Pas tre vitesh e gjysmë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Kanada me fanellat e New England dhe Montreal, sulmuesi 27-vjeçar Giacomo Vrioni është rikthyer sërish në Itali, këtë herë duke u prezantuar në Serie B me fanellën e Cesenas.

Vrioni, i cili ka luajtur edhe gjashtë ndeshje me kombëtaren shqiptare të futbollit, gjen te Cesena sulmuesin tjetër kuqezi, Cristian Shpendi. Vrioni ka firmosur për gjashtë muaj me mundësi rivovimi në bazë të performancës.

I dalë nga moshat e Sampdorias, Vrioni ka luajtur edhe për Venezian dhe Cittadellan, para se në vitin 2020 Juventusi të paguante diçka më shumë se 4 milionë euro për ta afruar te ekipi U-23. Gjatë përvojës te bardhezinjtë Vrioni debutoi në Serie A duke u aktivizuar në dy takime.

Pas huazimit te WSG Tiroli në Austri, Juventusi e shiti sulmuesin kuqezi te New England në SHBA për 3.65 milionë euro në verën e vitit 2022. Me këtë ekip Vrioni bëri paraqitje shumë të mira duke shënuar 22 gola në 78 paraqitje, teksa meritoi edhe ftesën për në Kombëtare.

Tanimë Giacomo, i cili ka lindur në Itali (San Severino Marche), do kërkojë të bëjë mirë në një terren të njohur për të, teksa kërkon golat dhe rinovimin. Nuk është çudi që sulmi i Cesenas të flasë shqip.

Cesena mban vendin e gjashtë në Serie B dhe kërkon të mbetet në zonën play-off për një vend në elitën e futbollit italian nga sezoni i ri.