Zyrtari i CIA-s, David Cohen: Ukraina synon të mbajë territorin rus

Zyrtari i CIA-s, David Cohen: Ukraina synon të mbajë territorin rus

Zyrtar i CIA-s, David Cohen

Presidenti Vladimir Putin do të urdhërojë një kundërofensivë në përpjekje për të rimarrë territorin rus të pushtuar nga forcat ukrainase në rajonin e Kurskut, por forcat ruse do të përballen me "një luftë të vështirë", tha të mërkurën zëvendësdrejtori i Agjencisë Qendrore të Zbulimit, CIA, David Cohen.

Zoti Cohen tha në një konferencë të industrisë së sigurisë kombëtare se mbetet për t’u parë se çfarë rezultati do të ketë futja e ushtrisë ukrainase në prapavijat e armikut, dhe marrja nën kontroll e një sipërfaqeje prej 777 km katror të territorit rus.

Më 6 gusht, forcat ukrainase filluan një sulm të befasishëm që ende po vazhdon, duke kaluar kufirin perëndimor të Rusisë në rajonin e Kurskut.

Ndërsa Kievi ka thënë se nuk ka ndërmend ta aneksojë zonën që ka pushtuar, trupat ukrainase po ndërtojnë vija mbrojtëse dhe duket se synojnë të mbajnë “një pjesë të territorit për një periudhë kohore”, tha zoti Cohen në takimin për sigurinë kombëtare.

“Sigurisht që Putini do të ndërmarrë një kundërofensivë në përpjekje për ta rimarrë atë territor”, tha zoti Cohen. “Unë mendoj se do të jetë një luftë e vështirë për rusët”.

Ai tha se Presidentit Putin do t’i duhet të përballet me zemërimin brenda vendit për humbjen e territorit rus.

Ukraina pretendon se ka marrë nën kontroll 100 vendbanime gjatë inkursionit të saj në rajonin rus të Kurskut, ndërsa forcat ruse vazhdojnë përparimin në rajonin lindor të Donetskut.

Të martën, Presidenti Volodymyr Zelenskiy tha se lufta me Rusinë do të përfundonte përmes dialogut, por se Kievi duhej të ishte në një pozitë të fortë dhe se ai do t'i paraqiste një plan Presidentit Joe Biden dhe dy pasardhësve të tij të mundshëm.

Por nga ana tjetër, Presidenti Putin ka thënë se çdo marrëveshje duhet të fillojë me pranimin nga Ukraina të "realiteteve në terren". Kjo nënkupton që Rusia të mbajë kontrollin e pjesëve të konsiderueshme të katër rajoneve të Ukrainës, si dhe Krimenë.

Ukraina thotë se kontrollon më shumë se 1200 km katrorë të rajonit Kursk të Rusisë./ VOA

G.K/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:

    Qeveria do të zhvillojë Industrinë Ushtarake, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Nis hetimi për Ceo-n e Telegram, jep 5 mln euro për lirimin me kusht! I ndalohet largimi nga Franca

Nis hetimi për Ceo-n e Telegram, jep 5 mln euro për lirimin me kusht! I ndalohet largimi nga Franca