që e gjithë Ukraina është e bashkuar dhe kjo është një prej arritjeve më të mëdha të këtij revolucioni.
  
“Ajo që është më e rëndësishme është që presidenti i ri të mos e marrë rezultatin si ndonjë triumf të tijin. Është pozitive që zgjedhja e presidentit mbaroi me një raund që të mos presim më gjate, pasi situata në lindje të vendit nuk duron më ndaj duhet që autoritetet të jenë sa më të vendosura. Është mirë edhe sepse në këtë mënyrë zgjedhjet nuk shkaktojnë dyshime tek askush në botë për legjitimitetin e tyre, por duhet të bëjmë ç’është e mundur të evitojmë një përsëritje të asaj që ndodhi 9 vjet më parë pas fitores së Jushçenkos i cili i pranoi rezultatet e zgjedhjeve si një dhuratë dhe falë besimit të njerëzve. Personalisht nuk i besoj Poroshenkos, vetëm pasi të tregojë se e meritonte këtë fitore”- thotë Olha Bosak.
 
Në fjalimin e tij të parë të fitores, Poroshenko premtoi mes të tjerash një amnisti për rebelët pro rusë që kanë marrë armët por i quajti të gjithë ata që kanë vrarë njerëz në lindje terroriste, ndërsa premtoi t’i jap fund kaosit dhe të sjellë paqe për të bashkuar Ukrainën. Një tjetër premtim i tij ishte dhe rikthimi i Krimesë, gadishullit autonom të aneksuar nga Rusia në mars të këtij viti, çka për shumë duket e pamundur. Olha Bosak, themeluese e Fondit për lirinë e Ukrainës, i cili mbështet ushtrinë e vendit, thotë se negociatat me Rusinë janë të nevojshme për të gjetur mënyrën më të mirë për të bashkëjetuar me këtë fqinj problematik. Por se tashmë rikthimi i Krimesë është diçka që s’mund të ndodhë dhe se presidenti i ri nuk duhet ta kishte bërë një deklaratë të tillë. Ajo shpreson që Poroshenko të vërtetohet një lider i suksesshëm aq sa dhe në biznes, ndërsa e ardhmja europiane e vendit nuk ka më kthim pas.
 
“Ai është një biznesmen i suksesshëm, por shpresoj që ambiciet e tij do të jenë më të mëdha se thjesht në fushën e biznesit. Shpresoj shumë që ai do të ketë një objektiv madhor që të kemi një vend të fortë ekonomikisht, por jo vetëm. Pra shpresoj që të behet edhe një lider i suksesshëm i vendit sepse ka gjithë potencialin, ndaj shpresoj që ta përdorë dhe të punojë për të mirën e vendit.”- thotë Vode Vuxhimish.
  
E ndërsa Kievi tashmë ka rifituar qetësinë dhe vizitohet çdo ditë nga dhjetëra turistë kuriozë të shohin shenjat e revolucionit, protestuesit anti qeveritar që vazhdojnë të qëndrojnë në Maidan, po sfidojnë edhe kryebashkiakun e ri Vitali Kliçko që u zgjodh në po  25 maj. Ish-kampioni i botës në boks që tashmë do të drejtojë kryeqytetin ukrainas me 2,8 milion vetë kërkon largimin e tendave, por protestuesit duan të shohin ndëshkimin e gjithë zyrtareve dhe policeve qe ushtruan dhune përndryshe kërcënojnë protesta edhe më masive.
 
“Nuk ka asnjë arsye pse të largohemi nga Maidan deri sa ata që vranë protestuesit këtu të ndëshkohen. Veç kësaj nuk kemi nevojë për kaq shumë njerëz në qeveri por më shumë veprime konkrete prej tyre.
Nëse qeveria e re, presidenti apo kryetari i bashkisë do të përpiqen të na largojnë nga këtu do të nisë një revolucion i ri. Nëse para pak muajsh kishte rreth 2 milionë vetë në këtë shesh, do të vijnë dhjetëra milionë herës tjetër.”- shprehet mjekja Ola.
 
Por sfida më e madhe jo vetëm e presidentit të ri Petro Poroshenko dhe e qeverisë së tij, por e të gjithë Ukrainës,  mbetet rajoni Donbas në lindje të vendit, ku luftimet mes grupeve të armatosura pro-ruse dhe ushtrisë ukrainase vazhdojnë, ndërsa numri i viktimave sa vjen e rritet. Beteja më e ashpër u zhvillua të hënën në Donetsk ndërsa pro-rusët u përpoqën të marrin nën kontroll aeroportin ndërkombëtar por u zbrapsën nga avionët dhe helikopterët forcave ukrainase. Liderët pro rusë kanë shpallur pavarësinë e Donetskut dhe Luhanskut duke premtuar se do t’i bashkangjiten Rusisë, por duket se kësaj here, ndryshe nga sa ndodhi me Krimenë presidenti rus ka injoruar thirrjet e tyre.

Vladimir Putin ka deklaruar mbështetje për një plan paqeje të OSBE-së për nisjen e një dialogu politik.

Rusia ka deklaruar se është e gatshme të punojë me Presidentin e ri Petro Poroshenko, por i ka kërkuar qeverisë ukrainase t’i japë fund operacionit në lindje te vendit. Cilado qoftë rruga që Poroshenko do të zgjedhe për t’i dhënë fund krizës në lindje dhe për të negociuar me Moskën, vetë ukrainasit janë të bindur se e ardhmja e vendit tashmë është e përcaktuar dhe se nuk do të lejojnë askënd, qoftë edhe presidentin me qeverinë e re të ndryshojë ketë rrugë.
 
Erjona në ukraine
 (Në foto: Protestuesja Ola Bosak dhe gazetarja Erjona Rusi në Ukrainë) Foto të tjera

“Shpresoj që nuk ka njeri në këtë botë në këto momente që të mendojë se ukrainasit do të lejojnë çdo president apo qeveri që të ndryshoje këtë drejtim edhe një herë, pra drejtimin drejt Bashkimit Europian dhe kjo duhet të jetë e qartë për të gjithë brenda dhe jashtë Ukrainës. Kjo gjë është vendosur dhe pikë, drejtimin e kemi zgjedhur dhe populli e ka vërtetuar këtë, fatkeqësisht duke dhënë edhe jetën e tyre këtu në këtë shesh. Prandaj shpresoj që nuk do të ketë më diskutime rreth kësaj”, - shprehet Ola.

Redaksia Online
(Shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:
    25 Nëntor, 08:30

    Takimet jashtë, mendoni se diaspora do marrë pjesë masivisht në votime?



×

Lajmi i fundit

Operacioni i SPAK, masë arresti me burg edhe për ish-shefin e krimeve tek Komisariati nr.6 Dedan Gjoni, aktualisht në burg për sigurim kushtesh për vrasje

Operacioni i SPAK, masë arresti me burg edhe për ish-shefin e krimeve tek Komisariati nr.6 Dedan Gjoni, aktualisht në burg për sigurim kushtesh për vrasje