Zgjedhjet varen nga komisionerët

Zgjedhjet varen nga komisionerët
(Ish kryetari i Gjykatës së Kasacionit Zef Brozi  jep sugjerime ne lidhje me reformen zgjedhore per te shmangur vjedhjen e votave.  Brozi thote se këto sugjerime e të tjera do të mundohet tia dërgoj edhe me e-mail Komisionit të Reformës Zgjedhore duke shpresuar qe t'a ndihmoj sadoak në punën e tij delikate dhe me rëndësi jetike për Shqipërinë. Pjesa e pare e shkrimit u publikua dje në gazetën shqiptarja.com me titull   “Si duhet të shmangen vjedhësit e zgjedhjeve”. Sot lexoni pjesen e dyte te sugjerimeve te Brozit. )

Komisionet e Qendrave të Votimit dhe Numerimit të Votave Ndryshime rrënjësore duhen bërë edhe në përbërjen, mënyrën e zgjedhjes dhe funksionimit të komisioneve në qendrat e votimit dhe numërimit. Le të përfitohet nga përvojat më të mira ndërkombetare dhe që i përshtaten edhe vendit tonë. Mendoj se Meksika, edhe pse nuk dallohet për një shtet të konsoliduar demokratik, meqënëse deri më 1986 aty ishte problem i madh
manipulimi i zgjedhjeve (siç është edhe sot në Shqipëri), ofron një model te shkëlqyer për Shqipërinë lidhur me Komisionet në Qendrat e Votimit.
Këto komisione në Meksikë nuk janë caktuar nga partitë, por Instituti i Zgjedhjeve (kështu quhet Komisioni i Zgjedhjeve) i cili i përzgjedh nga radhët e qytetarëve. Shërbimi në administrimin e zgjedhjeve konsiderohet nga shtetasit si një detyrim civil e qytetar, i ngjashëm me juritë në Amerikë. Në zgjedhjet e vitit 2006 Instituti i Zgjedhjeve përzgjodhi 7.2 milionë shtetas për t’i trajnuar për zgjedhjet dhe nga këta seleksionoi 913000 vetë si më të mirët për të drejtuar zgjedhjet në 136477 qendra votimi. Këto komisione të vetë shtetasve përgatisin qendrën e votimit dhe organizojnë gjithe procedurën e votimit, bëjnë numerimin e votave dhe nxjerrjen e rezultateve të votimit në qendrën e tyre. Vëzhguesit e partive politike, organizatave joqeveritare dhe të institucioneve ndërkombëtare kanë të drejtë të vëzhgojnë gjithë procedurën e votimit dhe numërimit të votave. Politikanët në Shqipëri duhet të fillojnë të kenë besim jo tek militantët partiakë, por tek qytetarët aftësite e tyre për të marre përgjegjesi dhe për të kryer me korrektësi e ndershmëri detyrën në qendrën e votimit dhe për të bërë zgjedhje të lira e korrekte. Kjo ka edhe përfitime të shumanshme. Sëpari, duke trajnuar për zgjedhjet një masë të madhe qytetarësh, këta vetë mësojnë si të votojnë vetë, mësojnë edhe familjarët dhe të afërmit e miqtë e tyre dhe procesi shkon zinxhir dhe populli edukohet gjithnjë e më mirë për votimet dhe zgjedhjet.
Një përvoje e tillë mendoj se duhet të aplikohet në Shqiperi, ku faktet e derisotme janë tronditëse dhe komisionet e qendrave të votimit janë jo profesionale, jo të paanshme por komisione militantësh partiakë, të patrajnuar dhe shpesh edhe me reputacion jo të mirë apo edhe me histori kriminale.
Kodi për Zgjedhjet duhet të caktojë kriteret morale dhe arsimore që duhet të plotësojnë shtetasit që mund të përzgjidhen për të qenë kandidatë të mundshëm për t'u caktuar me detyra në qendrat e votimit. Sipas këtyre kritereve Komisioni Qendror përzgjedh qytetetarët sëpari nga radhët e intelektualëve, studenteve, të rinjve dhe shtetasve të tjerë që kanë mbaruar të paktën shkollën e mesme dhe që gëzojnë një reputacion të mirë. Komisioni Qendror i Zgjedhjeve bën trajnimin e vazhdueshëm të këtyre qytetarëve të përzgjedhur si kandidatë të mundshëm, harton listat e tyre dhe kur ka zgjedhje, sipas nevojave, i thërret ata për të shërbyer në qendrat e votimit. Numri i qytetareve të trajnuar duhet të jetë të pakten sa dyfishi i atyre që do të duhet të shërbejnë në zgjedhjet dhe ky numër vjen gjithnjë në rritje. Në këtë mënyrë kur lind nevoja për të zëvendësuar ndonjë a disa anëtarë komisioni, KQZ cakton përzgjedh menjëherë nga lista e të trajnuarve.
7. Kodi duhet të sigurojë saktësine e listave të votuesve
Nuk do ndalem shumë në këtë çështje sepse besoj se anëtarët e Komisionit dhe deputetet e dinë më mirë nga unë se çfarë duhet korigjuar që të mos përsëriten më krimet elektorale të derisotme edhe me listat e zgjedhësve. Një zgjedhës nuk duhet të lejohet të regjistrohet në disa lista votimi, apo në disa bashki, komuna a qarqe. Fakti se dikush ka shtëpi në disa qytete e rrethe nuk do të thote se ai ka të drejtë të votojë më shumë se një herë, pra të votojë në secilin prej këtyre qyteteve e rretheve. Sugjeroj që çdo shtetas që ka të drejtë vote, në varësi të vendbanimit, duhet te paiset nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve me një Kartë të Thjeshtë ( kjo nuk është Karta e Identitetit) ku shënohet Emri e Mbiemri i votuesit dhe Numri e adresa e Qendrës së tij te Votimit. Keto qendra votimi mbeten të pandryshuara. Por kur shtetasi ndryshon vendbanim, qofte edhe brenda qytetit, ai dhe zyrat përkatese duhet të kenë detyrimin ligjor të njoftojne Komisionin Qendror te Zgjedhjeve si edhe të bëjnë ndryshimet përkatese për regjistrimin në qendrën e re te votimit dhe të fshijne emrin nga qendra e meparshme ku ai/ajo votonte. Në këtë mënyrë çdo votues e di se ku voton sa herë ka zgjedhje. Nje praktike e tillë ndiqet edhe këtu ne Amerike. Ndërsa Meksika ka hartuar regjistrin e votuesve të cilin e ka edhe të kompjuterizuar. Ajo çfarë e dallon nga vendet e tjera këtë regjistër është edhe fakti se krahas emrit dhe të dhënave të tjera, aty çdo votues ka edhe fotografinë. Kur votuesi paraqitet për të votuar, komisioni i qendrës së votimit shikon ne regjister jo vetëm emrin por edhe fotografinë e votuesit dhe në këtë mënyrë ka efekt të madh parandalues per moslejimin e votimit të një personi në emër të një tjetri. Ky regjistër votuesish rishikohet dhe plotësohet çdo vit, dhe jo vetëm kur ka zgjedhje.
Nje fakt tjeter me interes është se listat e votuesve duhet të kenë përfunduar jo më pak se gjashtë muaj para zgjedhjeve. Pra nëse nje votues nuk eshte regjistruar për votim deri në këtë afat, ai nuk mund të votoje sepse regjistrimi për votime mbyllet 6 muaj para zgjedhjeve.
Në Shqiperi mund te ketë edhe shumë persona që kanë vdekur prej vitesh por që figurojnë akoma në listat e zgjedhësve. Ky problem duhet të marrë zgjidhje të plotë edhe ne Kodin Zgjedhor. Por mendoj se një arësye qe shume te vdekur mbase nuk jane çregjistruar ne gjendjet civile është edhe fakti se për të bërë këtë kur ka kaluar afati familjaret duhet të paguajnë një shumë jo te vogël parash. Prandaj do ishte mire që deri në fund të vitit 2012 këto detyrime financiare të hiqeshin dhe çregjistrimi i të vdekurve të behej falas.
8. Personat e huaj që u është dhënë shtetësia shqiptare, por që nuk kanë banim të përhershëm në Shqipëri nuk duhet të lejohet të votojnë në Shqipëri.
Gjatë këtyre 20 viteve u është dhënë shtetesia shqiptare disa të huajve dhe shumë bashkëkombasve tanë nga Kosova, Maqedonia e Mali i Zi. Shumica e tyre nuk jetojnë në Shqipëri, por disa prej tyre kanë blerë edhe apartamnete pushimi në qytete të ndryshme të Shqipërisë dhe disa kanë edhe biznese në Shqipëri por banojnë në vende të tjera. A duhet të votojnë këta në zgjedhjet në Shqipëri? Dhënia e shtetesisë shqiptare në vetvete nuk do të thotë se këta persona mund të vijnë sa për të votuar në Shqipëri edhe pse jetojnë në shtete të tjera. Kriteri i njëfarë kohe të detyrueshme venbanimi të përhershëm në Shqipëri para zgjedhjeve është kriter i domosdoshëm dhe duhet të sanksionohet qartë ne Kodin Zgjedhor dhe të mos lejë asnjë shteg për keqinterpretime e abuzime.
9. A duhet të votojnë shqiptarët që janë në imigracion?
Edhe në këtë çështje vendi ynë mund të mësoje nga përvojat e vendeve të tjera që kanë emigracion të përmasave të mëdha. Shqipëria është një vend unik në botë sepse ka në imigracion me se një të tretën e popullsisë. Pra edhe rreth 1/3 e votuesve shqiptarë jetojnë në imigracion dhe reforma zgjedhore duhet të parashikojë nëse imigrantët kanë të drejtë të votojnë në Shqipëri. Nëse po, si do të votojnë ata? Gjithashtu duhet të vihet detyrimi i KQZ, komunave, bashkive, qarqeve dhe vetë imigrantëve që të kryejnë të gjitha veprimet e duhura që imigrantet të mos jenë të regjistruar më shumë se një herë,pra edhe në më shumë se një qender votimi dhe të parandalohet votimi nga të tjerë në emër të imgranteve. Meksika, një vend kufitar me Amerikën,ka miliona imigrantë të paligjshem e te ligjshem ne Amerikë e mbase edhe ne vende të tjera i lejon shtetasit e saj që janë në imgracion që të votojnë, madje edhe duke e postuar fletën e votimit nga vendet ku janë,por në fleten e votimit duhet të shenojnë të dhënat e tyre të plota.
10. Leximi e numerimi i votave
Dua të besoj se për këtë çështje tani nuk ka mëdyshje: Patjetër duhet të pranohet leximi elektronik i fletës së votimit siç e bëjnë sot edhe vende të prapambetura. Por Kodi parashikon gjithnjë mundësia që në rast difekti teknik, apo dyshimi të bazuar per saktësinë e numërimit elektronik, të bëhet verifikimi e rinumërimi manual i votave.
11. Mënyra e Votimit
Ka ardhur koha që edhe në Shqipëri Kodi duhet të parashikojë mundësinë edhe të votimit elektronik, krahas votimit me fletë votimi. Kështu bëhet edhe këtu në Amerikë. Kur shkojmë për të votuar këtu në Amerikë tek qendra e votimit të pyesin nëse dëshiron të votosh në kompjuter apo me fletë votimi. Nëse votuesi preferon votimin me kompjuter, në një tavolinë është një specialist që të bën demonstrimin si votohet në kompjuter dhe pastaj votuesi shkon në dhomen përkatëse të votimit. Edhe pse një gjë e tillë për disa duket e dyshimtë dhe e parakohshme në Shqipëri, Kodi duhet ta parashikojë këtë alternative votimi. Realizimi i saj varet nga mundësite financiare e teknike të shtetit. Por edhe për votimin elektronik lihet gjithnjë mundësia e verifikimit dhe votimit manual.
12. A duhet të votojnë ata që vuajnë denimin me heqje lirie?
Mbase me e drejte do te ishte qe personat që janë duke vuajtur dënimin me burgim të mos kenë të drejtë te votejnë në zgjedhje. Kështu është edhe këtu ne Amerike.
Por nëse në Shqipëri vendoset që të dëenuarit të votojnë, siç është bërë deri më sot,ateherë komisionet e qendrave të votimit në burgje duhet të krijohen njëlloj si për qendrat e tjera dhe të ketë vëzhgues, përfshirë këtu edhe të subjekteve elektorale. Edhe personat që janë në arrest diten e votimit nuk mund të votojne, as të dërgohen me polici për të votuar në qendrat ku janë regjistruar.
13. Ndëshkime edhe për prokurorët e zyrtarët e tjerë që marrin ne mbrojtë autoret e krimeve elektorale.
Krahas dënimit penal për ata që kryejne vepra penale lidhur me zgjedhjet, Kodi Zgjedhor duhet të parashikojë dënime edhe për ata punonjës të drejtësisë, prokurorë dhe zyrtarë të tjerë të shtetit që marrin në mbrojteje autorët e këtyre krimeve, që pengojnë a sabotojnë hetimin dhe gjykimin e këtyre krimeve, që fshehin a zhdukin provat e këtyre krimeve.
Kodi duhet të vendosë afate detyruese për hetimin dhe gjykimin e krimeve qe lidhen me zgjedhjet si edhe detyrimin e prokurorisë për të bërë transparent brenda afateve të caktuara nëkëtë Kod duke njoftuar publikun dhe palët e interesuara për vendimin e arsyetuar lidhur me mosfillimin a pushimin e çështjeve penale lidhur me zgjedhjet. Kodi duhet të vejë detyrimin e Prokurorisë dhe policisë gjyqësore që ditën e zgjedhjeve në të gjithë vendin prokurorët duhet të jenë në gatishmëri me qëllim qe çdo denoncim për kryerje krimi elektoral të verifikohet dhe ndiqet menjehërë.

(Këto sugjerime e të tjera do të mundohem tia dërgoj edhe me e-mail Komisionit të Reformës Zgjedhore duke shpresuar qe t'a ndihmoj sadoak në punën e tij delikate dhe me rëndësi jetike për Shqipërinë)
Zef Brozi eshte Ish kryetar i Gjykatës së Kasacionit
(sg/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    Joe Biden tërhiqet nga gara presidenciale në SHBA, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

‘Ngec’ garancia sovrane për fasonët, deri tani vetëm 1 përfitues, refuzojnë bankat! Humbjet e eksportuesve më të thella me euron që bie

‘Ngec’ garancia sovrane për fasonët, deri tani vetëm 1 përfitues, refuzojnë bankat! Humbjet e eksportuesve më të thella me euron që bie