Kanë kaluar tashmë 18 ditë nga zhdukja e 22-vjeçarit Elkris Kola nga Puka, një ngjarje që ka lënë të tronditur familjen e tij, e cila ende nuk ka asnjë informacion se çfarë ka ndodhur me të riun.Sipas dëshmive të babait, mëngjesin e 13 shtatorit 2025, Elkrisi është përgatitur për të dalë nga shtëpia. Para se të largohej, ai i ka thënë babait: “Do të dal sepse një burrë do të vijë të më marrë.” Kur babai e pyeti i shqetësuar se kush ishte ky njeri, Elkrisi iu përgjigj me një fjali të shkurtër: “Nuk e njoh.” Pas kësaj, ai u largua nga banesa dhe që prej atij momenti nuk është parë më.Familja e alarmuar bëri menjëherë denoncimin në polici, duke shpresuar se brenda pak orësh ose ditësh do të merrte një lajm, një gjurmë, një sinjal që do të çonte tek Elkrisi. Por pritja është bërë e gjatë dhe e rëndë. Edhe pas më shumë se dy javësh, familjarët thonë se nuk kanë marrë asnjë informacion konkret, as për tabulatet telefonike dhe as për ndonjë pistë që mund të ndihmojë në gjetjen e tij.22-vjeçari Elkris vuante nga probleme mendore, por sipas familjes, ai nuk ishte asnjëherë i dhunshëm apo i rrezikshëm për komunitetin. Përkundrazi, gjithmonë ishte nën përkujdesjen e tyre. Zhdukja e tij e papritur ka hapur një boshllëk të madh në familjen Kola, të cilët nuk pushojnë së kërkuari dhe së shpresuari.“Janë ditë të gjata, të mbushura me ankth e pasiguri. Nuk dimë ku është, si është, apo nëse dikush po kujdeset për të. Çdo natë e kalojmë me shpresën që nesër të marrim një lajm të mirë, por deri tani asgjë… Vetëm heshtje,” – shprehet vëllai i tij, Denis Kola.Sot, në emisionin “Pa Gjurmë”, është i pranishëm vëllai i tij, Denis Kola, i cili do të rrëfejë më shumë detaje mbi ditën e zhdukjes, mbi marrëdhënien e Elkrisit me familjen dhe mbi dyshimet që kanë lidhur me këtë ngjarje misterioze. Denis Kola kërkon ndihmën e të gjithëve që i vëllai të rikthehet sa më shpejt pranë familjes së tij





















