Për vite me radhë, nëpër studio televizive, faqe gazetash dhe debate publike në Shqipëri ka mbizotëruar një lloj fatalizmi komod dhe i rrezikshëm intelektual. Analistë, opinionistë dhe përfaqësues të ndryshëm të elitave ngrinin supet para çdo skandali apo keqqeverisjeje, duke ia faturuar të gjithë fajin një lloj "apatie popullore" të supozuar.

Teza e tyre ishte sa e thjeshtë, aq edhe e dëmshme për ndërgjegjen kolektive: shqiptarët nuk ngrihen, janë të nënshtruar nga natyra, e kanë pranuar diktatin e politikës dhe, për rrjedhojë, e meritojnë plotësisht qeverisjen që kanë.

Ky lloj diskursi, i cili në shkencat politike dhe sociologji njihet si "fajësimi i viktimës" (victim-blaming), shërbeu për një kohë të gjatë si një alibi e shkëlqyer për të shfajësuar klasën politike nga përgjegjësitë e saj direkte dhe për të krijuar një ndjesi artificiale pafuqie. Shumë qytetarë u lodhën gjatë këtyre viteve me këto pseudo-teza e argumente që amnistonin fajtorët e vërtetë dhe u hidhnin fajin atyre që vuanin pasojat.

Megjithatë, dinamikat e fundit shoqërore po dëshmojnë një përmbysje të madhe dhe historike të këtij ekuilibri të gënjeshtërt. Pas një kohe të gjatë heshtjeje, shqiptarët po vendosin të zgjohen dhe të ngrihen për veten, për të ardhmen e tyre dhe për kombin, duke u kthyer ndoshta në të vetmit në Rajon që po tregojnë një vitalitet të tillë reagimi. Por, pikërisht në këtë moment, po ndodh një absurditet tjetër i madh: po ata zëra që dje ankoheshin për gjumë, sot po sulmojnë me egërsi zgjimin.

​Në momentin që qytetarët pa privilegje dhe pa benefite nga pushteti dalin në shesh për të kërkuar llogaridhënie dhe drejtësi, makineria propagandistike ndryshon me shpejtësi strategji dhe narrativë. Kjo lëvizje dhe kjo frymë e re nuk shihet më si shenjë e një shoqërie civile të shëndetshme, por anatemohet përmes etiketimeve nga më ekstremet.

Nga njëra anë, pushteti formal përdor të gjitha instrumentet e veta mediatike dhe administrative për ta portretizuar revoltën si një tentativë të rrezikshme për destabilitet apo si një agjendë të fshehtë politike, me qëllim që të delegjitimojë kauzat e pastra qytetare.

Nga ana tjetër, shfaqet kasta e servilëve, oborrtarëve mediatikë dhe pseudo-intelektualëve, e cila është edhe pjesa më agresive e këtij ekuacioni. Këta njerëz, të cilët ushqehen çdo ditë nga privilegjet e pushtetit dhe që status-quo-ja u garanton mbijetesën luksoze, po lodhen duke sulmuar qytetarët e thjeshtë.

Ata i quajnë protestuesit një pakicë e papërfillshme, njerëz që duan rrëmujë, apo madje shkojnë deri aty sa t'i etiketojnë si tradhtarë të interesave të vendit. Ky është një kurth i madh logjik dhe një paradoks i ndërtuar qëllimisht për të mbajtur shoqërinë në një gjendje nënshtrimi të përhershëm: nëse populli hesht, quhet i thyer dhe i nënshtruar; nëse populli flet dhe reagon, quhet rrezik për stabilitetin e vendit.

Ajo që po shpaloset para syve tanë është një betejë thellësisht e turpshme, e papranueshme dhe tërësisht e pamoralshme nga çdo pikëpamje njerëzore, etike dhe shoqërore. Në njërën anë të kësaj vije ndarëse ndodhet një kastë politike e zhytur në mëkate, korrupsion dhe dështime të njëpasnjëshme, e cila ka në dispozicion të gjitha mjetet financiare, mediatike dhe strukturat administrative për t’u mbrojtur dhe për të fshehur të vërtetat. Në anën tjetër ndodhen qytetarët e thjeshtë, njerëz pa asnjë lloj privilegji për të mbrojtur, pa asnjë interes të fshehtë, por që udhëhiqen vetëm nga dëshira për të fituar të drejtat e tyre bazike dhe dinjitetin e nëpërkëmbur.

Sulmi që servilët dhe pushteti u bëjnë këtyre qytetarëve nuk është thjesht mungesë etike profesionale, por është një akt frike e pastër përballë të vërtetës. Kur një pushtet dhe satelitët e tij humbasin çdo argument racional për të justifikuar dështimet, ata fillojnë të sulmojnë vetë ekzistencën e reagimit dhe të të drejtës për të protestuar.

Në çdo sistem që pretendon se është demokraci funksionale, sovraniteti i takon ekskluzivisht popullit dhe qeveria nuk është gjë tjetër veçse një menaxhere e përkohshme e këtij sovraniteti; kur menaxheri dështon dhe abuzon me besimin, pronari legjitim ka të drejtën të kërkojë llogari dhe ndryshim.

Të fajësosh popullin dhe qytetarët në këtë situatë është një përmbysje totale e parimeve më elementare të demokracisë. Ky absurditet që po ndodh sot dëshmon qartë se vija ndarëse në shoqërinë tonë nuk është më mes partive politike tradicionalisht në konflikt, por është një vijë e trashë që ndan një kastë të korruptuar e mbrojtësit e saj nga pjesa tjetër e shoqërisë që kërkon thjesht normalitet dhe drejtësi.

Pavarësisht kësaj fushate linçimi publik, sulmesh të koordinuara dhe etiketimesh të turpshme, akti i zgjimit qytetar është tashmë një proces që ka nisur dhe që nuk mund të kthehet dot mbrapsht me asnjë lloj propagande. Pasi një popull apo një pjesë e rëndësishme e tij ndërgjegjësohet për forcën reale që ka në dorë, asnjë rrjet servilësh dhe asnjë makineri mediatike nuk mund ta kthejë atë sërish në gjendjen e mëparshme të apatisë dhe nënshtrimit.

Kjo betejë aktuale mund të jetë e dëmshme dhe e turpshme për nga mënyra se si po sulmohen njerëzit e pafajshëm që s'kanë asnjë faj për situatën, por nga ana tjetër, ajo po kryen një funksion shumë të rëndësishëm: po shërben si një pasqyrë e qartë dhe e pamëshirshme e realitetit. Ajo po nxjerr zbuluar, një herë e mirë, të gjithë ata që për vite me radhë kanë aktruar nëpër ekrane si mbrojtës të interesave të popullit dhe si kritikë të sistemit, ndërsa në fakt ishin thjesht avokatët e fshehtë të kastës politike.

Ky proces po tregon se shqiptarët nuk e meritojnë as këtë politikë degraduese dhe as këtë klasë pseudo-analistësh që ndryshojnë qëndrim sipas interesit të radhës; ata meritojnë dinjitetin dhe respektimin e të drejtave të tyre, një dinjitet që nuk po ua fal askush, por që po e fitojnë dhe po e mbrojnë vetë me vendosmëri në sheshet e protestës.