Është viti i gjashtë rradhazi që KLSH synon të përçojë tek ligjvënësit tanë dhe tek opinioni publik problemet reale të ecurisë së programeve qeveritare gjatë një viti financiar. Kryetari i Komisionit të Ekonomisë Erjon Braçe e cilësoi raportin e KLSH si profesional. Edhe pse vëmendja e të gjithëve sot është përqëndruar në tensionet politike, këmbanat që u bije KLSH për ecurinë e parave të të gjithëve ne janë me rëndësi për t’u parë dhe kuptuar. Së pari, ky institucion ngre shqetësimin për borxhin publik. Vlera relative e borxhit publik e raportuar nga qeveria është 71.01% e PBB-së(Produktit të Brendshëm Bruto të vendit). KLSH gjykon se kjo mënyrë vlerësimi nuk është bazuar në vlerën më të fundit të PBB-së të raportuar në World Economic Outlook (Perspektiva Ekonomike Botërore), sikurse është përcaktuar në Ligjin “Për Menaxhimin e Sistemit Buxhetor në Republiken e Shqiperise”. Bazuar në këtë metodologji, borxhi publik në fund të vitit 2016 rezulton në 72.4% e PBB-së. PBB-ja e raportuar në World Economic Outlook dhe e përdorur nga KLSH është e njëjtë me PBB-në e raportuar në tabelën e treguesve fiskalë të Projekt-Buxhetit për vitin 2018.
KLSH thekson se duhet bërë kujdes ndaj ekspozimit që krijon për ekonominë tonë niveli i rritur i borxhit të jashtëm brenda borxhit publik. Raporti i këtij institucioni cilëson se ndryshimet me akte normative, sidomos ato që bëhen gjatë muajit dhjetor, shkaktojnë mungesën e besueshmërisë tek Buxheti. Rishikimi i treguesve dëshmon se zërat e shpenzimeve dhe të ardhurave janë programuar mbi baza jo realiste, për të mos thënë tejet optimiste për të ardhurat, e shoqëruar kjo me një proces jo të kujdesshëm dhe të pamonitoruar siç duhet. Akti i fundit normativ lidhur me buxhetin është propozuar nga qeveria në ditët e fundit të muajit dhjetor 2016 dhe miratuar nga Kuvendi në janar 2017. KLSH reagon fort ndaj nivelit të kapur nga Borxhi Tatimor dhe Doganor(sidomos i pari). 172 miliardë lekë(mbi 1.25 miliardë euro) në fund të vitit 2016 përbëjnë një mine lundruese në detin e turbullt të ekonomisë sonë publike. KLSH thekson se vlera nominale e Borxhit Tatimor dhe Doganor është rritur me 41përqind, në krahasim me një vit më parë.
Vetëm borxhi tatimor është rritur me 46.5 përqind brënda nje viti! Borxhlinjtë e tatimeve në fund të vitit 2016 ishin 146,650 kompani e qytetarë, me një rritje prej 63,366 subjektesh. Ose 180 kompani e qytetarë bëhen çdo ditë borxhlinj me Shtetin! Rritja e detyrimeve ndaj tatimeve dhe doganave (borxhi tatimor dhe doganor) si dhe skemës së sigurimeve shoqërore për vitin 2016 është 52.2 miliardë lekë ose 383 milionë euro, në një kohë kur në vitin 2015 ka qenë 2.4 herë më pak. Kjo rritje përbën mungesë direkte të ardhurash për buxhetin e shtetit. KLSH cilëson në raport shpenzimet publike, që paraqiten në nivelin më të ulët të viteve të fundit. Janë 19 miliardë lekë(ose mbi 135 milionë euro) të pashpenzuara në Buxhetin e vitit 2016. Bashkitë po gjenerojnë detyrime të prapambetura për kontratat e lidhura, për të cilat nuk ka një shifër të saktë. Kjo vë në rrezik disiplinën fiskale të Shtetit, thotë KLSH. Po kush dëgjon? Institucioni vrojtues i jashtem dhe raportues ndaj të ardhurave dhe shpenzimeve te Buxhetit, vlerëson se përmbushja e synimeve të Strategjisë se Menaxhimit te Financave Publike 2014-2020 kërkon një angazhim gjithëpërfshirës, të të gjitha institucioneve shtetërore.
Zbatimi i kësaj strategjie nuk është përgjegjësi vetëm e Ministrisë dhe e Ministrit të Financave dhe Ekonomisë. KLSH kërkon krijimin e menjëhershëm të Këshillit Fiskal, si një autoritet i varur vetëm nga Kuvendi, cili duhet të mbikqyrë përputhshmërinë me rregullat fiskale, te monitorojë konsolidimin fiskal, duke përfshirë saktësinë e parashikimeve makroekonomike dhe cilësinë e planifikimit buxhetor afatmesëm. Do të pranojë qeveria të ketë një strukturë të tillë profesionale si oponencë konstruktive? Ngelet të shikojmë zhvillimet. Ndërkohë, deputetë të vendit tim: lexoni Raportin e Kontrollit të Lartë të Shtetit për zbatimin e Buxhetit të vitit 2016! Në argumentat dhe rekomandimet profesionale të këtij raporti, do të gjeni të gjitha temat për të cilat ia vlen të debatosh dhe luftosh në Kuvend për një të ardhme më të qëndrueshme dhe të mbarë të ekonomisë sonë dhe për mirëqënien e qytetarëve që ju votuan.
d.c./shqiptarja.com