Çevërme, tavë orizi me mish nga zonja Albana/ Këtë shije nuk do e harroni lehtë...

1 Tetor, 11:31

Tavë orizi me mish (Çevërme)

Përbërësit:

  • 1 kg mish qengji/ viçi
  • 1.5 filxhan çaji oriz
  • 2 kokrra qepë
  • 3 fç lëng mishi/ perimesh
  • 3-4 lugë supe vaj
  • 1 lugë supe gjalpë
  • 50 gr arra të qëruara
  • Majdanoz, rigon
  • Kripë, piper i zi

Përgatitja:

Ziejmë jo plotësisht mishin, me pak lyrë dhe kripë. Në një tigan hedhim qepën e grirë hollë në formë kubike dhe e kaurdisim në zjarr mesatar, duke i hedhur herë pas here nga pak ujë, derisa të tretet plotësisht. Përgatisim 3.5 filxhanë lëng mishi ose lëng perimesh të nxehtë. Në mungesë të mishit mund të përgatisim lëng kockash me 1 koncentrat pule ose viçi. Në tavën, ku do të gatuajmë çevërmenë, hedhim orizin e larë dhe e vendosim për 5 minuta në sobën e ngrohur në 200 gradë, që të thahet plotësisht. E nxjerrim nga soba dhe e trazojmë orizin me një lugë druri që të shkriftohet. Aty shtojmë piperin e zi, rigonin, majdanozin, gjalpin, arrat dhe lëngun e përgatitur dhe i përziejmë mirë. E provojmë për kripën, që ka lëshuar mishi ose koncentrati, e nëse duhet i shtojmë edhe pak. Vendosim thelat e mishit midis orizit dhe e fusim tavën në furrë, për 35-40 minuta, derisa të shohim që tava të marrë përsipër ngjyrë të pjekur. E heqim nga furra dhe e lëmë të zbuluar për 10-15 minuta, pastaj mund ta shërbejmë.