Emisioni 20 Dhjetor 2024, Receta/ Simbolika & bestytni festash/ Këshilla, flokë e grim

20 Dhjetor, 14:59 | Përditesimi i fundit: 2024-12-20 15:19:18

Zonja Albana solli tre sugjerime recetash plot shije në “Rreze Dielli”. Recetat e përzgjedhura për ditën e sotme ishin: Pulë me përshesh me bukë misri / Boçe pishe, ëmbëlsirë e Krishtlindjes / Antipastë festive.

Jemi në muajin e fundit të vitit, afër festave dhe sidomos në natën e ndërrimit të viteve ka disa rituale të cilat ne si popull herë i zbatojmë e herë jo. Cilat janë disa nga ritualet më të rëndësishme dhe kuptimi i tyre, si kanë lindur ato, por dhe cilat janë disa nga bestytnitë më të njohura, sa të vërteta janë apo çfarë legjendash fshihen pas tyre, i diskutojmë në studion e “Rreze Dielli” me teologun e njohur Miron Çako. Çfarë simbolizon pema e Vitit të Ri, po dekoret si kanë ndryshuar ndër shekuj nga mollët e degët natyrale tek topat shumëngjyrëshe. Simbolikat e ushqimeve të ndryshme si thjerrëzat, shegët, arra, rrushi, e shumë të tjera, çfarë mendon teologu për këto, a sjellin me të vërtetë fat? Cili është mesazhi dhe kuptimi i vërtetë i festës së Krishtlindjes?

Jemi në prag festash! Disa këshilla të vogla për të qenë në maksimumin tuaj pa shumë përkushtim nuk janë kurrë të tepërta. Një mënyrë për të rënë në sy tek miqtë dhe të afërmit është me siguri të zgjidhni dhe modelin e duhur të flokëve për festa. Shumë shpesh fytyra jonë dhe në përgjithësi veshja jonë mund të duket jo aq bukur nëse s'do keni një model flokësh të zgjedhur mirë, gërshet, bisht kali, topuz apo flokë të lëshuar janë zgjedhjet më të pëlqyera gjatë festave. Modeli i duhur i flokëve kompleton dhe transformon look-un tuaj, ndaj në studion e "Rreze Dielli" me Olti Shulla japim disa këshilla për gratë dhe vajzat për modelet e flokëve më të bukura për t'i mbajtur plot elegancë e shkëlqim gjatë festave të fund vitit.