Pas afro dy vitesh në stol, Julian Ahmataj nuk është më trajneri i Kombëtares U-19 të futbollit. Ka qenë vetë 46-vjeçari që ka konfirmuar largimin nëpërmjet një statusi në kanalet e komunikimit. Ahmataj është falënderues kundrejt drejtuesve të FSHF-së për mundësinë, teksa i uron suksese Kombëtares A e cila në mars luan play-off-in për të marrë një biletë për në Kupën e Botës që zhvillohet këtë verë.
"Faleminderit President Armand Duka, Faleminderit FSHF. Ju falënderoj për mundësinë që më dhatë që këto dy vite të drejtoj ekipin kombëtar U-19. Të punoja në një ambient, që falë jush ka ngritur standarde europiane dhe me njerëz të mrekullueshëm që i përshtaten plotësisht këtij ambienti europian.
Faleminderit të gjithë bashkëpunëtorëve të mi, suksese te gjithe stafeve ne garat që do vijnë. Suksese të gjithë lojtarëve shqiptarë kudo që ndodhen, karriera juaj të jetë gjithmonë në rritje. Suksese ekipit tonë kombëtar dhe stafit të tij, që në mars do të na e bëjë ëndrrën “Botëror” realitet", shkruan Ahmataj.
I lindur në Elbasan, Ahmataj e drejtoi Kombëtaren U-19 prej 29 marsit të vitit 2024 dhe në 22 takime siguroi gjashtë fitore, pesë barazime dhe 11 humbje.
Komente








