80-vjeçari surprizon djalin në prag të ditëlindjes/‘E birësova 4 vjeç dua t’i gjej nënën’

22 Mars 2022, 18:37

E birësoi në vitin 1985, në moshën 4-vjeçare, por sot Fiqiri Meta nga Tirana kërkon t’i bëjë një surprizë të madhe në jetë djalit tw tij Beni Meta. Edhe pse në moshë të thyer, 80-vjeçari merr guximin të dalë për herë të parë në një studio televizive, ndërsa bënë publike historinë e jetës. Ai iu drejtua emisionit ’Pa Gjurmë’ ku kërkon, që bashkë me nusen e djalit ta surprizojë në prag të 41-vjetorit të lindjes. Beni Beqja u lind më 26 prill 1981, ndërsa u braktis nga nëna biologjike ditën që u la në shtëpinë e fëmijës Vlorë. 4 vite më pas, vogëlushi u birësuar nga çifti Fiqiri dhe Sabrie Meta, të cilët udhëtuan nga Tirana drejt qytetit të Vlorës. Beni do të ishte gëzimi i tyre i parë dhe i vetëm. Ata nuk ia ndryshuan emrin me të cilin ishte regjistruar foshnja, por vetëm mbiemrin Meta. Beni u rrit si të gjithë fëmijët e tjerë me të gjithë dashurinë që i afruan prindërit birësues. Ai ndoshta nuk do ta kishte zbuluar herët se ishte një djalë i birësuar deri kur në moshën 17-vjeçare do të mësonte të vërtetën. Fillimisht nuk e priti mirë këtë fakt, për shkak se tashmë ishte një djalë i rritur dhe për të ishte thuajse e pabesueshme. Por edhe këtë rast të vështirë prindërit birësues i qëndruan më afër se kurrë, jo për ta zhbërë të vërtetën, por për ta forcuar edhe më shumë dashurinë mes të treve. Vitet kaluan sa e hap e mbyll sytë dhe sot Beni është baba i dy vajzave 5 dhe 10 vjeçe. Ai nuk tregoi kurrë interes apo kuriozitet për të kërkuar rrënjët biologjike, nga frika se një gjë e tillë do të lëndojë zemrat e prindërve birësues të cilët tashmë janë edhe më të moshuar. Por me kërkesë të babait dhe me dëshirën e bashkëshortes, sot jemi në kërkim të rrënjëve biologjike të djalit që erdhi në jetë 40 vite më parë.