TIRANË - Mesfushori Kamer Qaka ka firmosur një kontratë prej 1 viti e gjysmë me Partizanin. 30-vjeçari i cili ka luajtur edhe me kombëtaren shqiptare pak ditë më parë u përfol për një kalim te KF Tirana, por "Demat e Kuq" kanë bërë për vete futbollistin energjik. Ky është afrimi i parë i drejtorit sportiv, Agim Ibraimi.
"Partizani me kënaqësi njofton arritjen e marrëveshjes me mesfushorin Kamer Qaka. Ish-lojtari i përfaqësueses së Shqipërisë është zyrtarisht pjesë e të kuqve, skuadër me të cilën do të provojë edhe aventurën e parë në Kampionatin Shqiptar. Qaka i cili ka nënshkruar me të kuqtë një kontratë për një vit e gjysëm është prezantuar në ambjentet e klubit nga drejtori sportiv Agim Ibraimi", bën me dije Partizani.
Pas përvojës në Maqedoninë e Veriut me Shkëndijën e Tetovës, ekip me të cilin fitoi dy tituj kampion, Qaka për herë të parë do provojë të luajë në Superligën shqiptare.
I lindur në Pejë, Qaka gjatë karrierës së tij është aktivizuar në Norvegji me klubet e Raufoss, Honefoss apo edhe Sarpsborg. Ai ka luajtur gjithashtu me Poli Iasi dhe Steauan e Bukureshtit në Rumani dhe Mezokovesd në Hungari.
Komente






