Emisioni i plotë | 'Pa Gjurme' 14 janar | -‘Je bërë shumë e bukur, ky koment më kushtoi’/ I riu: I vëllai polic më dh*noi edhe babain

14 Janar, 21:34 | Përditesimi: 14 Janar, 21:34

 

Një ngjarje e rëndë dhune është regjistruar në fshatin Vjosë të Fierit, ku një 46-vjeçar, Altin Meçaj, dhe babai i tij 76-vjeçar kanë përfunduar në spital pas një sulmi të ndodhur në pragun e banesës së tyre.Sipas të dhënave të raportuara, shkak për konfliktin dyshohet të ketë qenë një reagim i Meçajt në rrjetin social Facebook, konkretisht një “like” dhe një koment në profilin e motrës së një personi me të cilin ai është përfshirë më pas në përplasje. Meçaj pretendon se është kërcënuar përmes një mesazhi në telefon dhe se personi që e ka kërcënuar është pjesë e strukturave të policisë në Fier.Ngjarja ka ndodhur rreth orës 23:00, kur 46-vjeçari është kthyer në banesë. Dyshohet se në momentin që ka dalë jashtë pas thirrjeve me emër, ai është sulmuar nga të paktën tre persona, duke pësuar dëmtime dhe humbje ndjenje. Në përpjekje për ta ndihmuar, babai i tij ka ndërhyrë, por edhe ai është dhunuar dhe ka marrë dëmtime, veçanërisht në zonën e kokës.Të dy janë transportuar në urgjencën e Spitalit Rajonal Fier, ku po marrin trajtim mjekësor. Gjendja e tyre raportohet e stabilizuar, por familjarët janë të tronditur nga ngjarja dhe shprehin shqetësim për sigurinë.Deri më tani nuk ka një reagim zyrtar nga Policia e Shtetit. Sipas informacioneve paraprake, për shkak se personi i denoncuar dyshohet të jetë punonjës policie, rasti i ka kaluar për hetim Agjencisë për Mbikëqyrjen Policore (AMP).

A.M/Shqiptarja.com