Tragjedi me zjarret në Greqi/ Mbi 77 viktima, dyshohet për 3 shqiptarë të vdekur (Foto+Video)

GREQI - Situatë apokaliptike në shtetin fqinj, Greqi. Athina prej dy ditësh është përfshirë nga zjarret masive, ndërsa numri i viktimave, sipas mediave fqinje ka shkuar mbi 77 deri tani, 164 të plagosur, ndërsa dhjetëra të tjerë konsiderohen të zhdukur. Tre nga viktimat mendohet se janë shqiptarë dhe tre të tjerë raportohen të lënduar, mes të cilëve edhe dy fëmijë. Viktima e parë shqiptare e konfirmuar është një grua nga Saranda, Nica Leka e cila është gjetur e djegur brenda në banesë, ndërsa bashkëshorti i saj ndodhet në gjendje kritike.  

Flakët gjigante kanë përpirë mijëra shtëpi. Nga totali i viktimave, sipas mediave greke vetëm në një restorant në Mati të Atikës janë gjetur 26 trupa njerëzish të djegur, midis tyre edhe fëmijë. Roja bregdetare ka shpëtuar mbi 700 persona nga plazhet e zonës, të cilët u dyndën drejt detit prej flakëve. Dyshohet se zjarri mund të jetë vënë qëllimisht nga grabitësit për të plaçkitur banesat. Zjarri fillimisht ka nisur në një resort turistik në veri të Athinës. 

E ndërsa ambasadorja shqiptare në Athinë, Diana Hodbari në një lidhje telefonike për Report Tv u shpreh se zyrtarisht deri në orën 15:00 të ditës së sotme është vetëm një shqiptare e lënduar, emigrantët shqiptarë pohojnë se dyshohet për 3 viktima dhe 13 të plagosur.

Shteti shqiptar ka dërguar mesazhe ngushëllimi për popullin grek. Presidenti Meta dhe kryetari i opozitës, Lulzim Basha i kanë bërë thirrje qeverisë të ofrojë ndihmën e nevojshme për Greqinë.

Lajmi për shqiptarët konfirmohet për Report Tv nga ish-kreu i Federatës së Emigrantëve në Greqi, Etmond Guri, por edhe emigrantë të tjerë. Guri shprehet se tre shqiptarë kanë humbur jetën, ndërsa identiteti i tyre nuk dihet, mes tyre dyshohet se është edhe një i ri nga Tepelena, dy shqiptarë të tjerë janë shpallur të zhdukur. Greqia ka shpallur gjendjen e emergjencës dhe tre ditë zie kombëtare.

Tre shtetas shqiptarë dyshohet se kanë humbur jetën por nuk dihen emrat e tyre. Përveç tyre raportohet edhe për dy shqiptarë të humbur. Gjithçka ndodhi brenda dy-tre orëve. Kryebashkiaku i Athinës, gjatë një prononcimi ka hedhur dyshimet për mbi 100 viktima, të cilët priten të identifikohen. Gjithashtu priten edhe shumë të lënduar shqiptarë pasi kjo zonën është e mbipopulluar.

Etmond Guri

Në fakt në zonën e zjarreve ka pasur shumë shqiptarë të cilët punojnë nëpër shtëpitë e grekëve. Kemi informacion se 13 shqiptarë janë lënduar nga flakët. Kam folur me shumë prej tyre. Deri nga darka besoj se do të kemi informacion të plotë. Flitet edhe për një djalë nga Tepelena që dyshohet se është djegur në makinën e tij, por nuk e dimë 100% të saktë.

Kemi pasur shumë ndihmë nga ambasada. Janë interesuar deri vonë në orët e mbrëmjes. Zjarret kanë rënë kudo në Athinë në të gjitha anët. Kam parë gra dhe fëmijë që vuajnë dhe digjen është diçka që nuk përshkruhet me fjalë, kam parë masakër me sy.

Ato që hoqëm dje nuk mund të përshkruhen dot. Njerëzit u hodhën në det për të shpëtuar. Është diçka e tmerrshme. Ku ndodheshit ju? Unë isha në shtëpi dhe u interesova për njerëzit që njihja. Zjarri ishte me shpejtësi për shkak të erës.

Emigranti shqiptar Mondi Sinaj për REPORT TV

700 banesa janë djegur, shumë njerëz humbën jetën, pashë një fëmijë dy muajsh, që humbi jetën nga zjarri. 10 banesa të shqiptarëve janë djegur nga zjarri. Një familje shqiptare erdhi më kërkoi ndihmë dhe më tha u dogj cdo gjë. Ajo tha u futëm në det dhe erdhën anijet na morën. Një burrë më tha po rrija në ballkon, u hodha në det për të shpëtuar. Në një party u dogjën 25 persona. Shqiptarë nuk e dimë akoma a ka të vdekur, nuk e kemi marrë vesh akoma. Skenat janë si në filma. Situata nuk është aspak e mirë, po gjenden shumë njerëz të vdekur. Thonë që janë 50 të vdekur, por numri është më i lartë. Nuk kemi kontakte me ambasadën shqiptare, nuk e di numrin e telefonit, po ndihmojmë njerëzit me ushqime dhe strehim ketu.

Emigrantja shqiptare Drita Bushi flet për REPORT TV

Thirrjes për ndihmë i është përgjigjur Qiproja, Spanja, Polonia, Italia, Franca dhe Turqia. Zjarret që kanë përfshirë pyjet ndodhen 55 kilometra në perëndim të Athinës, po djegin jashtë kontrollit në të dyja anët e kryeqytetit grek, duke shkatërruar shtëpitë dhe duke nxitur banorët të largohen nga banesat e tyre. 

Pamje nga zjarret në Athinë:

Greqia është goditur nga një valë të nxehti që prej së dielës ndërkohë që shërbimet meteorologjike kanë parashikuar temperatura deri në 37 gradë Celsius për Athinën dhe 41 gradë Celsius në pjesën qendrore të vendit. Ajo çka i favorizon më shumë zjarret është era e fortë që fryn në vend. 



Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 22:09
EMRI/ Konfirmohet viktima e parë shqiptare nga zjarret në Greqi

Konfirmohet viktima e parë shqiptare nga zjarret masive në Greqi. Mes 74 personave të cilët kanë humbur jetën nga zjarret në Athinë, është edhe një grua me origjinë shqiptare.

Nica Leka, rreth 85 vjeç me origjinë nga Leshnica e Sarandës, mësohet se ka vdekur në banesën e saj, në vendin e quajtur Mati. Nica është gjetur e shkrumbuar në banesën e saj. Ajo është largua nga Shqipëria në vitin 1945, ndërsa në fshat njihet si vajza e një prifti nga Leshnica. 

Bashkëshorti i saj grek ndodhet në gjendje kritike për jetën në spital. Çifti kishin katër fëmijë nga martesa e tyre. Mësohet se mes viktimave janë edhe dy shqiptarë të tjerë identiteti i të cilëve nuk është bërë i ditur, si dhe tre të tjerë të lënduar rëndë të cilët ndodhen në spital. 

Ora 19:10
Zjarret në Greqi, prifti grek shfrenon fantazinë: Kryeministri ateist ka ngjallur zemërimin e zotit

Greqia është në zi kombëtare. Zjarri që përfshiu rajonin e Atikës, në verilindje të Athinës, ka shkaktuar një nga tragjeditë më të mëdha që ka prekur këtë zonë, duke shkaktuar 74 të vdekur. 

Në këto ditë të vështira për vendin fqinj, Kisha greke ka rezervat e saj. Kreu ortodoks i Kishës Metropolitane të Aegialia, e ka konsideruar këtë ngjarje si “zemërim i Zotit, me kryeministrin ateist”. Prifti Amvrosiou ka shkruar në blogun e tij personal se “kryeministri dhe i gjithë stafi i tij ateist, ka ngjallur zemërimin e Zotit”.

Ai, gjithashtu, në postimin e tij e ka quajtur Tsipras një hipokrit, ndërsa i qëndron bindjes së tij se e gjithë kjo tragjedi nuk ishte as më pak dhe as më shumë, mallkim nga Zoti.

Ora 19:10
Zjarret në Greqi, prifti grek shfrenon fantazinë: Kryeministri ateist ka ngjallur zemërimin e zotit

Greqia është në zi kombëtare. Zjarri që përfshiu rajonin e Atikës, në verilindje të Athinës, ka shkaktuar një nga tragjeditë më të mëdha që ka prekur këtë zonë, duke shkaktuar 74 të vdekur. 

Në këto ditë të vështira për vendin fqinj, Kisha greke ka rezervat e saj. Kreu ortodoks i Kishës Metropolitane të Aegialia, e ka konsideruar këtë ngjarje si “zemërim i Zotit, me kryeministrin ateist”. Prifti Amvrosiou ka shkruar në blogun e tij personal se “kryeministri dhe i gjithë stafi i tij ateist, ka ngjallur zemërimin e Zotit”.

Ai, gjithashtu, në postimin e tij e ka quajtur Tsipras një hipokrit, ndërsa i qëndron bindjes së tij se e gjithë kjo tragjedi nuk ishte as më pak dhe as më shumë, mallkim nga Zoti.

Ora 18:32
Gazetarja Elona Gjergo: Zjarret në Greqi, biznesmenë të implikuar për shkatërrimin e bregdetit të Atikës

Gazetarja shqiptare me banim në Athinë, Elona Gjergo, u shpreh gjatë një lidhje telefonike për Report Tv se dyshohet për biznesmenë të përfshirë në vënien e zjarrit në Greqi. 

Flakët gjigante përfshinë pjesën bregdetare të Atikës, në verilindje të Athinës, duke shkaktuar deri tani 74 viktima dhe 300 të plagosur, ndërsa mijëra të tjerë janë deklaruar të zhdukur. Sipas gazetares Gjergo, zjarri mendohet i qëllimshëm për të shkatërruar bregdetin e Atikës. 

Këtë vit mendohet se zjarri është vendosur nga dorë njeriu. Dyshohet për biznesmenë të implikuar, të cilëve mund t’iu interesojë shkatërrimi i bregdetit të Atikës. Komuniteti shqiptar këtu në Greqi është angazhuar maksimalisht për të mbështetur popullin grek në këto momente të vështira. Shoqata e emigrantëve të shqiptarëve në Greqi ka bërë thirrje për këdo që mund të ndihmojë ekonomikisht viktimat e prekura nga kjo fatkeqësi.  

Elona Gjergo, gazetare

Autoritetet greke kanë shpallur tre ditë zie kombëtare për viktimat e zjarreve. 

Ora 16:53
Ruçi letër homologut grek: Kurajo, dhimbje e solidaritet për familjet greke

Kryetari i Kuvendit, Gramoz Ruçi i ka dërguar një letër ngushëllimi homologut grek, Nikos Voutsis.

Në letrën drejtuar kryeparlamentarit grek, Ruçi shpreh ngushëllimet e tij dhe popullit shqiptar për situatën tragjike që është krijuar nga zjarret.

“Kurajo popullit mik dhe fqinj grek. Urojmë ta kaloni sa më shpejt situatën e rëndë. Të gjithë shqiptarët janë pranë popullit grek në këto çaste të rënda. Dhimbje, solidaritet dhe dashuri për familjet greke.”-është shprehur Ruçi.


Letra e kreut të kuvendit, Gramoz Ruçi dërguar homologut grek

 

Ora 15:08
Si nisi zjarri në Greqi, ku ishte vatra e parë

Vazhdon bilanci kritik me tragjedinë e shkaktuar nga zjarret në Greqi. Zjarri ka përfshirë prej 2 ditësh Athinën është zjarri më i rëndë që ka parë kryeqyteti Helen gjatë kësaj dekade.

Mbi 50 njerëz të vdekur e qindra të plagosur. Tymi i zi i zjarrit ende nuk është larguar nga Akropoli, dhe populli grek është gjunjëzuar përballë kësaj katastrofe.

Por si nisi ky zjarr me përmasa të frikshme?

Associated Free Press shkruan se zyrtarët grekë kanë thënë se zjarri mund të jetë vënë nga grabitësit që cilët presin që shtëpitë të braktisen në mënyrë që të hyjnë për t’i grabitur. Në përhapjen e shpejtë të flakëve ka “ndihmuar” era dhe temperaturat mbi 35 gradë Celsius. Vatra e parë e zjarrit ka nisur në një resortin turistik “Mati”, pjesë e rajonit Rafina 30 kilometra në veri të Athinës rreth orës 5:00 e pasdites së të hënës.

Flakë të tilla në Greqi nuk ishin parë që prej vitit 2007 kur dhjetra njerëz humbën jetën në Peloponez.

Ora 15:00
Ambasadorja shqiptare në Athinë: Vetëm një shqiptare e lënduar nga zjarri

Ambasadorja shqiptare në Athinë, Diana Hodbari në një lidhje telefonike për Report Tv u shpreh se zyrtarisht deri në orën 15:00 të ditës së sotme është vetëm një shqiptare e lënduar, jashtë rrezikut për jetën.

Sipas informacionit zyrtar nga zyra e Emergjencave, na kanë konfirmuar një shqiptare që është në spitalin e Ivaligjmoz. Ne shkuam dhe kontaktuam me zonjën, ka dëmtime të lehta, ajo vjen nga zona e Neamakrit, që ka pasur intensitetin më të madh të flakëve, por është jashtë rrezikut. Përsa i përket viktimave të mundshme, autoritetet nuk mund të konfirmojmë asgjë, pasi trupat nuk janë identifikuar dhe nuk dihet nëse janë grekë apo shqiptarë, pasi ka pasur shumë turistë në atë zonë. Numri i informacionit është në funksion, marrin për të pyetur për të afërmit, nuk kemi pasur kërkesa për rrezik. Kryesisht kanë pasur mediat dhe qytetarë nga Shqipëria dhe jashtë që interesohen për të afërmit e tyre.

Diana Hodbari

Ora 14:38
Tragjedia në Greqi, reagon Basha: Ngushëllime për familjet, drama të ndalojë me kaq

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha ka reaguar pas tragjedisë në Greqi. Në një postim në Facebook, Basha ka shprehur ngushëllimet për familjarët e viktimave, dhe i bën thirrje qeverisë shqiptare të ofrojë çdo ndihmë të mundshme për shtetin fqinj.

Lajmet tronditëse nga tragjedia që ka goditur sot Athinën na kanë mbushur me hidhërim. Ngushëllime për familjet e viktimave. Lutemi që drama të ndalet këtu e të mos rritet më shumë. 
Qeveria shqiptare duhet të ofrojë menjëherë çdo ndihmë të mundshme në solidaritet me fqinjët tanë por edhe në shenjë përgjegjësie ndaj bashkatdhetarëve tanë që janë goditur nga kjo tragjedi. 
Në këto orë të vështira mendimet dhe lutjet e mija janë për të mbijetuarit, të lënduarit dhe të afërmit e tyre.

Lulzim Basha, kryetari i PD-së

Ora 14:23
PAMJE NGA LART/ Greqia në flakë, Akropoli i mbuluar nga tymi/ VIDEO

Report Tv sjell pamjet me nga lart të asaj që po ndodh në Greqi, ku deri tani kanë humbur jetën mbi 74 persona, qindra janë të plagosur dhe mijëra shtëpi janë shkrumbuar nga flakët. Ndërkohë që mes viktimave janë edhe 3 shqiptarë, ndërsa 13 janë të lënduar.

Ora 14:09
Zjarri në Athinë, Veliaj: Do të kontribuojmë me ndihma

Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj ka shprehur solidaritetin e qytetarëve të Tiranës lidhur me situatën emergjente të krijuar ne Athine, si pasojë e zjarreve të mëdha.

Përmes një postimi në Twitter, kryebashkiaku Veliaj shprehet i trishtuar për jetët e humbura në këtë betejë kundër flakëve, ndërsa thekson se Këshilli Bashkiak i Tiranës do të ndihmojë për t’i ardhur në ndihmë Athinës, në këtë situatë të vështirë ku ndodhet kryeqyteti grek. Ai ka komunikuar edhe me homologun e tij, Kaminis, te cilit i shprehu gatishmerine per te ndihmuar ne kalimin e situates.

“Tirana solidarizohet me miqtë tanë në Atikë/Athinë, qe po luftojnë me ferrin e vërtetë të zjarreve! Jemi të trishtuar nga humbja e jetëve dhe lutemi që zjarret të vihen nën kontroll sa me shpejt te jete e mundur. Këshilli ynë i qytetit do të japë një kontribut nëpërmjet Ambasades Greke për të ndihmuar qytetin tonë motër”, shkruan Veliaj.

E menjëhershme ka qenë edhe mirënjohja nga ana e Kryetarit të Bashkisë së Athinës, Yiorgos Kaminis. Kryebashkiaku i Athinës ka falënderuar homologun e tij shqiptar për solidaritetin e treguar dhe thekson se është rënë dakord për koordinimin e punës për ndihmën e premtuar nga Tirana në zonat e prekura.

“Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, dhe ai i Shkupit, Petre Shilegov, më kontaktuan dhe me shprehen mbështetjen e plotë për situatën që po kalon Athina dhe kemi rënë dakord për koordinimin e punës për të dërguar ndihmë në zonat e prekura”, shkruan kryebashkiaku grek.

Ora 12:22
‘Uaaa mami, çfarë do të bëjmë?!’/ Momente paniku te shqiptarët në Athinë nga zjarri/ VD

Athina është përfshirë nga flakët si pasojë e zjarreve masive prej dy ditësh. Report Tv sjell një video të shqiptarëve në Athinë që po kalojnë momente paniku nga zjarri. ‘Do të vijë zjarri këtu, çfarë do të bëjmë mami...?’ Dëgjohen zërat e një familje shqiptare në disa banesa në Athinë, ndërsa zjarri ndodhet vetëm pak metra larg. Video është publikuar nga emigrantja shqiptare, Drita Bushi e cila në një lidhje telefonike për Report Tv thotë se janë djegur 10 banesa të shqiptarëve, ndërsa situata është mjaft e rëndë.

700 banesa janë djegur, shumë njerëz humbën jetën, pashë një fëmijë dy muajsh, që humbi jetën nga zjarri. 10 banesa të shqiptarëve janë djegur nga zjarri. Një familje shqiptare erdhi më kërkoi ndihmë dhe më tha u dogj cdo gjë. Ajo tha u futëm në det dhe erdhën anijet na morën. Një burrë më tha po rrija në ballkon, u hodha në det për të shpëtuar. Në një party u dogjën 25 persona. Shqiptarë nuk e dimë akoma a ka të vdekur, nuk e kemi marrë vesh akoma. Skenat janë si në filma. Situata nuk është aspak e mirë, po gjenden shumë njerëz të vdekur. Thonë që janë 50 të vdekur, por numri është më i lartë.

Emigrantja shqiptare Drita Bushi flet për REPORT TV

Ora 11:56
Probleme me numrin e ambasadës shqiptare në Greqi, disa orë telefoni jashtë funksionit

Situata e rënduar me zjarret në Greqi ka sjellë një alarm të shtuar tek emigrantët shqiptarë që jetojnë dhe punojnë në Greqi. Ambasada shqiptare publikoi një numër kontakti më herët, si një numër ku emigrantët shqiptarë mund të telefononin për të kërkuar ndihmë dhe për të pyetur për të afërmit e tyre.

Pas disa denoncimeve që kanë ardhur në redaksinë e Report Tv, nga shqiptarë që jetojnë në Athinë, se numri nuk funksiononte, Report Tv tentoi të kontaktojë në një lidhje live me numrat e emergjencës. Për disa herë rresht, numrat e vënë në funksion, ishin jo funksionalë. Përfaqësia diplomatike e akomoduar në Athinë, herën e parë hapi telefonin dhe njëri nga punonjësit e ambasadës tha se nuk kishte informacion  për shqiptarët e prekur nga zjarret.

“Për momentin nuk të jap dot përgjigje. Të jap këtë numrin tjetër. Tani i vura kartën numrit.”-u shpreh personi që hapi telefonin e ambasadës shqiptare në Athinë.

Report Tv tentoi sërish, duke tentuar numrin e dytë që punonjësi i ambasadës i dha redaksisë. Në tentativën e dytë, telefonin e hapi një shtetas shqiptar i cili tha se nuk dinte të fliste italisht, duke ndryshuar gjuhën e bisedës sapo dëgjoi se u kontaktua nga një televizion shqiptar. 

Report Tv tentoi për herë të tretë, por pa sukses. Ambasada shqiptare në Greqi, ishte jashtë funksionit me telefonin zyrtar për disa orë. Pas shumë përpjekjesh, Report Tv ia doli të komunikonte me numrin e ambasadës. Një përfaqësuese zyrtare u shpreh se nuk dihet nëse ka shqiptarë të vdekur apo jo, pasi ende nuk është bërë identifikimi i viktimave. Sipas ambasadës shqiptare në Greqi, vetëm një shqiptar është i plagosur. 

Jemi në komunikim të vazhdueshëm me shtetin shqiptar. Burime zyrtare nga shteti grek bëjnë me dije se s’ka shqiptarë të plagosur, përveç njërit prej tyre i cili ndodhet në spitalin e Evangjelizmos. Sa për viktimat, ende nuk janë identifikuar dhe nuk dihet nëse janë shqiptarë apo grekë. 

Përfaqësuesja e ambasadës shqiptare në Greqi

Ora 11:40
Pamje nga ajri, Greqia nën pushtetin e zjarrit (Video)

Greqia është që prej mesditës së djeshme në pushtetin e flakëve. Bilanci tragjik sa shkon e përkeqësohet, ndërkohë që pamjet që vijnë nga ajri janë dëshpëruese.

Periferia e kryeqytetit grek, Athina është nën flakë, ndërkohë që zjarri ka djegur shtëpi, makina, pemë, e mbi 77 persona të vdekur.

 

Greece is on fire fam pic.twitter.com/gpxBV5yCqt

— Zo (@g0rilla_zo) July 24, 2018
Ora 10:14
Ish-kreu i Emigrantëve në Athinë: Deri më tani nuk ka shqiptar të lënduar, pritet rritje e numrit të viktimave

Ish-kreu i Federatës së Emigrantëve në Athinë, Etmond Guri, ka folur për Report Tv mbi zjarret që kanë pushuar Greqinë dhe që kanë shkaktuar deri tani 77 të vdekur. Guri është shprehur se mes të lënduarve nuk ka shtetas shqiptarë por viktimat pritet të rriten pasi shtëpitë e djegura nuk janë kontrolluar të gjitha.

Deri më tani raportohet për 50 janë viktima dhe 10 personave të zhdukur. Ka më shumë se 1000 shtëpi të djegura të cilat nuk janë kontrolluar të gjitha dhe numri i të vdekurve mund të rritet. Zona më e goditur nga zjarret është ajo e Matit, e cila nuk ka marrë as ndihmën e duhur për shkal të infrastruturës së vështirë. Në ndihmë përveç Qipros, ka ardhur edhe Italia dhe Franca.

Edmont Guri

Ora 09:41
Zjarret në Greqi, Meta letër homologut grek: Jemi krah jush

Pas lajmit të zjarreve masive në Greqi që kanë lënë deri tani 77 persona të vdekur, një reagim ka ardhur edhe presidenti shqiptar, Ilir Meta.

Në një letër drejtuar homologut të tij,  Prokopis Pavlopoulos, Meta shkruan se po e ndjek me ankth situatën në Greqi dhe se lutet të mos ketë viktima të tjera në njerëz.

Në fund të letrës së tij, Meta i ka siguruar homologut mbështjen e popullit shqiptar në këto momente të vështira.

Letra e plotë e presidentit:  

 Zoti President,

Me ankth e shqetësim të madh po ndjek përhapjen dhe dëmet që po shkaktojnë zjarret e furishme që kanë rënë përqark Athinës.

Jam shumë i tronditur nga viktimat në njerëz dhe i shpreh ngushëllimet më të ndjera familjarëve e të dashurve të tyre. Të lënduarve i uroj shërim sa më të shpejtë.

Lutem që të mos ketë viktima të tjera në njerëz dhe që zjarret e egra të vihen shpejt nën kontroll nga autoritetet zjarrëfikëse greke.

Ju siguroj se, në këto momente të vështira, unë dhe populli shqiptar jemi krah jush dhe qytetarëve të Athinës e të gjithë Greqisë.

Ora 09:24
Zjarret në Greqi, MPJ: Nuk ka të lënduar shqiptarë

Ndër 77 të vdekurit të shkaktuar nga zjarret që kanë përfshirë Athinën, Ministria e Jashtme Shqiptare e kontaktuar nga Report Tv sqaron se mes tyre nuk ka asnjë shqiptar që ka humbur jetën apo që rezulton i zhdukur.

E ndërsa zjarret kanë nisur që pasditen e 23 korrikut kanë djegur mijëra banesa dhe qindra automjete, për shuarjen e tyre janë mobilizuar 150 forca zjarrëfikëse; 20 autobotë me ujë dhe 5 helikopterë. 

Sipas Kryqit të Kuq, 26 trupa të pajetë janë gjetur në një vilë oborrin e një vile në fshatin bregdetar të Matit në Athinë, ndërsa banorët e tjerë kanë dalë në bregdet për t’i shpëtuar flakëve.

“Ne do të bëjmë çfarëdo të jetë e mundur për ta marrë situatën nën kontroll,” u shpreh tha kryeministri Alexis Tsipras, i cili u kthye me urgjencë në vend duke ndërprerë udhëtimin e tij në Bosnje.

(Shkatërrimi i një zone nga zjarri)

//Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Ilo: 24/07/2018 13:51

    Zoti i ndihmohte po edhe fqinjet nuk duhet te mjaftohen me letra solidariteti sikur edhe 2 makina zjarrfikese nga Gjirokastra ose Korca apo nje kompani forcash kerkim shpetimi te ushtrise do ishte nje pike uji por nje dore e zgjatur me shume ne kete tragjedi te fqinjit jugor,po Nato ku eshte sepse egziston nje nen qe jepet ndihme ne raste fatkeqesish natyrore apo ka ikur per lesh qe tani megjithe Trump

    Përgjigju
  • Kaltra: 24/07/2018 11:41

    Zoti qoftë me grekët dhe shqiptarët tanë atje !

    Përgjigju
  • Erik: 24/07/2018 09:27

    Keqardhje per jetet dhe pronat e humbura deri tani. Me e dhimbshme eshte ta mendosh qe nje gje e tille mund te kete ardhur nga cmenduria e ndonjerit qe e ka ndezur zjarrin per argetim.

    Përgjigju
  • Mira: 24/07/2018 07:55

    Me keqardhje ju them, se numri I te vdekurve I ka kaluar te 50-tat.

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    A ka politika frikë nga SPAK-u?



×

Lajmi i fundit

Ilir Meta arrestohet në fundjavë?

Ilir Meta arrestohet në fundjavë?