Edlir Tetova është zyrtarizuar si trajneri i ri i Teutës së Durrësit në futboll. Trajneri 43-vjeçar pak javë më parë e mbylli aventurën me Egnatian ku fitoi pesë trofe në tre vite. I lindur në Durrës, Tetova rikthehet në ekipin e vendlindjes si trajner, ndërsa më herët ka kontribuar si futbollist.
"Klubi i Futbollit Teuta ka kënaqësinë të prezantojë zyrtarisht z. Edlir Tetova në krye të pankinës sonë. Një rikthim aty ku nisi gjithçka, i gatshëm për të udhëhequr skuadrën drejt objektivave dhe sukseseve të reja. I urojmë punë të mbarë dhe suksese në krye të ekipit", bën me dije klubi durrsak.
Vetë Tetova duket entuziast për këtë rikthim.
"U riktheva aty ku hodha hapat e para për futbollin. Bashkë për gjithçka", thotë Tetova në prezantim.
Në karrierën e tij, Tetova ka qenë trajneri i Ulpianës në Kosovë, Egnatias dhe Lushnjës. Në periudhën e dytë me Egnatian, Tetova fitoi pesë trofe në tre vite, mes tyre dhe dy herë radhazi titullin kampion të Shqipërisë.
Teuta vuajti gjatë sezonit të fundit, duke larguar trajnerin Enkeleid Dobi, megjithatë durrsakët ia dolën të shpëtonin duke mbijetuar në Superligë pas ndeshjes play-off..
Komente









