Dy muaj pa nënën, pa i dëgjuar zërin, pa një lajm dhe mbi të gjitha pa ditur se ku ndodhet. Për familjen e Saxhide Dishës, çdo ditë që kalon pa përgjigje e bën edhe më të rëndë mungesën e 66-vjeçares. Gjurmët e saj humbën në 5 shtator të këtij viti dhe nga ajo ditë nuk dihet asgjë për fatin e saj.Me origjinë nga Librazhdi, Saxhide Disha prej vitesh jetonte në fshatin Lekaj të Rrogozhinës, së bashku me vajzën dhe bashkëshortin e saj. Më 5 shtator, rreth orës 11:00 të paradites, ajo është parë për herë të fundit në këtë fshat. Që nga ai moment, familjarët kanë humbur çdo kontakt me të dhe nuk kanë asnjë informacion për vendndodhjen e saj. Rasti është denoncuar në polici, ndërsa familja nuk i ka ndalur përpjekjet për ta gjetur. Djali i saj, Gazmir Disha, është bërë disa herë pjesë e emisionit “Pa Gjurmë”, përmes lidhjeve direkte nga terreni, duke kërkuar në zona të ndryshme për nënën e tij. Çdo kërkim është shoqëruar me shpresën se diku mund të gjendet një gjurmë që do ta çojë pranë saj. Shqetësimi për fatin e Saxhides është edhe më i madh për shkak të gjendjes së saj shëndetësore. Sipas familjarëve, 66-vjeçarja vuante nga diabeti dhe kishte nevojë për kujdes të vazhdueshëm. Ajo mund të harronte ndonjëherë, por nuk kishte pasur më parë raste që të largohej nga banesa në këtë mënyrë apo të humbiste orientimin deri në atë pikë sa të mos gjente rrugën për në shtëpi. Familjarët shprehen gjithashtu se ajo nuk kishte konflikte me persona të tjerë. Pavarësisht kërkimeve të shumta në çdo vend të mundshëm, familja ende nuk ka arritur të zbulojë se çfarë ka ndodhur me Saxhiden. As kërkimet e vazhdueshme dhe as thirrjet publike nuk u kanë dhënë deri më tani përgjigjen që presin.



















