/ATSH/.- Shefi i Zyrës së Bashkimit Evropian dhe përfaqësues special i BE-së në Kosovë, Samuel Zhbogar, në takimet e sotme të ndara me përfaqësuesit e Sindikatës së Pavarur të RTK-së dhe menaxhmentin e transmetuesit publik, përfshirë Bordin e Drejtorëve, shprehu shqetësimin e BE-së për akuzat për ndërhyrje politike dhe presion në politikat redaktuese të shërbimit publik.
Gjatë takimit, siç njoftoi zyra për informim e BE-së në Prishtinë, Samuel Zhbogar i ka dëgjuar këndvështrimet e të dy palëve lidhur me problemet që janë paraqitur në transmetuesin publik muajve të fundit.
"Bashkimi Evropian i jep rëndësi të madhe rolit të transmetuesit publik në shërbim të publikut, i pavarur nga ndikimi politik dhe komercial. Në rastin e Kosovës, është e qartë se ekzistojnë probleme që prekin këtë rol të rëndësishëm të transmetuesit publik. Më shqetësuese për BE-në janë akuzat për ndërhyrje politike dhe presion në politika redaktuese. I bëj apel Sindikatës dhe menaxhmentit të transmetuesit publik që të rivendosin komunikimin ashtu që të adresojnë çështjet e hapura së bashku. Ne jemi ne dijeni që Zyra e Auditorit të Përgjithshëm është në përfundim të auditimit të performancës së RTK-së dhe kjo mund të shërbejë si një bazë e mirë për Kuvendin që të identifikojë dhe të adresojë çështjet", ka thënë Zhbogar pas takimeve./KosovaPress/