Edmond Tupja kujton vitet si student në Paris, si u njoh me “Macja” e Colette

30 Qershor 2023, 12:36

Në studion e ‘Rreze Dielli’ me Edmond Tupja, përkthyesi i novelës ‘Macja’ të autores franceze Colette. Këtë libër, shprehet Tupja, e kam lexuar kur isha student në Francë në vitet ‘60. Nyja e dashurisë dhe besnikërisë – ndaj fëmijërisë dhe maces që e shoqëron atë – është shtylla kryesore e novelës: ëndrra për një fëmijëri të përjetshme dhe nostalgji për një dëlirësi që nuk mundet të përshtatet me jetën prej të rrituri.  

Aleni, djali i vetëm dhe i përkëdhelur i një familjeje të pasur borgjeze, ka një mace shumë të bukur, Sahën, me të cilën ka një lidhje thuajse në simbiozë. Ndonëse vendos të martohet me Kamilën, një vajzë të hijshme dhe tepër moderne, Alenin e shqetëson shumë ideja se do të lërë shtëpinë e lindjes e mbi të gjitha macen e tij të adhuruar. Pas martesës, Saha fillon të dobësohet, prandaj Aleni vendos ta marrë me vete në apartamentin e ri të çiftit. Në një tension dhe xhelozi në rritje, prania e kafshës minon në mënyrë të pakthyeshme bashkëjetesën e tyre dhe Aleni do të jetë i detyruar të zgjedhë o njërën, o tjetrën. Se çfarë përfaqëson kjo mace, ngrohtësinë e fëmijërisë së humbur përgjithmonë, ëndrrën e një lidhjeje të përsosur për një burrë të brishtë dhe të papërmbushur, apo simbolin, lehtësisht shqetësues, për pamundësinë për të qenë normalë, autorja ia lë lexuesit ta vendosë. Sepse, në të vërtetë, thuajse në çdo shtëpi, endet një mace apo një fantazmë e ngjashme me të.