Akuzoi kunatën për zhdukjen e nënës/Përballet live: S’e përzura vajza e la pa bukë

18 Shkurt 2022, 21:02

Një 67-vjeçare nga Lushnja rezulton ende e humbur që prej 30 janarit të këtij viti. Rabushe Daja jetonte sëbashku me mbesën dhe nusen pasi djali kishte ndërruar jetë 20 vite më parë nga një aksident. Në një lidhje me viber nga Italia për emisionin ’Pa Gjurmë’ në Report Tv e bija Merita Daja pohoi se kunata e saj ia kishte mbajtur të fshehur për 6 ditë me radhë humbjen e nënës. Ajo dyshon se diçka e keqe ka ndodhur me 67-vjeçaren, pasi në bisedën e fundit, ajo nuk ndjehej mirë nga ana shëndetësore. Askush nuk din të thotë me siguri sesi ka mundur të largohet nga banesa e moshuara, sepse familjarët nuk kishin marrëdhënie të mira me nusen e shtëpisë.Rabushe Daja nga Karbunar e Madhe doli nga banesa herët në mëngjes me dy çanta ne duar, duke u drejtuar në rrugën kryesore. Kjo nuk është hera e parë që 67-vjeçarja lëvizte e vetme nëpër qytet dhe shpesh shkonte në varrezat e qytetit ku prehej djali i saj. E mbetur fillikat, Rabushe Daja prej afro dy vitesh kurohej me sklerozë, ndërsa nuk kishte askënd të kujdesej për të. Në momentin e fundit, kur ajo mësohet të ketë dalë nga shtëpia, ka qenë e veshur me të zeza, ndërsa flokët e thinjura i ka të kapura bisht. Nisur nga këto detaje që u përcollën në studion një numër i madh telefonatash mbërritën live, teefonata të cilat lokalizuar një vendondodhje të mundshme të 67-vjeçares në disa zona të Tiranës. Të tjerë flisnin për të njëjtën zonjë të ngjashme me Rabushe Dajën e cila është parë dy ditë e fundit në zonën e ’Medresesë’, në rrugën ’Ferid Xhajko’, zona të cilat po verifikohen nga stafi i emisionit ’Pa Gjurmë’ për të mësuar nëse bëhet fjalë për 67-vjeçaren.