Hava Bekteshi, vajza shqiptare që ka futur instrumentin e çiftelisë në orkestrën e Hamburgut. Si është të jesh pjesë e Filarmonisë së qytetit me një element shqiptar si çiftelia?
Në një lidhje skype në "Rreze Dielli" nga Gjermania Hava Bekteshi, tregon se është rritur në Gjermani së bashku me familjen e saj. Në profesion Hava është mësuese e gjuhës gjermane, por muzikën, sidomos luajtjen e instrumentit autokton Çiftelinë e ka patur pasion që në fëmijëri. Në Gjermani ajo tani njihet si një përfaqësuese e çiftelisë dhe muzikës shqiptare. Hava është shqiptarja e parë që ka futur çiftelinë në shtëpinë më prestigjoze Elbphilharmonie në Hamburg. Tingujt e këngës së bukur shqipe “Tingëllon teli i çiftelisë“ u interpretuan me aq shumë dashuri dhe profesionalizëm për herë të parë në një koncert madhështor në Gjermani, duke i mahnitur të gjithë me tingujt e saj. Hava Bekteshi është aktive dhe pjesë e koncerteve të ndryshme me orkestrën e Filarmonisë së Hamburgut.