Braktis burrin në Greqi dhe ikën me fëmijën tek i dashuri! Gjyshja kërkon të shohë nipin

11 Nëntor, 20:21

TIRANË- Gjyshja nga babai rrëfen në ’’Pa gjurmë’’, si u zhduk nusja 28- vjeçare dhe apelin që ka për nipin 4-vjeçar, një javë nga zhdukja e tij së bashku me nënën.

Xhuljeta Tufa la ish-bashkëjetuesin në Rodoss të Greqisë ku jetuan afro 4 vite, kur dy muaj më parë vendosi ta marrë djalin 4-vjeçar dhe të kalojë në territorin shqiptar, duke gënjyer se do të shkonte tek halla e sëmurë. Saimir Stoçeni është në kërkim të djalit të tyre, pasi ka 20 ditë që s’ka komunikuar me të birin. Që nga momenti kur ish-bashkëjetuesja u zhduk papritur Saimiri vetëm dy herë ka mundur ta shoh të birin në Skype.

Çifti folën së bashku, kur Xhuljeta i sqaroi se kishte krijuar një lidhje të re dhe se ishte në pritje të një fëmije tjetër. Pas kësaj, ajo mbylli çdo komunikim me bashkëjetuesin e saj duke i thënë se bashkë "nuk kishin më punë". 28-vjecarja Xhulieta Tufa, një javë më parë vendosi të zhduket për të dytën herë bashkë me djalin e tyre. Babai është në kërkim të djalit dhe familja Stoçeni ka bërë denoncimin në polici, duke dyshuar mbi pistën e rrëmbimit, pasi 28-vjeçarja është parë nga kushëriri i saj të largohet me një person të panjohur me makinë.

Xhulieta Tufa dhe Saimir Stoçeni vendosën të bashkëjetonin së bashku në Rodoss të Greqisë, atje ku lindi dhe djali i tyre Panajot Stoçeni Tufa në vitin 2015. Pas lindjes, Xhulieta pati probleme me depresionin dhe mjeku i rekomandoi përdorimin e disa medikamenteve. Me kalimin e kohës, Xhuljeta nisi të ndryshonte sjellje ndërsa humbi besimin tek i shoqi.

2 muaj më parë, Xhulieta i komunikon bashkëjetuesit se ajo kishte hallën të sëmurë dhe se i duhej që të ikte dhe të kujdesej për të. I shoqi e dërgoi në destinacion, por Xhulieta dredhoi rrugë dhe mori drejtimin në Shqipëri, bashkë me djalin, të cilin nuk dihet sesi ka mundur ta kalojë në kufi pasi nuk kishte as pasaportë.

Pak ditë më pas Saimiri mësoi se i biri dhe nusja e tij kishin mbërritur në Elbasan tek familja e Xhulietës, aty ku jetonte nëna dhe një nga vëllezërit e saj, pasi i ati kishte ndërruar jetë pak kohë më parë.  Ndërsa kërkesat e saj ndaj ish-bashkëjetuesit ishin vetëm paratë, që nga largimi i 28-vjeçares me të birin nga Greqia, babai e ka parë rrallë të birin në skype.

Këtu nis kalvari i vuajtjeve të një babai, i cili ka më se 20 ditë që nuk ka komunikuar me djalin 4-vjeçar, pasi Xhuljeta është zhdukur pa lënë asnjë gjurmë.  Vjehrra shkoi në Elbasan, por dera në shtëpinë e familjes Tufa ku jetonte Xhuljeta ishte e kyçur, ndërsa u mësua se një javë një javë më parë të jetë larguar me një person të panjohur me makinë.

20 ditë që s’ka mundur dot të flasë, me ish-bashkëjetuesen që u zhduk papritur pasi gënjeu se do të shkonte tek halla. Që nga ai moment, ajo ka mbyllur çdo kontakt të rrjeteve sociale, ndërsa telefoni rezulton i fikur. Pasi ka bërë denoncimin në polici familja Stoçeni s’ka ende asnjë informacion se ku ndodhet Panajoti 4 vjecar, pasi u zhduk me nënën afro një javë më parë.

"Unë djalin e kam në Rodoss të Greqisë. Këtë martesë e bëra unë para 5 vitesh. Në shtator Pavlino bëri 4 vjeç. Në pamundësi për të ardhur Sajmiri në Shqipëri, u detyrova që t’i gjeja një nuse dhe t’ia çoja në Greqi. Ashtu bëra, si çdo nënë që nuk i’a do të keqen fëmijës. Nusja ishte nga Elbasani dhe e lidha me telefon me djalin, flisnin dhe Sajmiri më tha që “mami duket njeri i mirë, por shko kërkoje”. Vajta ta kerkoja dhe u bë një lidhje më e hapur. Djali pas disa kohësh më tha “shko merre dhe mbaje disa ditë në shtëpi, shihe”. E mora 15 ditë dhe ishte një nuse pa llafe, e mirë. Pas 2 javësh e cova në Rodoss, tek djali. Ajo bashkëjetoi me djalin, fillimisht shkonin shumë mirë, dhe mbeti shtatzënë. Lindjen e kishte shumë të vështirë. Djali im ishte i detyruar që ta ndihmonte,  si me letra si pa letra, pasi e kishte grua. Lindja e vështirë e Xhulietes la pasoja tek ajo. E rritën të dy Pavlinon. Marrëdhënia ishte e mirë deri aty. Cdo gjë ndryshoi kur vëllai i saj shkoi në Greqi. Djali im e mori kunatin para 2 vitesh, që të jetonte në Rodoss. Xhulieta ishte shumë xheloze. Në një rast kur isha unë bënë llafe dhe i fola Xhulit pasi ishte një nuse shumë e mirë, por që kur vëllai shkoi atje, ajo u shndërrua në një person tjetër. Djali është i regjistruar në Greqi me emrin Pavlino Stoçeni Tufa, ndërsa në Shqipëri se di. Një ditë para 3 muajsh Xhulieta i tha që do ikte tek halla,  në Athinë sepse sipas saj,  ajo ishte sëmurë dhe së ajo do kujdesej për të. Xhulieta mori valixhet dhe djalin dhe u kthyen në Shqipëri, por se si e ka marrë djalin nuk e di. Të dy u vendosën në Elbasan. Ajo gënjente, thonte se kishte filluar punë në Elbasan dhe gjente justifikime që mos t’ia nxirrte djalin në telefon Sajmirit. Ajo i thonte më jep para që të të nxjerr djalin në telefon. Ditën e shtunë, më 9 nëntor shkova në Elbasan dhe i trokita në derë, lëvizi perdja, thërrita disa herë, por dera nuk u hap. Takova kushëririn e Xhulit kur po largohesha dhe më tha se kishte ardhur një djalë tjetër dhe thonte që ka ardhur burri për t’i rregulluar letrat djalit dhe për të ikur në Greqi më pas. Ai më tha gjithashtu, që Xhuli ka ikur përsëri 15 ditë pa djalin, pasi atë ia la nënës së tij. Ai më tha se kishte 5 ditë që kishte ikur në Greqi. Ajo i ka pas thënë Sajmirit që çdo gjë mes tyre kishte përfunduar. Kam bërë denoncim edhe në Policinë e Elbasanit, por akoma nuk kam marrë një përgjigje. Vëllai i Xhulietës që ndodhet  në Greqi, ka thënë se është tek xhaxhai në Sarandë, një herë në Kosovë dhe nuk tregon të vërtetën. Në çertifikatë rezulton që Sajmir Stoçeni të ketë firmosur për djalin e tij që të kaloi kufirin. Sajmiri nuk ka firmosur, nuk e dimë se kush e ka bërë. Ajo ka jetën e saj dhe nuk e pengoj, por unë dua që Pavlino të ketë kontakte me babain e tij dhe me ne", tregon gjyshja

Në lidhje telefonike nga Greqia, babai i Pavlinos, Sajmir Stoçeni shprehet se është i frikësuar se mund t'u ketë ndodhur diçka e keqe.

"Nuk e di se përse e ka bërë. Unë kam frikë se diçka e keqe ka ndodhur. Unë dua që djalin ta shikoj sepse kam qenë shumë i lidhur me Pavlinon. Dua të gjej djalin ku është. Të di që djali është mirë. Kam prej datës 25 tetor që nuk kam folur me djalin", tha ai.

Gjyshja bën apel që Xhuli të mos e lërë djalin pa baba, e ndërsa me jetën e saj të bëjë "çfarë të dojë".

"Ajo ka jetën e saj, por unë dua që djalin mos t'ia mbajë të atit, se djalin nuk e ka bërë vetëm, por e ka bërë me djalin tim. Jetën e saj ta bëj si të dojë, ne duam djalin të bashkohet me të atin. Më thonë që ka gjetur dikë tjetër, por s'ka gjë, unë dua djalin e vogël. I lutem Xhulit mos t'ia pengojë Pavlinon", përfundoi ajo.

Programe të tjera

Shiko të gjitha