Don Bosko me dy shkolla të reja këtë shtator! Veliaj: Do hyjmë në histori si viti ku është punuar më shumë për arsimin se në 100 vitet e Tiranës kryeqytet

17 Korrik 2021, 16:27 | Përditesimi i fundit: 2021-07-17 14:27:46

TIRANË- Zona e Don Boskos, e cila prej vitesh ka vuajtur mungesën e një shkolle, më në fund do të bëhet këtë vit të ri arsimor me dy shkolla të reja, shkollën 9-vjeçare “Vaçe Zela” dhe shkollën e mesme “Kristo Frashëri”. Kompleksi i ri arsimor që i jep fund vuajtjeve të familjeve të reja të ardhura në këtë zonë për të çuar fëmijën në shkolla larg vendbanimeve të tyre, pritet të çelë dyert në shtator për të mirëpritur 1300 nxënësit e parë në ambiente të reja dhe moderne të projektuara nga arkitekti italian Stefano Boeri. 

Kryetari i Bashkisë Erion Veliaj gjatë vizitës në kantierin e këtij kompleksi gjigand prej afro 10 metër katror sipërfaqe, u shpreh se muajt e pushimeve për shumicën e familjeve në Tiranë, janë muajt e punës më intensive për ekipin e Bashkisë Tiranë në mënyrë që viti i ri shkollor t’i gjejë gati të gjitha institucionet e reja arsimore në këtë vit që do hyjë në histori sa i takon ndërtimit të shkollave në kryeqytet. 

“Jam shumë mirënjohës për të gjithë burrat dhe gratë që po punojnë në kantieret tona. Është një situatë e jashtëzakonshme, ku jashtë bën 40 gradë dhe të punosh në kantier e sidomos në ndërtim është një sakrificë shumë e madhe. Ndërkohë që për shumicën e popullsisë korriku dhe gushti është një moment çlodhjeje, për Bashkinë e Tiranës është momenti më intensiv. Ndaj do të shikoni në çdo cep të Tiranës që po punohet në kopshte, në shkolla, në çerdhe, jo vetëm në cepat e Tiranës urbane, po edhe në cepat e Tiranës periferike. Do të jenë mbi një dyzinë shkollash që hapen këtë semestër, një pjesë tjetër për semestrin që vjen dhe do hyjmë në histori si viti ku është punuar më shumë për arsimin dhe janë hapur më shumë infrastrukturë shkollore dhe kopshtesh se në 100 vitet e Tiranës kryeqytet të marra së bashku, se kemi pasur vite ku është fjetur gjumë dhe nuk është bërë një shkollë në Tiranë,” u shpreh Veliaj.