Protestuesit u mblodhën si zakonisht në sheshin 'Skënderbej’ në kryeqytet për të nisur marshimin drejt godinës së Kryeministrisë, ku dhe janë pozicionuar.

Pas bllokimin të Rinasit një ditë më parë, 3 persona janë deklaruar si nismëtarë të protestës, të njohur edhe nga policia. Ata janë Luçiana Kokaj nga Rrjolli, Arben Kola nga Kukësi dhe Arlinda Lleshi nga Lezha. Megjithatë, prej tyre foli vetëm Kola.

Për të shmangur ngjarjen e mbrëmjes së shkuar, ai tha se do të udhëheqë edhe marshimin e mbrëmjes së sotme duke përdorur si pikë referimi një pankartë për studentët. Sipas ‘nismëtarëve’, nuk kanë asnjë qëllim për të bllokuar rrugën drejt aeroportit, por fajin për këtë ia lanë gjeneratës Z.

Tashmë, marshimet nuk do të jenë më jashtë Unazës së Madhe.

Thirrjet ‘Rama në burg, Berisha në burg’ dominuan sërish fjalimet e qytetarëve të zakonshëm, ku kërkuan dorëheqjen e tyre e deri edhe konfiskimin e pasurisë.

Berisha, të lutem, jep dorëheqjen si kryetar i PD. Ik ti i pari që të të ndjekë edhe tjetri. Nëse e do me të vërtetë këtë protestë, nëse do me të vërtetë që Shqipëria të bëhet mirë, ik ti i pari!”, tha një emigrant.

Ndërsa një tjetër protestues kërkoi që rezistenca të vijojë.

Ne do t’i japim rotacionin politik këtij vendi, ju lutem mos na braktisni”, u tha ai të pranishmëve.

Lajm në përditësim...

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 20:23
Largimi i Marjana Koçekut nga PS, protestuesi: Janë 82 deputetë, oqeani nuk është më i njëjti

Largimi i Marjana Koçekut nga grupi i PS po shihet nga protestuesit si momenti i parë i ndryshimit.

“Mos e lini këtë energji që na është krijuar për herë të parë në 124 vjet! Marjana Koçeku u largua. Nga 83 deputetë janë 82! Një pikë ujë nuk prish punë në oqean, por oqeani nuk është më i njëjti”, tha një prej tyre.

Ora 20:20
Aktorja Julinda Emiri i bashkohet protestës: Skena që Rama e nisi me Teatrin, e vazhdoi më pas me Rrjollin e Zvërnecin!

1781548120_F23.jpg

Aktorja Julinda Emiri ka marrë pjesë në protestën e sotme para Kryeministrisë, ku kundërshtohet investimi në Zvërnec të Vlorës.

Gjatë fjalës së saj para të pranishmëve, Emiri tha se dashuria për atdheun është më e madhe se dashuria për nënën e babanë.

Emiri tha se atë që kryeministri Rama sipas saj e nisi me zaptimin e tokës te Teatri Kombëtar, e vijoi më pas me Rrjollin e Zvërnecin.

“Para disa ditësh më thanë për një djalë që kishte thënë këtu, ku janë artistët që ju shemb Teatri Kombëtar. Unë jam Julinda Emiri, jam aktore, kam filluar të protestoj kundër kësaj qeverie që ditën e parë dhe nuk do të shkulem nga ky shesh deri kur kjo qeveri të japë dorëheqjen. Skena që filloi me Teatrin, me zaptimin e pronës publike dhe tërheqjen e njerëzve zvarrë, vijoi më pas me Astirin, me Bregun e Lumit, me gratë që shisnin pras, me Rrjollin dhe Zvërnecin. Rama nuk ka kuptuar që shqiptarët mund të nënshtrohen përkohësisht, por jo përjetësisht. Dashuria për atdheun, është mbi dashurinë për nënën e babait”, tha mes të tjerash aktorja Julinda Emiri.

Ora 20:14
Korça në ditën e tetë të protestës, personat me aftësi të kufizuara kërkojnë trajtim e kushte më të mira

Në ditën e 8-të të protestës në Korçë kundër investimit në Zvërnec dhe qeverisë, ka pasur pjesëmarrje të personave me aftësi të kufizuara. Thirrja e tyre ishte për trajtim dhe kushte më të mira.

Ora 19:57
88-vjeçarja nga protesta para Kryeministrisë: Fëmijët tanë s’kanë qenë kurrë të lumtur! Qëndroni të bashkuar dhe ndajeni kafshatën e bukës bashkë

1781546278_dzryuui.JPG

Një e moshuar 88-vjeçare ka marrë fjalën në protestën që po zhvillohet para Kryeministrisë, kundër investimit në Zvërnec të Vlorës.

E moshuara tha gjatë fjalës së saj se në Shqipëri ka qenë gjithmonë rrëmujë dhe familjet shqiptare kurrë s’kanë qenë të lumtura.

Ajo u kërkoi të rinjve që të qëndrojnë të bashkuar, sëbashku me shqiptarët e Kosovës.

“Jam një nënë 88-vjeçare. Gjithmonë kam parë vetëm rrëmujëra dhe vetëm që fëmijët tonë nuk kanë qenë asnjëherë të lumtur dhe të gëzuar. Edhe Kosova po ashtu. Unë si nënë ju them vetëm kaq, të jeni të bashkuar dhe ta ndani kafshatën bashkë, si me Kosovën, si me Shqipërinë. Ama si nënë ju them edhe këtë tjetrën. Ky mision është vetëm i Zotit”, tha mes të tjerash e moshuara.

Ora 19:41
Protestuesi: T’u konfiskohen pasuritë Ramës e Berishës! Do t’i japim vendit rotacion politik, mos na braktisni!

1781545319_F2.jpg

Konfiskim pasurie për kryeministrin Rama dhe për kryetarin e PD, Sali Berishën, është kërkesa e protestuesve. Me thirrje të forta, një prej tyre tha se do të sjellin rotacion politik, teksa u kërkoi të pranishmëve të mos e braktisin protestën.

“Rama konfiskim pasurie, Berisha konfiskim pasurie! Mbahuni dhe pak ditë se premtoj që Edi Ramën ne që jemi sot këtu dhe ata që do të vijnë, do ta shkatërrojmë me gjithë bandën kriminale! Ne do t’i japim rotacionin politik këtij vendi, ju lutem mos na braktisni”, tha protestuesi.

Ora 19:28
Emigranti thirrje Berishës: Jep dorëheqjen si kryetar i PD! Ik ti i pari që të ikë edhe Rama

Thirrja për dorëheqje përpara kryeministrisë jehoi edhe për kryetarin e PD, Sali Berishën. Një emigrant tha se e kishte bërë thirrjen para 3 ditësh edhe para selisë blu, por nga protesta para kryeministrisë, tha se Berisha duhet të japë shembullin e parë të largimit.

“Jam këtu, veçanërisht për nënën time 85-vjeçare që nuk merr dot pjesë këtu. Para 3 ditësh protestova i vetëm para zyrës së PD, e kisha me Sali Berishën, u detyrova të iki. Berisha, të lutem, jep dorëheqjen si kryetar i PD. Ik ti i pari që të të ndjekë edhe tjetri. Nëse e do me të vërtetë këtë protestë, nëse do me të vërtetë që Shqipëria të bëhet mirë, ik ti i pari!”, tha emigranti.

Ndonëse është kërkuar që partitë politike dhe përfaqësues të tyre të qëndrojnë larg protestës, emigranti u bëri ftesë ambasadorëve t’i bashkohen tubimit.

Ora 19:22
Mbrëmë bllokuan autostradën dhe rrugën e Rinasit, protestuesi: Nuk do përsëritet më! Do qëndrojmë brenda Unazës së Tiranës

1781545749_yuoo.JPG

Një nga protestuesit, i pranishëm në protestën e sotme kundër investimit në Zvërnec, tha se episodi i djeshëm i bllokimit të autostradës Tiranë-Durrës dhe Rrugës së Rinasit nuk do të përsëritet më.

“Vendimi për të vajtur atje, ka ndodhur, por nuk është diçka që do të ndodhë prapë. Do rrimë brenda Unazës dhe nuk do të largohemi shumë”, tha mes të tjerash protestuesi.

Të njëjtën gjë tha edhe aktivisti Arben Kola, i vetëshpallur nismëtar i protestës për ‘Zvërnecin’. Gjatë fjalës në protestë, Kola tha se deri dje marshimet ishin udhëhequr nga ata që ai i cilësoi Gjenerata Z. Ai shtoi se për t’u kujdesur që epidosi i djeshëm të mos përsëritet, sot do të jetë vetë në ball të marshimit.

“Në rrjetet sociale thonë jemi përcarë, nuk jemi përcarë, ka pasur tentativa, por nuk jemi përcarë. Armiku i përbashkët sot është Edi Rama dhe qeveria e tij. Që të kuptohemi marshimi ka qenë i organizuar nga grupe të rinjsh, nga gjenerata Z, që do e quaja gjenerata më e bukur e shekullit 21. Marshimi s’ka të bëjë me grupin nismëtar, as me organizatorët. Nga sot do jem unë në ball të marshimit, bashkë me studentët”, tha mes të tjerash Kola.

Ora 19:20
‘Frikën e larguam ne’, protestuesi nga Rrjolli: Toka është jona, jo e Bashkim Ulajt!

Një protestues nga Rrjolli ia atribuon protestës disa mujore kundër resortit të Bashkim Ulajt guximin për të vijuar me protestën për Zvërnecin. Duke e kthyer vëmendjen te Rrjolli, ai thotë se ajo u përket banorëve të zonës, jo ndërtuesit dhe botuesit pranë familjes Berisha, Bashkim Ulajt.

“Frikën e larguam ne rrjollorët, prandaj jemi mbledhur të gjithë këtu. Shqipëria është e shqiptarëve, jo e tradhtarëve! Në Shqipëri po bëjmë burg përditë! Shqipëria meriton një gjë tjetër se jemi europianë që në ’90. Toka e rrjollorëve është e rrjollorëve, jo e Bashkim Ulajt!”, tha protestuesi.

Ora 19:12
‘Të dorëhiqen kryeministri dhe opozita’, protestuesja: Establishmenti po e fal Shqipërinë!

Kërkesa për dorëheqje të qeverisë dhe opozitës po përsëritet nga protestuesit përpara kryeministrisë. Një protestuese thotë se “establishmenti po e fal Shqipërinë.”

“Ne jemi këtu për t’i thënë gjithë establishmentit duke filluar nga ky këtu e deri te drejtuesit e opozitës, është koha të jepni dorëheqjen! Me zemër, të gjithë shqiptarët janë këtu, brenda dhe jashtë Shqipërisë. Ne jemi këtu për t’u thënë: boll është boll! Ky establishment po e fal Shqipërinë dhe kjo nuk do të lejohet më! Ky shesh po u tregon vendin të gjithëve, ne e kemi thyer frikën pikërisht në këtë shesh!”, tha një protestuese.