A e shëron fizioterapia hernien diskale? I ftuar fizioterapisti Endrit Mano

23 Tetor 2019, 11:50 | Përditesimi i fundit: 2019-10-23 12:21:44

Është një nga sëmundjet më të shpeshta, megjithatë para se të shkohet te hernia diskale ka disa shenja që trupi na jep, të cilat duhet të na nxisin që të shkojmë te mjeku, në mënyrë që sëmundja të mos agravojë deri në momentin kur problemi zgjidhet me ndërhyrje kirurgjikale. Në fazat e saj fillestare ju sëmundjen mund ta trajtoni shumë thjeshtë edhe me fizioterapi.

I ftuar në emisionin “Rreze Dielli”, fizioterapisti Endrit Mone thotë se personat që janë më të rrezikuar të preken nga hernia diskale janë shoferët e kamionëve të cilët bëjnë rrugë të gjata, por edhe fakti që me kalimin e kohës kolona e humb fleksibilitetin e vet dhe fillon një fazë degjenerative.

Mone thotë se janë ekzaminimet ato që përcaktojnë nëse një dhembje e kolonës ka të bëjë me hernie diskale, prandaj rekomandon që kontrollet te mjeku të bëhen në kohën e duhur.

Në rastet kur një person është në fazën e parë ose të dytë të sëmundjes, fizioterapisti është ai që bën rehabilitimin e problematikës dhe programin ushtrimor për pacientin.  

Ndërkohë Mone sqaron disa këshilla ‘popullore’ që jepen për personat e prekur me hernie diskale.

-90% e të sëmurëve shërohen me fizioterapi

Mund të them që është 90% e vërtetë, sepse ka raste kur hernia duhet operuar dhe nuk mund të diskutojmë më në këtë pjesë!”, shprehet Mone.

-Dhimbjet duhet të kalojnë brenda 6 muajve

Nëse dhimbjet zgjasin më shumë se 3-6 muaj janë kronike dhe duhet parë origjina e vërtetë se nga vjen dhe duhettrajtuar ashtu siç duhet, dhimbja mund të kalojë brenda 2 javësh ose një muaji. Duhet të ikë më shpejt se 6 muaj”, thotë fizioterapisti.

-Kur po shohim TV, duhet të mbani këmbën lart, duke vendosur një jastëk poshtë saj.

Kolona ka disa kurbatura. Kur shtrihemi pjesa e fundshpinës formon një pjesë harku. Kur vendosim një jastëk për të ngritur pak nivelin e gjunjëve, sheshohet harku dhe rri më komod. Para se të flini gjumë, do ia këshilloja të gjithëve të rrinë rreth 20 minuta para se të flejnë në këtë mënyrë.”, thotë Mone.

-Qëndroni shtrirë në një krevat të fortë.

Pjesa e krevatit të fortë të ndihmon pasi pjesa e kolonës rri në mënyrën e duhur. Nëse shtrati është i butë, nuk gjen përshtatshmërinë”, përfundon doktori.

Moshat më të prekura nga hernia diskale janë ato pas 35 vjeç dhe meshkujt janë më të rrezikuarit.