Brezi i ankthit! Njihuni me studimin, ja pse vajzat preken më shumë sesa djemtë

23 Shtator, 13:24 | Përditesimi: 23 Shtator, 13:24

Jetojmë në një kohë ku gjithçka lëviz me shpejtësi, informacioni, teknologjia, ndryshimet sociale...dhe përballë këtij ritmi marramendës, shpesh ndalemi dhe pyesim: Çfarë po ndodh me të rinjtë tanë? Sot, më shumë se kurrë më parë, gjenerata e re po përballet me një realitet të dyfishtë: botën virtuale dhe atë reale. Mes ekranesh që nuk fiken kurrë dhe presioneve sociale që nuk pushojnë as kur je vetëm, të rinjtë ndihen të ekspozuar, të gjykuar, të paqartë për veten dhe për botën rreth tyre. Jemi dëshmitarë të një fenomeni në rritje "ankthi social", i cili nuk është më një shqetësim individual, por një gjendje kolektive. Sot flasim për një "brez të ankthit", për fëmijë dhe adoleshentë që po rriten me ndjenja pasigurie, vetmie dhe frike nga gjykimi. E gjitha kjo, në një kohë kur vlerat tradicionale janë tronditur, modelet mungojnë dhe shpesh as familja dhe as shkolla nuk arrijnë t’u japin përgjigjet e duhura.

Si ndikojnë rrjetet sociale në vetëvlerësimin e të rinjve? Kur dhe si nis 'ankthi social' dhe si mund ta kuptojmë? Çfarë roli ka familja në këtë proces? Po shkolla? Pikërisht për t’i dhënë zë këtyre pyetjeve dhe për të kuptuar më thellë realitetin që po jetojnë fëmijët tanë, diskutojmë në studion e "Rreze Dielli" me botuesen Loreta Berhami, e cila do të na prezantojë me bestseller-in “Brezi i Ankthit” nga Jonathan Haidt, një pasqyrë e qartë e kësaj gjendjeje kolektive që prek gjithnjë e më shumë të rinjtë; psikologen Marsela Lekli dhe Daniela Seriani, një prind që jeton përditshmërinë e adoleshencës nga afër, me sfidat dhe dilemat që ajo sjell.

MC/Shqiptarja.com