Ushtarakë të kombeve të ndryshme të mbledhur në Shqipëri për stërvitjen më të madhe Defender 21, mbrëmjen e së enjtes kanë zhveshur unfirormën dhe janë bërë një nën tingujt e muzikës.
Pamjet i përkasin një lokali në zonën e Lungomares në Vlorë, ku ushtarakë nga Shqipëria, Kosova, Mali i Zi, SHBA-të, Kroacia, Greqia, Kosova, Britania e Madhe, Çekia, Hungaria dhe Rumania iu bashkuan argëtimit me muzikë karaoke.
Nuk munguan këngët himn të shqiptarisë si “Kuqezi” dhe “Xhamadani Vija Vija”. Por jo vetëm shqip. Muzika shpërtheu nga të gjitha kombësitë. Kështu mbrëmja e djeshme në Lungomare mori emrin e Defender Europe 2021.
‘Defender Europe 21’ është stërvitja më e madhja ushtarake që pret Shqipëria si aleate e NATO-s, me pjesëmarrjen e rreth 28 mijë trupave shumëkombëshe, aleate dhe partnere nga 27 vende për të kryer operacione të njëkohshme në më shumë se 30 zona trajnimi në më shumë se 12 shtete, nga Balltiku dhe Afrika në Detin e Zi dhe Ballkan. Përveç ofrimit të gjashtë bazave detare, tokësore dhe ajrore, Shqipëria, anëtare e NATO-s që nga viti 2009, do të angazhojë 1000 trupa në këtë stërvitje. Stërvitja do të zhvillohet deri në 20 qershor 2021 në territorin e Shqipërisë.