'Republika Ilindenase e Maqedonisë', Zoran Zaev propozon emrin e ri, negociata me Greqinë

'Republika Ilindenase e Maqedonisë', Zoran Zaev propozon emrin e ri, negociata me Greqinë

Kryeparlamentari Talat Xhaferi, kryeministri Zoran Zaev dhe presidenti Ivanov

Kryeministri Zoran Zaev pas takimit me liderët e partive politike dhe krerëve shtetëror ka theksuar se opsioni dhe emri i propozuar që mund të jetë kompromis me Greqinë është “Republic of Ilinden Macedonia” apo në shqip siç e citoi edhe ai “Republika Ilindenase e Maqedonisë”, shkruajnë mediat maqedonase.
 

Sot në takim me krerët shtetëror informova në lidhje me negociatat me Greqinë për emrin. Informova presidentin, kryetarin e Kuvendit se qeveritë e dy vendeve flasin për opsione që mund të jenë. “Republika Ilindenska Makedonija”, (shqip: Republika Ilindenase e Maqedonisë) është propozimi rreth të cilit mund të ketë kompromis me Greqinë. Me këtë garantohet identiteti i maqedonasve, multietniciteti duke përfshirë të shqiptarët, romët, turqit, vllehët dhe të tjerët. Ilindeni nuk ka asnjë aspiratë territoriale ndaj asnjë shteti, përfshirë edhe Greqinë”

Zoran Zaev, kryeministër i Maqedonisë

Zaev tha se ky propozim do të thotë vazhdimësi historike e shtetit dhe të ardhmes së ndritur.

"Me këtë e forcojmë identitetin tonë maqedonas dhe të gjitha etniteteve që jetojnë në Maqedoni”, theksoi Zaev. Sipas tij, emri i gjuhës do të njihet si “macedonian – maqedonas” dhe identiteti po ashtu do të jetë i njejtë.

Ai tha se me këtë zgjidhje në qershor vendi do të marrë ftesë në NATO, ndërsa do të hapen dyert edhe në BE, fonde më të shumta për zhvillimin e vendit. (INA)

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 22:13
Emri i ri i Maqedonisë/Çfarë përfaqëson 'Ilindeni' për shqiptarët dhe kryengritja anti-otomane

Samiti i vendeve të Ballkanit Perëndimor, që u mbajt këto ditë në Sofje, siç duket ka bërë që Greqia dhe Maqedonia të arrijnë një marrëveshje historike, atë të çështjes së emrit. Sipas propozimit zyrtar të Shkupit, i cili është pranuar edhe nga Greqia, ish-Republika Jugosllave do quhet "Republika Ilindenase e Maqedonisë".

Por çfarë në të vërtetë është "Ilindeni" dhe sa realisht i përfaqëson ai shqiptarët?

Ilindeni është një ditë e rëndësishme për maqedonasit meqenëse përmban komponentën nacionale maqedonase dhe atë fetare sllavo-ortodokse. Njëkohësisht mund të konsiderohet se Ilindeni është festa kryesore në shtetin monoetnik të Maqedonisë ku jetojnë më shumë 30% shqiptarë. Por cila është domethënia e kësaj feste?

Në vitin 1903, më 2 gusht është organizuar Kryengritja e Ilindenit, një kryengritje e organizuar nga Organizata Revolucionare Maqedonase (e njohur si paraardhëse e partisë së djathtë maqedonase OBRM-PDUKM ose në maqedonisht – VMRO-DPMNE-së) kundër Perandorisë Osmane.

Kjo organizatë, qëllimet dhe përfaqësuesit e saj janë objekt kontesti dhe pretendimesh për përvetësim nga të dy popujt, maqedonas e bullgarë. Pas fitores së kësaj lufte, u krijua Republika e Krushevës, ku thuhet se në mënyrë të barabartë janë përfaqësuar maqedonasit, shqiptarët dhe vllehët.

Pra kjo kryengritje përdoret për të dëshmuar se në Maqedoni solidarizimi dhe bashkëpunimi mes etnive ka ekzistuar gjithmonë. Por, kjo është festë edhe për të majtën maqedonase. Më 2 gusht 1944 në manastirin “Prohor Pçinski”, i cili sot ndodhet në Serbi, është mbajtur kuvendi i parë i KAÇKM-it (Kuvendi Antifashist Nacional për Çlirim të Maqedonisë) ku është vërtetuar Maqedonia si njësi federale e barabartë me republikat tjera në Jugosllavi. Maqedonasit e quajnë Ilindeni i dytë.

Ilindeni për maqedonasit është edhe festë fetare. "Ilinden" në shqip do të thotë "Dita e Ilisë". Shën Ilija (Sveti Ilija) sipas besimit sllavo-ortodoks është profet që lidhet me kultin e e rrufesë.

Në opinionin maqedonas, pavarësia e Maqedonisë nga Jugosllavia, akt i cili u bë me bojkotimin e referendumit nga ana shqiptarëve që jetojnë në këtë shtet, njihet si Ilindeni i tretë dhe kanë paralajmëruar se një zgjidhje e kontestit të emrit sipas propozimit të ri do të përfaqësonte Ilindenin e katërt për Maqedoninë./Ina-online/

Ora 20:19
Emri i Maqedonisë, zv/kryeministri Bujar Osmani: Pse zgjodhëm termin 'Ilindeni'

Zv/kryeministri i Maqedonisë, Bujar Osmani, u shpreh në një lidhje telefonike për Report Tv se qeveria maqedonase dhe ajo greke janë dakordësuar për emrin e ri, "Republika Ilindenase e Maqedonisë".

Osmani shpjegon edhe domethënien e emrit e cila sipas tij simbolizon lëvizjen e përbashkët shqiptaro-maqedonase në vitin 1903 kundër Perandorisë Osmane.

Hera e parë që qeveria greke dhe ajo e maqedonisë dakordësohen për këtë çështje. Nevojiten ndryshime kushtetuese që domosdo kërkon edhe mbështetjen e opozitës për 2/3 e votave. Vendosja e këtij emri bëhet me qëllim dallimin e Maqedonisë nga krahina greke.  

"Ilindeni" ka të bëjë me emrin e kryengritjes shqiptaro-maqedonase kundër perandorisë osmane. Pas kësaj kryengritje është krijuar një qeveri me dy ministra maqedonas, dy shqiptarë dhe një vllah. Pra, edhe atëherë ka pasur përpjekje mes shqiptarëve dhe maqedonasve për krijimni e një shteti të përbashkët. 

Bujar Osmani, zv/kryeministër i Maqedonisë

Ora 19:03
Emri i ri i Maqedonisë, historiani: Emri 'Ilindeni' ka një kujtesë të hidhur tek popullsia shqiptare

Historiani Arben Llalla theksoi për INA se propozimi i emrit në gjuhën shqipe "Republika Ilindenase e Maqedonisë", nuk shpreh karakterin shumëetnikë të Maqedonisë, por tregon shtetin unitar.

Sipas tij, "Ilindeni" (Dita Ilisë) është një emër i hidhur për popullsinë shqiptare, pasi në vitin 1903 kryengritësit maqedonas nën këtë emër masakruan shqiptarët myslimanë dhe ortodoksë.

“Mendoj se ky emër është shumë i rrezikshëm duke patur parasysh ngjarjet historike në lidhje me kryengritjen e Ilindenit të 1903 që kishte si synim kufirin e saj deri në Selanik dhe në Korçë. Emri Ilindeni ka një kujtesë të hidhur tek popullsia shqiptare pasi kryengritësit e Ilindenit masakruan shqiptarët mysliman dhe ortodoksë. Ishte pikërisht kryengritja e Ilindenit të 1903 që grekët dhe serbët të kryenin masakra edhe mbi popullsinë shqiptare të Maqedonisë Gjeografike”. 

Arben Llalla, historian

Sipas tij, emri Ilindenase është më afër historisë bullgare dhe shpreh irredentizmit e tyre ndaj fqinjëve grek, serb dhe shqiptar. “Mendoj se nuk do gjejë përkrahje emri i propozuar Republika Ilindenase e Maqedonisë”, theksoi historiani dhe publicist Llalla.

Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    27 Nëntor, 11:43

    Si e vlerësoni vendimin e GJKKO që liroi Berishën nga arresti shtëpiak?



×

Lajmi i fundit

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë